110 vjet më pas, të pathënat e Kongresit të Manastirit

3 Dhjetor, 2018 - 11:00 am

Shkruan Xhevat Lloshi

Ngjarjet madhore nganjëherë rrëfehen si histori rozë për gocat. Një nga arsyet është se vështrohen të shkëputura nga rrethanat reale të njerëzve që marrin pjesë, nga marrëdhëniet ndërmjet tyre, nga karakteret, nga interesat materiale dhe nga ambiciet e tyre, që të gjitha pjesë e natyrës njerëzore, e cila për më tepër është në një ecuri me ndryshime në rrjedhën e kohës, sepse në fund të fundit njerëzit nuk janë shenjtorë e do të shtoja, se vetë shenjtorët nuk kanë qenë edhe aq të shenjtë.

Me Kongresin e Manastirit për shembull, të cilit sapo i festuam 110-vjetorin, lidhen dy emra të njohur njerëzish realë.

Rrëfimi nis pak më herët sesa viti 1908.

Në faqet e “Albanisë” që e botonte Faik Konica nga viti 1897, kishte nisur një debat, në të cilin autorët shprehnin parapëlqimet e tyre kundrejt alfabeteve. Kjo ka rëndësi për të ditur se me çfarë pikëpamjesh do të vinin në Manastir delegatët. Vetë Konica ishte kundër alfabetit të Stambollit dhe nuk pëlqente as alfabetin e autorëve të vjetër, por anonte më shumë nga ai i Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës.

Meqë mëtonte (nr. 7, 1897) se nga 387 letra të ardhura për revistën, vetëm 103 ishin me alfabetin e Stambollit, u detyrua Mit’hat Frashëri t’i përgjigjej (nr. 10), se përkundrazi, ky ishte më i miri, më i bukuri dhe pa asnjë të metë, prandaj nuk kishte lëkundje për ta bërë të pranuar nga të gjithë alfabetin e Stambollit. Dy qëndrime ashpërsisht të kundërta ishin përvijuar pa u mbyllur shekulli XIX.

Idenë përbuzëse për shqiptarët, se nuk do të ishin vetë në gjendje të përcaktonin alfabetin përfundimtar, Konica e ka vënë në zbatim, duke u dërguar një letër frëngjisht (nr. 6, 1898) albanologëve që të jepnin një mendim, por i përjashtonte shqiptarët e Italisë, që të ndërhynin për këtë çështje.

Iu drejtua 15 të huajve. (A nuk thonë ca e ca edhe sot, se historinë duhet të na e shkruajnë të huajt?) E pranonte se mbledhja e një kongresi nuk ishte e lehtë dhe u parashtronte tri pyetje paraprake: a duhen pranuar shkronjat dyshe; a mund të pranohen njëkohësisht shkronjat njëshe dhe dyshe; a do të kishte një pamje të keqe, nëse zbatoheshin bashkëtingëllore prej disa shkronjash. Përgjigjet kanë ardhur duke nisur në nr. 7 me gjuhëtarin e njohur francez M. Brealin, i cili me delikatesë i ka vënë në dukje, se në këtë fushë nuk ka zgjidhje tërësisht logjike.

Nuk po i paraqes mendimet e gjithë të tjerëve edhe te numri 10, meqë dalin gjëra të njohura, si: lehtësia për gjetjen e shtypshkronjave; nuk ka alfabete që të përputhen plotësisht me shqiptimin, madje po të synojë alfabeti të paraqesë gjithë nuancat e shqiptimit, do të bënte shumë më keq sesa më mirë. Përgjigjet janë mbyllur në nr. 10.

Propagandimi i alfabetit të revistës së vet dhe atij të Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës është diçka e kuptueshme dhe e pranueshme, mirëpo njëkohësisht Konica sulmonte pa dorashka gjithë të tjerët, duke e zbuluar haptas synimin mburravec për t’u imponuar pa i zgjedhur fjalët.

Është fakt i padyshimtë, se qeveria osmane më 1898 kishte ndaluar me urdhër hyrjen në Shqipëri të çfarëdo libri me alfabetin e Stambollit, ndërsa Faiku në nr. 1 të revistës për vitin 1902 alfabetin e Stambollit, të cilin e mbronte Frashëri, e quante “turk-moskov”, “të ndyrë në të pamë”, që e përdorin “nja 10 zaptieh këmbëqelbur të Toskërisë”; na ishte alfabet “i memurëve dhe i zaptiheve, i harbutëve e i ylefxhive, me hije aziatike, i egër”. Që në vitin e parë (nr. 7) pasi e fajësonte alfabetin e Stambollit, se i kishte rënduar të metat e gjithë alfabeteve të tjera, vijonte me një pohim nihilist: “çështja e shkrimit të shqipes do të zgjidhet vetëm kur të ndodhë një ndryshim politik në Shqipëri.”

Ky ishte një pohim më e pakta naiv, sepse shqiptarëve alfabeti i përbashkët u duhej pikërisht si një ndër mjetet për të luftuar që të ndodhnin ndryshime politike të statusit të Shqipërisë, ndërsa po të arrihej pavarësia, do ta humbiste mprehtësinë e vet dhe do të ishte thjesht punë e orientimeve kulturore dhe e teknikës tipografike; rrjedhimisht, çështja shtyhej për një të ardhme të paqartë dhe nuk shfaqej asnjë hije për ndonjë kuvend.

Konica ishte kundër mendimeve të ndryshme rreth alfabetit, sepse e quante zgjidhjen e vet si më të mirën. Në nr. 9 të vitit 1905 e vlerësonte se kishte ardhur koha t’u jepej fund bisedimeve dhe të vendosej ai i Bashkimit me disa ndryshime për ta afruar me të vetin. Madje në atë vit e ka quajtur të pamundur një mbledhje të përgjithshme.

Në numrin 4 të revistës për vitin 1906, pasi gëzohet për përparimin e abëcësë së Bashkimit, meqë e përdornin ’Kombi’ i Bostonit dhe ‘Shpresa’ e Raguzës, Konica shfren sërish kundër alfabetit të Stambollit, e quan helm, abëcë sllavishte të memurëve. Dhe vijon me sarkazëm të hidhur: “Anëtarët e kësaj abeje kanë themeluarë një mënyrë feje, me hierarkië priftore, me theologë, me predikonjës e me kanune-kishe.

Pontifi i lartë është një Lumo Skëndo, edhe krye-përvendësi i tij është Kristo Luarasi” etj., etj. Më tej, me inatin kundër Frashërllinjve, degradon në sharje edhe kundër Naim Frashërit si “pontifi i lartë i tyre” i mëparshëm, dhe: “A nuk është vërtet se, si në të shkruar si në të folur, fanatikët i jipjin Naimit titullin “Shënjt”?” Cilësimin ‘memurë’ e ka shpërdoruar sërish në nr. 6 me një artikull të gjatë “Themeli i çdo përparimi edhe çështja e abesë”. Sipas tij, anëtarët e Shoqërisë së Stambollit, “me kuximin e të paditurve dhe të shtazave, nxuarnë alfabetin më të përzjerë e më të çuditshëm të botës”, ndërsa e përsërit fyerjen “shtazat e huqumetit.” Sa për veten, lëvdohet se ”unë hodha të parën urë kombëtare në mes të Gegëris’ e të Toskërisë”.

Më vonë do të përqeshte fjalinë e shqiptuar në materialet e Kongresit të Manastirit, në të cilën përmendej termi “tradhtarët”, por është ai vetë që këtu ka shkruar: “ka gjëra me të cilat është një mënyrë tradhësie të lozim.” Me një vetëbesim kapadaiu ka shtuar se: “Një alfabet i ri nukë ka për të mbyllur, po për të shtuar çarjet”. Historia, me alfabetin e Kongresit të Manastirit të cilin e përdorim edhe sot pas 110 vjetësh, vërtetoi krejt të kundërtën.

Nuk mbeten dyshime, se Konica nuk bënte pjesë në mendimtarët rilindës, të cilët “u bënin thirrje gjithë shoqërive gjuhësore dhe ‘shkronjësve’ të gazetave shqipe, që të ‘arrinin një marrëveshje e të pranonin një alfabet të njëjtë për shkrimin e shqipes”, siç shkruanin Sh. Demiraj dhe K. Prifti në revistën “Gjuha jonë” (nr. 1-4, 2008, f. 102), duke cituar si të parin një artikull të ‘Albanisë’ te nr. 7, 1897. Në këtë artikull “Puna e letrave”, qysh në krye Konica shan alfabetin e Stambollit dhe të Bukureshtit se kanë shkronja të liga dhe pa vlerë, madje të huajt u tallkan me ne.

Nga ana tjetër, lëvdon alfabetin e revistës së vet dhe beson se po të merret vesh me disa mëmëdhetarë dhe të pyesë katër albanologë, alfabeti i tij do të rrënjoset e do të bëhet i përgjithshëm. Premton se në numrin pasues do të paraqesë “shkake të thella” për mbështetjen e vetvetes. Po në këtë numër 7 e rimerr subjektin në artikullin frëngjisht La question de l’écriture albanaise. Në numrin pasues 8, sërish vetëm frëngjisht, asnjë shkak të thellë nuk ka aty, ndërsa rimerret ideja se alfabeti përfundimtar duhet të arrihet edhe me ndihmën e albanologëve seriozë. Njësoj nuk qëndron pohimi i N. Dervishit në librin “Manastiri vatër e Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (2018), se Faik Konica ishte “një ndër personalitetet që aq shumë kishte lobuar për thirrjen e një kongresi për unifikimin e alfabetit shqip”, sepse asnjë ‘lobim’ i tillë nuk vërtetohet.

