Yje të skenës botërore ngjiten sot në mbrëmjen gala ‘Ramë Lahaj & Friends’, mbi 2500 bileta të shitura

31 Korrik, 2022 - 4:53 pm

Flonja Haxhaj

Pas dhjetë ditësh festival, me shumë koncerte e punëtori të ndryshme, sot përmbyllet ‘Rame Lahaj international Opera Festival’. Ky festival do të kurorëzohet me koncertin ‘Ramë Lahaj & Friends’ i cili do të mbahet në sheshin ’Skëndërbeu’ në Prishtinë ku do të performojnë artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, përcjell KultPlus.

Për t’i paraprirë këtij koncerti, sot ‘RLIOF’ ka mbajtur një konferencë, ku përveç organizatorëve ishin të pranishëm edhe artistët që do të ngjisin skenën në natën e sotme.

Hapjen e konferencës e bëri koordinatorja artistike e këtij festivali,Ulpiana Alijaj, e cila fillimisht shprehet e lumtur për prezencën e të ftuarës speciale, sopranos, Pretty Yendee.

“Në të gjitha këto mbrëmje keni mundur të shijoni gjithëpërfshirjen e publikut, keni mundur të shijoni një muzikë shumë të larmishme por patjetër që ajo çka sot konkludojmë është pikërisht galaja ‘Ramë Lahaj & friends’, ku jemi vërtet të nderuar të këmi si përfaqësues të skenës botërore duke nisur pikërisht nga sopranoja Pretty Yendee, orchestra e dirigjiar nga mjeshtri Valerio Galli, kemi baritonin Franco Vassallo, kemi pjesëmarrjen shumë të veçantë të këngëtares Erza Muqolli, kemi pjesëmarrjen e sopranos Anna Bondarenko, e cila vjen ekskluzivisht nga Ukraina dhe që është një pjesë shumë e veçantë e festivalit të natës së sotme  dhe sigurisht edhe maestro Jean Bernard Thomas i cili ka patur një punë shumë intensive përgjatë këtyre ditëve”, u shpreh Aliaj në fjalimin hyrës.

Më pas, fjalën e mori i pari i këtij festivali, Ramë Lahaj, i cili falënderon të gjithë ata që e përkrahën dhe e bënë të mundur mbajtjen e këtij festivali e së sipas tij që do të ndihmojë në krijimin e një culture operistike në Kosovë.

“Ajo që unë e ndjej dhe ajo që më bën krenr është që kjo gala quhet ‘Ramë Lahaj & friends’ që do të thotë që të gjithë këtu janë miq për mua, dhe kjo nënkupton shumë më shumë sesa vetëm të bërit një concert, shumë më shumë se sa të bërit një festival sepse i kam vënë vetes një qëllim bashkë me kolegët e mi për të krijuar një kulturë operistike edhe në Prishtinë edhe në Kosovë.”, u shpreh mes tjerash Ramë Lahaj.

Mbështetëse shumë e madhe e mbajtjes së këtij festivali këtë vit ishte edhe Komuna e Prishtinës, e në veçanti kreu i saj, Përparim Rama, i cili ishte i pranishëm në panelin e kësaj conference.

“Sot është nata përmbyllëse, pra , nata gala në sheshin ‘Skëndërbeu dhe përmbi 2500 bileta janë shitur për natën e sotme që do të thotë se ka nevojë të madhe për ngjarje të tilla, pra ka nevojë Prishtina që të transformohet në një kryeqytet të artit.”, deklaroi Rama.

Fjalën e mori edhe e ftuara special e kësaj mbrëmje e cila pranoi të jetë pjesë e festivalit pak ditë më parë. Ajo e përshkruan si një befasi ftesën që i erdhi nga Ramë Lahaj, që ajo të perfomojë në Kosovë për herë të parë.

“Ramë më pyeti se si jam dhe menjëherë me ftoi të vij në Kosovë për t’u bërë pjesë e koncertit pasi kishte nevojë për mua dhe unë pranova t’i ndihmoj mikut tim të vjetër”, deklaroi Yende, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, dirigjenti italian, Valerio Galli, thotë se ndjehet tejet falënderues për këtë organizim të cilin ai e quan fantasik dhe që jo shpesh mund të gjendet kudo nëpër opera apo koncerte të tilla.

“Koncerti i sotëm do të ketë shumë repertory sepse do të kalojmë nga  Mozarrt, Rossini, Puccini , të gjitha këto muzikë të mrekullueshme shqiptare, kështu që për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë që të njihem nga afër me këtë lloj muzike.”, u shpreh Galli ku ndër të tjerash tha që ndjehet i privilegjuar që do të performojë në një skenë me artistë të këtij kalibri.

Kurse baritonit, Franco Vassallo, iu desht një shikim në sy i Ramë Lahajt për të marrë vendimin për të ardhë në Kosovë krahas thirrjes së tenorit kosovar që duhej të vinte sepse publiku këtu është i hapur dhe entuziast ndaj pritshmërisë së kësaj muzike.

“Përmes shikimit të tij më rikujtoi që melodrama në Itali sot është bërë me të vërtetë një zhanër i cii konsiderohet pak snob për të treguar ndonjëherë në lloj klasi social, por kur në të vërtetë në lindjen e Verdit viheshin në skenë operat e tij si ‘Nabuko’ të cilën do ta kemi edhe sot në mbrëmjen tonë, melodrama ishte një spektakël i popullit dhe për popullin sepse përfshinte një entuziazëm të tillë të cilën tash e përceptoj këtu, dhe kjo është diçka shumë e bukur.”, tha Vassallo sot në konferencën e ‘RLIOF’”

E sigurisht që nuk mund të mungonte ai që dha shumë nga vetja për gjatë këtyre 10 ditëve të festivalit, mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas i cili ritheksoi që është shuëm i lumtur që i kaloi 10 ditë ktu.

‘Jam shumë i lumtur që do të performoj sonte dhe do të bashkëpunoj me artistë të mrekullueshëm si Ramë, Franco dhe Pretty sepse e njoh atë si një profesioniste të shkëlqyer dhe shpresoj që do të jem i ftuar edhe në vitin e ardhëm.”, tha Bernard Thomas.

Sivjet, pjesë e këtij edicioni të ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ është edhe këngëtarja shqiptare, Erza Muqolli e cila ndonëse e re në moshë, ka shënuar suksese të mëdha në fushën e muzikës ndërkombëtare.

“Për mu është shumë kënaqësi me qenë në këtë festival, sepse me ardhe edhe me perform në vendin tim s’ka më mirë”, tha Erza duke falënderuar Ramën që e ka bërë pjesë të këtij festivali.  

E pranishme në këtë konferencë ishte edhe sopranoja ukrainase Anna Bondarenko, e cila dëgjoi për këtë festival pasi u largua nga lufta në vendin e saj dhe erdhi në Evropë.  Ajo falënderon publikisht Ramë Lahajn për ftesën.

Koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ fillon nga ora 20:30./ KultPlus.com

Të ngjajshme