Vlashent Sata, mbyll festivalin “Jazz Fest Tetova 2020”

29 Gusht, 2020 - 9:57 pm

Shkruan: Jesir Hoxha – Muzikolog

Rrjedha e koncerteve në edicionin e pestë të festivalit JazzFest 2020, ka qenë e përfaqësuar me tre mbrëmje të cilat mbanin peshë të rëndësishme artistike. Duke filluar nga data 25 deri më 27 gusht, në skenën e festivalit janë paraqitur grupe të ndryshme artistësh të cilët veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

Në një kuadër të tillë, mbrëmja e fundit e festivalit ishte e para parë për këngëtarin, pianistin e talentuar shqiptar Vlashent Sata.
Artdashësit Tetovarë, por jo vetëm, mirëpriten në shkollën e mesme të muzikës “Todor Skallovski Tetoec” talentin shqiptar sëbashku me muzikantët e tij si: Gent Rushi në fizarmonikë, Ermal Rodin në saksofon-klarinetë, Roni Gjura në kontrabas dhe bas kitarë si dhe Emiljano Dhimo në bateri.

Një ambient i ngrohtë, por jo edhe mjaft i rehatshëm për muzikantët, duke pasur parasysh epideminë globale që po kalon njerëzimi ata duheshin t’ju përshtateshin edhe këtij momenti kaq të pazakont. Ishte hera e parë që këngëtari Vlashent Sata kishte koncertin e tij për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Si rrjedhojë për këtë, ai ishte edhe i entusiazmuar që kishte ardhur në këtë qytet, duke treguar edhe dashurinë që kishte për qytetin, por edhe historinë e shqiptarëve që ai e kishte pikë të dobët.

Mbrëmja nisi me këngët dhe krijimet e vet këngëtarit Sata, që kryesisht janë krijime që ai i ka kompozuar dhe orkestruar për formacionin që përmendëm më sipër. Mënyra e këndimit që ky këngëtar shpreh në këngët e tij është nga ato mënyra që rrallë herë e shohim në skenat shqiptare. Me një timbër mjaft të butë dhe me një teknikë këndimi majft të avancuar, që kur vihen në bashkëveprim krijojnë korpusin e një këngëtari siç është Vlashent Sata. Prandaj, ai sot ka gjetur edhe shtegun e tij që ka depertuar aq shpejt, por edhe me aq cilësi të arrira artistike.

E vërteta është, që gjatë interpretimit të këngëve ai bën edhe improvizime të papritura, në disa raste të ndryshme edhe recitative duke shpreh ndjenjat në forma të tjera. Megjithatë, krijimet e tij gjithmonë janë të bazuara në historitë e tij intime, por edhe familjare që vet ai i shpjegonte gjatë rrjedhës së koncertit.

Ai ka kënduar majft këngë nga repertori i tij, por ndër to mund të theksojmë: “Copëzat”, “Me jetu”, “Erdhi Dita”, “Hana”, “Kaçurelat”, “Delja Rude” e shumë të tjera.

Mbrëmje të tilla, me artistë të tillë janë gjithmonë një hap i rëndësishëm për kulturën e vendit, por edhe rajonit duke krijuar miqësi artistike që këta këngëtarë mos ta harrojnë publikun jashtë trojeve të tyre.

JazzFest Tetova, tashmë ka krijuar identitetin si një festival që ka shije majft të theksuar artistike, që këtë më së miri e vërtetojnë artistët që ata ftojnë në skenën e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme