‘Wonderwaves’ sjell këngën ‘Kona’, i dedikohet vrasjes së grave nga burrat zullumqarë (VIDEO)

16 Mars, 2021 - 1:24 pm

Jeta Zymberi

“Wonderwaves” që përbëhet nga Shpat Morina dhe Bajram Kafu Kinolli, autodidaktë të muzikës që tërhiqen e frymëzohen edhe nga melosi ballkanik, edhe nga ai modern, kanë sjell së fundmi këngën “Kona”, shkruan KultPlus.

E bazuar në një këngë të vjetër burimore të dasmave, “Kona” (në shqipen standarde këna, bojë dekorative që u vihej grave në kohën e martesës) është komentim emocional e i tendosur për marrëdhëniet martesore mes burrit e gruas, të cilat dijnë të jenë të pabarabarta e të dhunshme. Kënga veçanërisht prek mënyrën se si këto marrëdhënie të kobshme çojnë te vrasja e grave nga burrat zullumqarë, diçka që fatkeqësisht vazhdon të përsëritet kohë pas kohe në shoqërinë tonë.

Sipas krijuesve të këngës, “Kona” paraqet pamje të një të tashmeje që nuk shkrehet dot nga e kaluara — një e tashme që padrejtësisht i quan gratë qytetare të rendit të dytë të cilat meritojnë të përjetojnë dhunë.

“Kona” na nxit të mendojmë për një të tashme kur ballafaqohemi me djajtë e rrënjosun në kopshtin e shoqërisë sonë, në mënyrë që trashëgimia që do t’ua lëmë brezave të ardhshëm të jetë më e mbarë.

“Kona” është përvojë e njëmendtë: sinqeriteti dhe dhimbja që përmbahen brenda saj na shtyjnë të mendojmë, dhe ç’është më e rëndësishmja – me vepru.  

Miksimi dhe masterizimi i kësaj këngë është realizuar nga Tomor Kuçi, incizimi është bërë në Analog Studios, Prishtinë, ilustrimi dhe video animacioni nga Shpat Morina dhe koncepti i videos nga Berat Hasani

Më poshtë po ju sjellim edhe tekstin e plotë të këngës:

Ngjitet kona, more pika-pika

Sikur sonte, bajrak nër çika

Sikur sonte, bajrak nër çika

Ngjitet kona, o me pika të kuqe

sonte je te baba, nesër bohesh nuse

sonte je te baba, nesër bohesh nuse

Ulet nona bukë me honger

Ka metë sofra shpraztë, ah moj motër

se ty nuk t’ka moj motër

“Gjithë o kanë e shtypne. Si ka shku te ai burrë kurrë s’o kanë e lirë, kurrë s’o kanë e knaqne. Kurrë, kurrë, kurrë. Gjithë me lot, gjithë e rrehne, gjithë e shane. Gjithë o kanë e gazepit. Gjithë.”

Shtrëngon nona zemrën, me zor duron

Çikën e çoi nuse, e n’vorr e vajton

Zemrën e çoi nuse, e lule n’varr i çon

Ngjitet kona, pika-pika

Ka ardhë koha, me u mledhë çikat

ka ardhë koha, me u mledhë çikat

Ngjitet kona, pika-pika

Ka ardhë koha, me u mledhë çikat

ka ardhë koha, me u mledhë çikat. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme