“Zanat” do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin e Ansambleve në Mal të Zi

29 Janar, 2019 - 10:12 pm

Ansambli vokal “Zanat” me datë 2 Shkurt do të marrë pjesë në Festivalin “Nata Internacionale e Ansambleve në Mal te Zi”, i cili mbahet në Podgoricë ne Qendrën Kulturore Informative “Budo Tomovič”, shkruan KultPlus.

Ansambli “Zanat” është formuar vitin e kaluar dhe përbehet nga  anëtaret e solistet e Filharmonisë së Kosovës. Ansambli i përbërë nga Adelina Thaçi- Meta, Elida Kryeziu- Hoti, Diellza Sylejmani, Arstina Kelmendi, Albana Piperku ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e muzikës shqiptare.

Elida Kryeziu-Hoti ka shpjeguar për KultPlus se në këtë festival marrin pjesë shumë ansamble nga vende të ndryshme, ndërsa tha ndihen të privilegjuara që edhe ato kanë marrë ftesë për të prezantuar Kosovë në këtë festival, ku për herë të parë do të dëgjohet kënga shqipe.

“Per këtë fesitval kemi marrë ftesën nga organizatorja e ketij festivali Izedina Adzovits Skrijelj, jemi të lumtura që do ta prezantojmë duke e ditur që në këtë festival  asnjëherë nuk është kënduar shqip. Aty do të këndojmë  dy këngë, këngën “Kaçurrelat e tu” dhe  “Një lule””, ka treguar Kryeziu- Hoti.

Ato tashmë janë dëshmuar edhe në Festivalin “Mirëdita Dobar Dan” që është mbajtur vitin e kaluar në Beograd, ndërsa kanë debutuar në Festivalin Ndërkombëtar “DAM” në Prishtinë, si dhe kanë qenë pjesë e njërës nga mbrëmjet koncertale të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit “Prishtina International Vocal Festival”.

Paraqitje e tyre në Mal të Zi do të bëhet këtë të shtunë, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme