Vovka Ashkenazy & Luca Rasca, një duet virtuoz që e shndërroi skenën e ‘Chopin Piano Fest’ në një përjetim të paharrueshëm

24 Maj, 2025 - 8:08 pm

Era Berisha

Një mbrëmje e ngjizur me ndjenja të thella dhe interpretim të rrallë shpirtëror u zhvillua nën dritën intime të skenës së ‘Chopin Piano Fest’ më 22 maj, ku pianistët e mirënjohur Vovka Ashkenazy nga Islanda dhe Luca Rasca nga Italia sollën një duet pianistik që magjepsi publikun. Në një bashkëdyzim të përsosur, ata shpalosën një program të përzgjedhur duke sjellë një përjetim muzikor ku ndjeshmëria, dinamika dhe harmonia u ndërthurën në mënyrë mbresëlënëse. Performanca e tyre krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese, ku çdo tingull tingëlloi si një rrëfim i përbashkët shpirtëror, duke lënë një rezonancë të thellë në kujtesën emocionale të publikut. Ishte një mbrëmje ku muzika u bë gjuhë e përbashkët e shpirtit njerëzor, e udhëhequr nga duar mjeshtërore dhe zemra të ndjeshme, shkruan KultPlus.

Tashmë shtatë net me radhë, Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare është shndërruar në një strehë për dashamirësit e muzikës klasike, duke mbledhur rreth vetes një publik të larmishëm e të etur për përjetime artistike. Skena e përgatitur me përkushtim rrezatonte nën dritat e ngrohta që përqafonin çdo cep të saj me një ndjesi intime. Në sfond, logoja e festivalit shfaqej me krenari, duke e bërë të pamundur të mos ndjeje solemnitetin e momentit. Një atmosferë e ngrohtë dhe e përmbushur me emocion, ku prania e publikut dhe heshtja pritëse krijonin një tension të ëmbël, një paralajmërim i heshtur për bukurinë që do të sillnin në skenë dy artistët e mbrëmjes.

Koncerti i shumëpritur i dyshes pianistike ngjizi një tjetër kapitull të paharrueshëm në peizazhin muzikor të ‘Chopin Piano Fest’, duke e mbushur ambientin me tingujt e fuqishëm dhe njëherësh të ndjeshëm të veprave nga mjeshtrit e mëdhenj si W.A. Mozart, M. Ravel, R. Schumann dhe S. Prokofiev. Interpretimi i dy pianistëve me përvojë ndërkombëtare solli një ekuilibër të përsosur mes finesës teknike dhe shprehjes emocionale, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë të artit. Prania e një publiku të përkushtuar, që me entuziazëm përjetoi çdo moment, ishte dëshmia më e mirë e ndikimit të thellë që la ky interpretim virtuoz në zemrat e të pranishmëve.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila tregoi se kjo mbrëmje vjen në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë.

“Mirë se keni ardhur në mbrëmjen e radhës të këtij festivali. Kemi nisur një seri koncertesh të mrekullueshme, duke kaluar çaste të paharruara në mbrëmjet e kaluara. Sot, kemi ardhur në një pikë të veçantë ku, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, shënojmë një partneritet të shkëlqyer artistik”, ka thënë Luzha.

Ambasadori i ri italian në Kosovë, Maurizio Antonini i uroi organizatorët për këtë mbrëmje dhe për gjithë punën e tyre përgjatë tërë edicioneve të këtij festivali.

“Jam me padurim duke pritur fillimin e koncertit. Është një kënaqësi e vërtetë për mua që ndodhem këtu sonte, për ta hapur këtë koncert si pjesë e Festivalit Pianistik Chopin, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 15-të. Është një kënaqësi unike të jesh dëshmitar i artistëve të rëndësishëm që mirëpriten në Prishtinë. Ne jemi vërtet krenarë që kontribuojmë në këtë festival duke përkrahur koncertin dhe muzikantët e talentuar. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që përshëndes muzikantët, pasi që të dy janë artistë të rafinuar dhe e dinë mirë se çfarë është muzika në thelb. Muzika është një instrument i mrekullueshëm që krijon dialog ndërmjet njerëzve, përtej çdo kufiri. Së shpejti do të shpallim edhe ngjarje të tjera kulturore që do të mbahen në qytete të ndryshme të Kosovës.”

Në një mbrëmje ku heshtja e sallës fliste po aq sa tingujt që mbushnin hapësirën, dy pianistët, Vovka Ashkenazy dhe Luca Rasca, sollën një përjetim që kapërceu përmasat e zakonshme të interpretimit. Ata nuk ishin vetëm dy muzikantë përballë një publiku të etur për art — ata ishin dy shpirtra që komunikonin në heshtje përmes gjuhës së pianos, në një dialog që dukej se vinte nga një kohë tjetër, më e pastër, më poetike.

