“Zbulohet” kënga fituese e Festivalit në RTSH?

31 Tetor, 2017 - 8:53 pm

Nga Kozeta Kurti

Hëëëë, u bëtë kuriozë e? E klikuat menjëherë! Madje para se të klikoni, thatë: ah, s’ka për t’u bërë ndonjëherë ky vend. Gjithmonë kështu ndodh. Shiten për pak gjë etj etj.

Ju kujtohem unë? Unë jam Kozeta Kurti, që dhjetë muaj më parë kritikova Festivalin e vitit të kaluar. Pak u morën me atë që kisha shkruar dhe pjesa tjetër u mor se si e gjeta unë kurajon në kritikoja produktin më të rëndësishëm të institucionit ku punoja e merrja rrogën. Por unë prita të ndodhte gjithçka e të bëja një analizë të argumentuar; nuk piva kafe turke e përmbysa filxhanët për të parashikuar të ardhmen, ndaj të dashur kolegë të mediave, mos ja prishni qejfin, dëshirën Arilena Arës dhe shoqeve e shokëve të saj, duke i përmendur si pjesëmarrës të mundshëm në Festival, e si lobues për të qenë fitues. Kjo nuk është as strategji menaxheriale, asgjë, përkundrazi. Të vjen Krasta e ta plas live në sallë e në transmetim direkt, nëse konstaton shkelje e hile dhe të pozicionohet kundër këngës që fiton pa të drejtë. (e ka deklaruar vetë në mjedise të brendshme të RTSH dhe unë mbaj përgjegjësi 100 % për këtë)

Thashetheme korridoresh e dëshira të shprehura, ndoshta unë kam dëgjuar më shumë se gjithësecili prej kolegëve të mi, për pjesëmarrjen e mundshme të Redon Makashit, Aleksandër Gjokës, Elton Dedës, Kamela Islamajt, Era Rusit etj, por nuk flas. Nuk flas ende, sepse nuk është koha.

Unë Festivalin e kam dashur që kur isha ende fëmijë dhe jam e lumtur që këtë vit jam pjesë e një grupi pune që po e bëjnë Festivalin për qejf e nuk i intereson aspak se kush fiton, ndaj dhe është bërë përpjekje nga gjithesesili për të afruar në këtë garë kënge emra të njohur krijuesish e interpetuesish; për të kthyer së pari besimin dhe pastaj edhe për të prodhuar disa këngë të mira. Një vend të parë ka e ai s’mund të ndahet në aq emra sa do të vijnë në Festival. Ajo që më pëlqen këtë vit, është se asgjë nuk lind e vdes në korridoret e RTSH-së. Këngët do të bëhen të njohura për publikun nëpërmjet një rrjeti radiosh, të cilat do t’i bashkohen festivalit këtë vit, si IN Radio, City Radio, Club FM, NRG Radio, gjithçka do të jetë e hapur dhe e njohur për publikun, në mënyrë që në tre netët e Pallatit të Kongreseve ai që do të vijë, ta dijë se çfarë e pret dhe ai që s’do jetë në sallë, s’do vijë se nuk i ka pëlqeyer ajo që mund ta priste, por jo sepse s’kishte dijeni se çfarë do të ndodhte.

Këtë vit jam lidhja midis festivalit e opinionit publik; jam përfaqësuesja për shtypin e marrëdhëniet publike, jo për të zbukuruar e për të ndriçuar atë që është e zbehtë dhe e errët, përkundrazi, për ta evidentuar atë edhe më shumë, me zë më të fortë, në mënyrë që të bëhet nesër më mirë. Ja pse këtë vit do të ketë një post festival, ku të gjithë do të munden të thonë në mënyrë të arguementuar atë që duan të thonë; të kritikojnë e të nxisin debat sepse debati sjell zhvillim. Boll më me qoka për njëri-tjetrin. Të paktën të na jepet mundësia të flasim…se çfarë flasim e cfarë kurajo kemi secili, kjo është punë tjetër pastaj…

Ngadale ngadalë, ppas datës dhjetë nëntor do të bëhen me dijë konkurruesit, pastaj të ftuarit, elementet skenografikë e gjithçka që publiku duhet të dijë…

Por prisni! Mos nxisni histeri kolektive me fitues të mundshëm sepse u bëni dëm artistëve, dhe mbi të gjitha, nëse vetë artistët e shohin këtë si strategji marketingu, bëjnë mirë ta ndryshojnë, sepse si përdorues të mirë të rrjeteve sociale që janë, ata e dinë pasojnë e efektit “boomerang”.

Të ngjajshme