Violinisti Gentjan Llukaci pjesë e koncertit në Moncalzati më 4 korrik

30 Qershor, 2021 - 5:56 pm

Violinisti shqiptar në Itali Gentjan Llukaci do të jetë pjesë e spektaklit për të dashuruarit e muzikës së Tarracës që do të mbahet më 4 korrik.

Eventi do të mbahet në “Terrazza degli Artisti” në Manocalzati të Italisë. Do të jetë një udhëtim spektakolar nëpër kulturën muzikore të Amerikës së Jugut dhe më gjerë, ku protagonistë do të jenë nostalgjia dhe pasioni bashkë me Tangon, këngën dhe ritmin. Gjithashtu do të ketë dhe një nderim për Astor Piazzolla në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Spektakli do të realizohet sipas rregullores anti COVID dhe trio-ja përbëhet nga artistja Sabrina Gasparini, violinisti shqiptar Gent Llukaci dhe në fizarmonikë Claudio Unghetti.

Artisti shqiptar jeton prej vitesh tashmë në Modena të Italisë. Ai është diplomuar për violinë në vitin 1991 në Akademinë e Arteve të Ukura në Tiranë dhe ka pasur mjaft koncerte si solist dhe formacione të ndryshme në Shqipëri, si dhe ka qenë pjesë e violinave të para të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, të orkestrës së TKOB dhe Filarmonisë së Tiranës.

U vendos në Itali që në vitin 1992 ku nisi të jepte mësime në Institutin muzikor të Riçione si dhe të bashkëpunonte me Orkestrën Simfonike Marchigiana. Llukaci ka luajtur në vitin 2002 për Papa Gjon Palli II në Aula MAgna në Vatikan e më pas në 2006 për Papa Benediktin XVI në një audiencë private. Ai ka bashkëpunuar me emra të rëndësishëm të operas botërore si Dimitra Theodossiou dhe Fabio Armiliato./ KultPlus.com

Të ngjajshme