Megjithëse F. Konica nuk mori pjesë, Kongresi i Manastirit u bë edhe pa qenë një ndër ‘yjt e Shqipërisë së sotme”.

“Albania” e shënon numrin 5 si të vitit 1907, ndërsa është e qartë se ai numër ka dalë në fund të vitit 1908. Në rubrikën “Dyke qarë e dyke qeshur” ka një syth: “Kongresi i Abecesë”, ku me të tallur njoftohet, se më 1 nëntor 1908 do të mbahej Kongresi për “një abe të perëndishme”.

Sythi është pa emër. Më vonë, në numrin e fundit, saktësohet se u harrua, që të shënohej se sythi ishte nga Pesimisti, domethënë Fan Noli, i cili gjithashtu nuk kishte marrë pjesë, po sidoqoftë ka shkruar me pseudonim, sepse ftesa i është bërë. Rrjedhimisht, nuk është e vërtetë se ai bënte pjesë ndër të shquarit e paftuar, siç do ta formulonte Konica: “armiqt’ e qytetërisë dhe të njerëzisë, me dinakërin’ e zakonëshme t’Anadollakëve, nuk ftuan as një kombëtar të njohur si të këtillë”.

Nuk kam gjetur ndonjë reagim tjetër nga Fan Noli për Kongresin e Manastirit, përveç përgjigjes ndaj ftesës, por është fakt, se “Dielli” (3 shtator 1909) ndonëse përmendte kritikat për Kongresin, shprehte besimin se do të mbetej vetëm alfabeti latin dhe nga nr. 3 ai nisi të përdorte alfabetin e ri dhe, besoj, këtë e ka bërë Fan Noli.

Më poshtë po në atë numër të fundit të vitit 1908 dhe jo 1907, në faqen 98, nën titullin “Kongresi i Shqipëtarëve Xhon-turq”, Faik beu ankohet, se i kishin bërë ftesë vetëm në orën e fundit për këtë të “vetëthënë kongres”. Pason përgjigjja nga Manastiri, e nënshkruar nga vëllai i Gjergj Qiriazit, Kristoja, siç shihet, për sekretarin N. Naçi. Nga llogaritja e datave më del se ftesa i është dërguar në fillim të tetorit. E si mund të dërgohej më parë? Një ftesë e botuar nga Arkivi Qendror për një ‘arësimdashës” është e 23 shtatorit.

Një tjetër për shqiptarët në Fajum është e 24 shtatorit. Vetë ftesa për Th. R. Hoxhsonin, përgjegjësin e Shoqërisë Biblike Britanike në Stamboll është e datës 27 shtator, domethënë ka ndryshim gjithsej prej disa ditësh. Dihet se mundësia që shqiptarët të vepronin hapur u krijua vetëm pas shpalljes së Kushtetutës më 23 korrik 1908, madje me pjesëmarrjen vendimtare të shqiptarëve, prandaj vendimi nga Klubi i Manastirit për të mbajtur Kongresin është shpallur vetëm më 27 gusht dhe e parashikonte konkretisht, që do të ftoheshin autorët e njohur edhe nga Amerika.

Letra e Kristos për Konicën është me shumë mirësjellje, e cilësuar si e veçantë për Faikun, i cili renditet ndër njerëzit “nga të parët ndë këtë punë”. Përgjigjja e Faikut është duke shtrembëruar datat dhe shumë fyese për Kriston, meqë nuk ia paskan dërguar njoftimin të parit atij, sepse ai e ka “më të vjetrën fletë shqipe”. Edhe kjo ishte thjesht një e pavërtetë, ndërsa pjesëmarrësit i quan “pilafçinj turq” dhe “këmbëlëpinjës të krishterë”.

Dihet se në një dorëshkrim të fundit të shek. XIX Konica e kishte mohuar gjithë punën rilindëse përpara tij dhe mëtonte se gjithçka kishte filluar me të, domethënë edhe shtypi shqip. Aty ka edhe pasaktësi qesharake, sepse si është e mundur që më 1899 të shkruhej, se Gjergj Qiriazi kishte botuar një libër aritmetike me pseudonimin Thanas Sina, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 1898 ishin botuar shqip vetëm nja 17 libra, ndër ta dhe ”Numëratore” e Sinës.

Në të vërtetë Konica prej kohësh ishte shprehur, se nuk duhej një mbledhje e përgjithshme. Te po ai numër i vitit 1908 (jo 1907) e kishte shkruar me tallje në kohën e ardhshme të foljes, se do të bëhej Kongresi, por e paska harruar ca faqe më poshtë se tashmë kongresi ishte bërë, kur ai numër i revistës është shtypur.

Kongresi i Manastirit u hap më 14 nëntor 1908. Delegatët me të drejtë vote u mblodhën në një sallë veçan dhe me vota të fshehta zgjodhën drejtuesit e punimeve: kryetar M. Frashëri, nënkryetarë L. Gurakuqi e Gj. Qiriazi dhe 3 sekretarë. Kryetar nderi u zgjodh valiu i Manastirit, Hivzi Pasha, ashtu siç e kishte programi, për të mos pasur ndonjë fërkim me autoritetet vendëse. Meqë nuk kishte ardhur Mit-hat Frashëri, u votua ta zëvendësonte Gjergji për kohën që do të mungonte. Duket sikur çdo gjë kishte nisur mbarë.

Mjaft përralla tonat mbarojnë me shprehjen: “Dhe rruan e trashëguan”. Kurse mua më duket se përralla pikërisht atëherë fillon. Domethënë, askush deri më sot nuk ka shprehur ndonjë arsye as ato ditë dhe as më vonë: Përse nuk kishte ardhur M. Frashëri ditën e parë? E kërkonte etika më e thjeshtë, që kur erdhi, ai të jepte një shpjegim përpara gjithë atyre shqiptarëve.

Dita e shtunë për hapjen ishte caktuar pikërisht sepse nuk paraqiste pengesa për nëpunësit shtetërorë dhe ishte pas së premtes të myslimanëve. Faktikisht M. Frashëri ishte nëpunës osman, përkthyes i vilajetit të Selanikut. Mbetet vend për hamendësimin, se ai qëllimisht nuk u paraqit dhe priti, që të merrej vendimi se ishte zgjedhur kryetar dhe atëherë e quajti të përshtatshme të vinte, duke qenë i siguruar se do të ishte vetë në krye, domethënë do të ishte në pozita imponuese.

Programi i cili u ishte shpërndarë gjithë delegatëve, e parashikonte që si drejtues të Kongresit do të vepronin kryetari e nënkryetari i klubit “Bashkimi”: Rexhep Hoxha dhe Fehim bej Zavalani dhe pikërisht këtë nuk do ta pëlqente Mit-hat Frashëri.

Ishte programi i Klubit, i hartuar nga Fehimi dhe Gjergji, duke nxjerrë në krye mikpritësit dhe jam i bindur, se për pasojë, M. Frashëri nuk ka marrë pjesë në hartimin e variantit të parë të Programit dhe nuk e ka lënë të dalë ai variant në botimin te gazeta “Lirija” këtë pikë, ndërsa e kemi te një variant i arkivit vjenez.

Njohim tashmë jo një, por disa variante të Programit të Kongresit, por nuk do të hyj në krahasimet e tyre të hollësishme. Megjithatë, nuk dëshiroj ta kapërcej sikur nuk ka ndodhur asgjë, ashtu siç kanë bërë gjithë autorët deri më sot. Këtu ka nevojë për një shpjegim rreth emrit të Rexhep Hoxhës, meqë ai del në variantin e parë të Programit të Kongresit. Rexhep Voka (1847-1917) është përfshirë në botimin e dytë të ‘Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” (2009) nga Jorgo Buloja si veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe thuhet se u bë myfti i vilajetit të Manastirit më 1903 (është gabim data) dhe kjo është përsëritur në librin “100 personalitete shqiptare të kulturës islame. Shek. XIX-XX” (2012). Këtu thuhet: “Duke qenë myfti i Vilajetit të Manastirit, Hoxhë Voka u bë pritësi dhe përkrahësi kryesor i Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe ose Kongresit të Manastirit, që u mbajt më 14-22 nëntor 1908. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin drejtuesit kryesorë të këtij kongresi.” Këto pohime janë në kundërshtim me faktet dhe të dhënat e shtypit të kohës.

Sipas gazetës “Zgjimi i Shqipërisë” (17 dhjetor 1909), kur Klubi i Manastirit përgatiti thirrjen, Rexhep efendiu nuk ishte afruar me Klubin. Pastaj u bë anëtar bashkë me tre pasues të tij dhe menjëherë, nuk e di se si, doli si kryetar. Atëherë: “… një mbrëma iu treguan gjithë çështjet e gjithë punërat e Klubit, të cilat ishin mbajtur me rregull ndë protokollë të shkruara me shkronja latinisht.” