‘Zanat’ dhe Kori ‘Siparantum’ dëshmuan veten para publikut të Prishtinës

5 Tetor, 2018 - 10:06 am

Gili Hoxhaj

Prishtina International Vocal Festival mbrëmë shënoi natën e dytë koncertale në Amfiteatrin e Ri të Bibiotekës Universitare, prej ku u dëgjuan zëra të njohur nga Kosova.

Ansambli “Zanat” u ngjit për herë të dytë brenda këtij viti në skenën e sallës.

Që në pozicionimin e tyre në skenë rrëmbyen duartrokitjet e publikut për veshjet e tyre me elemente kombëtare, duke treguar qysh në fillim edhe për përmbajtjen e këngëve . Ansambli “Zanat” u themelua në fund të vitit 2017 dhe që atëherë po vazhdojnë të ngjallin këngët e vjetra shqipe, të pakënduara për një kohë të gjatë.

Me paraqitjen e tyre të parë në Beograd në Festivalin “Mirëdita, dobar dan” ato ishin rikthyer nga publiku përmes duartrokitjeve. Ndryshe nga herët tjera, ky koncert i ansamblit “Zanat” erdhi e u mbyll pa instrumente muzikore duke e lënë publikun të përqendruar vetëm në zërat e tyre.
“Mirë mrama” me kompozim të Lorenc Antonit hapi mbrëmjen. Dy shami të kuqe të ngjitura pranë mbajtëses së partiturave ishin elementet e dasmës, e cila dukej se po hapej me këtë këngë. Pas dy veprave të tjera, sopranot Adelina Thaçi- Meta dhe Elida Kryeziu vendosën mbi kokë shamitë e kuqe, duke filluar kështu vajtimin e natës së kanagjegjit së bashku me zërat e Arstina Kadiut e Albana Piperkut, zërat e tyre që kumbonin në këtë vajtim u përcollën me zërin e Diellza Sylejmanit, të përcjellë më pas nga ai i Adelina Thaçit duke e sjellë interpretimin e tekstit tek publiku.
Kjo këngë mbrëmë erdhi e aranzhuar nga Kushtrim Gashi, pasuar nga vepra tjetër po ashtu e këtij kompozitori “Po vijn’ krushqit”, e për tu larguar nga skena me këngën “Sa bukur” të aranazhuar nga kompozitori Memli Kelmendi. Gjithë kjo përmbledhje mes zërave të veçantë të këtij ansambli që nga përshëndetja e pritjes së mysafirëve në shtëpi e deri tek himnizimi i nuses, solli ceremoninë e dasmës përmes lidhjes interpretuese të këngëve.

Diellza Sylejamni- Veseli nga ansambli “Zanat” tregoi se disa nga veprat janë shkruar detajisht për këtë ansambël ndërsa përmes këtij konceti kanë pasqyruar ceremoninë e dasmës.
“Këto këngë janë të porositura veçmas për këtë festival nga organizatorët e festivalit të cilët na kanë bërë ftesën. Kompozitorët e rinj si Memli Kelmendi, Kushtrim Gashi e Hajrullah Syla i kanë përpunuar këto këngë të rëndësishme për traditën tonë. Koncerti ynë ka pasqyruar ceremoninë e dasmës që nga kënga e parë deri në përmbyllje me këngën “Sa bukur na ka dalë nusja”. Duket sikur jemi risi në komunitetin tonë dhe programi atraktiv po bën që publiku të na mirëpres dhe ne po ndihemi shumë mirë”, u shpreh mëzo-sopranoja Diellza Sylejmani- Veseli.

Kori “Siparantum” erdhi për të dominuar pjesën më të madhe të koncertit dirigjuar nga dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi. Kori Siparantum u themelua në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Kori u krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme për të dhënë dashuri, besim dhe shpresë duke i kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës.

Me lëvizje në skenë e gjestikulacion të pasur ata përmbyllën programin e tyre mjaft të ngjeshur e atraktiv me vepra të kompozitorëve të huaj. Vepra e Edward Boatner e aranzhuar nga Jospine Poelitinitz erdhi me vokal të Erijon Palucaj e përcjellë nga Arita Bajraktari. Vepra e njohur “Bohemian Rhapsody” erdhi pothuajse në fund të programit, me solist Matej Karaqi e përcjellë në piano nga Agron Shujaku. Me duartrokitje, lëvizje poshtë skenës dhe lart, përkulje e vrapim, “Siparantum” dëshmoi veçantinë e vet e Memli Kelmendi duke U bërë pjesë e këtyre lëvizjeve në përfaqësim të veprave dëshmoi se nuk është nga ata dirigjentët klasikë që dirigjimin e udhëheqë vetëm përmes duarve.

Kelmendi tregoi se katër vepra janë përgatitur enkas për këtë edicion të festivalit ndërsa tha se që në fillim të krijimiT të korit kanë tentuar të sjellin diçka krejtësisht ndryshe, edhe skenikisht duke përfshirë në program vepra moderne dhe duke iu përshtatur atyre. Kelmendi i cili është edhe dirigjent permanent i korit “Siparantum” pohon se kjo nuk është aspak e lehtë dhe për këtë i falënderohet “Siparantum” që në formë vullnetare, me sakrificë të madhe mundohen t’i ruajnë vlerat shqiptare.
“Duke qenë se veprat në program janë vepra moderne, as unë s’mund të qëndroj indiferent, pra nuk mund të dirigjoj ndryshe sepse janë vepra të tilla dhe skenikisht mundohem t’i realizoi në atë mënyrë. Ne i jemi shumë mirënjohës Hajrullahut për ftesën dhe kjo është më e mira, kur dy dirigjentë bashkohen dhe e përkrahin punën e njëri-tjetrit”, u shpreh Kelmendi për KultPlus.

Salla e mbushur plot priti dhe përcolli me shumë duartrokitje të dy paraqitjet në skenë, duke dëshmuar interesimin për koncerte të tilla. Në mesin e atyre që kishin ardhur për ta ndjekur festivalin ishte dhe kontratenori Safet Berisha, i cili tha se të dy koncertet ishin të veçanta.
“Ansambli “Zanat” për mua janë një ansambël i veçantë me këngë të traditës tonë shqiptare dhe ishte mjaft aktrakitv. Po ashtu dhe performuesit e koncertit të dytë sonte dëshmuan punën e tyre të vazhdueshme dhe me të vërtetë na kanë befasuar për të mirë dhe kjo është si nismë e mirë që të ketë kore edhe në qytete të tjera jashtë Prishtinës”, u shpreh Berisha për KultPlus.

Mbrëmja e radhës pritet të mbahet me datë 6 tetor, ku në skenë do të paraqitet kori i femrave nga Shkupi me dirigjent Sasho Tatarchevski. Koncerti do të mbahet tek Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Të ngjajshme