Koncerti nisi me delikatesën e “Sixteen Waltzes Op.39” nga Johannes Brahms – një përmbledhje që herë rridhte si një kujtim i zbehur dashurie dhe herë shpërthente si gëzim i papërmbajtur. Dueti i tyre sillte një balancë të mrekullueshme ku Ashkenazy me një butësi melankolike që dukej se vinte nga rrënjët e thella të trashëgimisë së tij, dhe Rasca me një prekje të kthjellët e të ngrohtë, që i jepte jetë ritmit me elegancë natyrore.

Më pas, në “Petite Suite L.65” të Claude Debussy, publiku u zhyt në botën impresioniste të tingujve të ujit, dritës dhe erës. “En bateau” përshkoi sallën si një valë e qetë e liqenit, ndërsa “Cortège” solli një lehtësi lozonjare. “Menuet” rridhte me një nostalgji të përmbajtur, dhe “Ballet” përfundoi pjesën me një shkëlqim që ngjante me rrezet e fundit të diellit mbi një kopsht francez.

Në “Fantasia for piano f-mol D.940” nga Franz Schubert, pianistët krijuan një univers të tërë, të pasur me emocione që kalonin nga ëndërrimi në dhimbje, nga shpresa në pranueshmëri. Kjo vepër u shndërrua në një udhëtim të thellë shpirtëror – një formë meditimi ku publiku ndiqte secilin variacion me frymë të mbajtur, sikur çdo frazë të ishte një fije e hollë që lidhte shpirtin e kompozitorit me të tashmen.

“Six Morceaux” të Sergei Rachmaninoff ishte një tjetër kapitull emocionues në këtë rrëfim muzikor. “Barcarolle” përhapi një melodi të lëngshme e të ëmbël, një lundrim në heshtjen e natës. “Scherzo” thërriste me energji të papërmbajtur, ndërsa “Thème Russe” rrënjosej thellë në një melankoli ruse që prek çdo pore të shpirtit. “Valse” shkëlqente me një shkëlqim të hirtë, nostalgjik, ndërsa “Romance” dhe “Slava” përmbyllën programin me solemnitet dhe ngrohtësi.

Duke u alternuar me finesë në tastierë, Ashkenazy dhe Rasca i dhanë çdo vepre një jetë të veçantë – si dy poetë që lexojnë të njëjtën poezi, por secili me nuancat e veta të ndjeshmërisë. Ishin momente ku duart e tyre gati preknin njëra-tjetrën, jo vetëm fizikisht, por edhe në përjetimin emocional të asaj që po ndodhte.

Mbrëmja nuk ishte thjesht një koncert — ishte një akt i thellë përkushtimi ndaj artit, një gjendje e përbashkët meditative ku publiku nuk ishte spektator, por pjesë e një frymëmarrjeje kolektive. Bashkimi i dy pianistëve solli jo vetëm interpretim, por edhe një formë të rrallë mirëkuptimi artistik që shpesh mungon edhe në bashkëpunimet më të ndërlikuara.

Kur heshtja e fundit ra mbi sallë, asnjë duartrokitje nuk dukej e mjaftueshme. Ishte një nga ato net që nuk përmbyllen me fundin e një note, por që zgjaten në kujtesë, në zemrën e secilit që kishte fatin të ishte i pranishëm. Vovka Ashkenazy dhe Luca Rasca nuk luajtën vetëm për publikun – ata luajtën për vetë muzikën, dhe e kthyen atë në dhuratë.

Për të treguar më shumë rreth koncertit, për KultPlus foli pianisti Vovka Ashkenazy për të cilin është hera e parë që performon në festival.

“Ishte një kënaqësi e madhe të luanim përpara një audience që me të vërtetë e vlerësonte muzikën, dhe isha shumë i lumtur me koncertin, për të cilin e di që edhe Luca Rasca ishte po aq i lumtur. Mendoj se arritëm të kapim bukurinë dhe dramën e të gjitha veprave që interpretuam, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme – të nderosh dhe të respektosh kompozitorët dhe muzikën e tyre të mrekullueshme, dhe ta ndash këtë me publikun”, ka thënë Ashkenazy.

Ndërsa, pianisti Luca Rasca për KultPlus ka treguar se është hera e parë e tij në Prishtinë dhe energjia e publikut ishte diçka ndryshe.

“Për mua kjo ishte hera e parë në Kosovë, dhe përvoja ishte vërtet e jashtëzakonshme. Publiku ishte i mrekullueshëm, po ashtu edhe akustika dhe cilësia e pianos. Fillimisht kishim disa shqetësime nëse gjithçka do të shkonte sipas planit, por ndodhi e kundërta – gjithçka funksionoi për mrekulli. Pjesët që interpretuam ishin të bukura dhe sfiduese, dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatin e këtij koncerti”, ka thënë Rasca.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 8 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tetë e këtij festivali vjen më datë 26 maj ku do të interpretojë pianisti ukrainas, Vadym Kholodenko në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme