займ на карту онлайн потребительский кредит

Visar Kuçi interpreton programin e ëndrrave falë bashkëpunimit me pianistin Clemens Rave

Prill 14, 2019 - 3:41 pm

Fotografitë: Arben Llapashtica

Dikur raporti i tyre ishte profesor-student, por pianisti Clemens Rave dhe violinisti Visar Kuçi si dy profesionistë me karrierë, mbrëmë erdhën për të shkrirë tingujt e instrumenteve të tyre në festivalin “Chopin Piano Fest Prishtina”, shkruan KultPlus.

Aura e mbrëmjes në Chopin Piano Fest ishte një mbrëmje shumë e veçantë ku dyshja fantastike me instrumentet piano – violinë sollën një interpretim mbresëlënës.

Violinisti shqiptar Visar Kuçi, studimet për violinë i kishte përfunduar në Gjermani me profesorin Clemens Rave, por mbrëmë me interpretimin e tij mbresëlënës, ai i qëndroi karshi profesorit Rave.

Edhe pse shumë vite më parë ata kishin bashkëpunuar, kësaj radhe ata u rikthyen për të interpretuar me shumë dashuri veprat e Beethovenit. 

Hapja e festivalit u bë nga violinisti Kuçi i cili për të nisur interpretimin fillimisht ju desh të mbyllte sytë, në këtë mënyrë, ndjeshmëria dhe përkushtimi i tij depërtuan edhe tek publiku. Me një luhatje të ngadalshme të kokës, ai vazhdonte të sillte tingujt në sallë e arrinte të emociononte publikun e pranishëm.

Ndërsa pas Kuçit, në skenë zuri vend pianisti Clemens Rave i cili u ulë në piano për të lëshuar fillimisht disa tinguj të qetë në sallë të cilët ishin relaksues dhe tejet të këndshëm. Me këmbën e majtë ai luajti 8 minuta pa ndalur. Për të kaluar te interpretimi i veprës tjetër, për dallim nga herat tjera, kësaj radhe ai fillimisht u ngrit në këmbë, përshëndeti publikun dhe tutje vazhdoi interpretimin e radhës i cili dallonte shumë nga tingujt e fillimit. Kësaj radhe tinguj që i solli ishin shumë të vrazhdë për të përfunduar gjithçka me disa tingujt të butë.

Pas përfundimit të koncertit, publiku nuk i ndali duartrokitjet për disa minuta, e për të nderuar publikun për duartrokitjet, pianisti Clemens Rave dhe violinisti Visar Kuçi u kthyen përsëri në skenë dhe luajtën edhe një vepër të Beethovenit e cila titullohej Finale – Presto.

Pasi koncerti u përmbyll me një pritje tejet të mirë, violinisti Kuçi foli për KultPlus ku tregoi që veprat të cilat i interpretoi sonte, kishte pritur gjatë që t’i sjellë në një festival.

“Qysh në moshën 18 vjeçare kam pasur dëshirë ta luaj këtë vepër. Ky është programi që unë gjithmonë kam dashur ta luaj, por për të luajtur këso programesh të duhet një partner siç është Clemens, përndryshe është shumë vështirë, sidomos sonata e Bethovenit e cila është një ndër sonatat më të mëdha që konsiderohet edhe si koncert për violinë”, tha Visar Kuçi për KultPlus.

Ai tutje e vlerësoi lart festivalin Chopin Piano Fest, ku sipas tij organizatorët janë duke e bërë një punë të mirë dhe Prishtinës po i sjellin muzikantë të nivelit botërorë dhe gjithashtu po i bëjnë një promovim të mirë Kosovës.

Ndërsa për pianistin Clemens Rave të vish në Kosovë është një ndjenjë e mirë.

“Në Kosovë mbretëron një atmosferë e mirë, prandaj jam këtu. Sonte gjithçka shkoi mirë, duke filluar nga programi që përcjellë një ndjenjë shumë të mirë e duke vazhduar me publikun që ishin të mrekullueshëm. Jam i nderuar që marr pjesë në Chopin Piano Fest”, u shpreh pianisti për KultPlus.

Për të përcjellë nga afër këtë koncert, i pranishëm ishte edhe artisti Genc Salihu i cili vlerësoi kontributin e këtij festivali.

“Janë bërë 10 vite me këtë festival, një kontribut i jashtëzakonshëm, secilën natë ka muzicientë mjaft të shquar botëror. Një gjë e kam vërejtur, tri vitet e fundit ka pasur shumë festivale të mira, më në fund kam nis me pa të rinjë që po e përfaqësojnë muzikën klasike.

Festivali “Chopin Piano Fest” do të vazhdojë nesër mbrëma me koncertin e radhës. Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00, në piano do të luaj Ardita Statovci  dhe Ariane Haering./ F.Byqmeti / KultPlus.com

Të ngjajshme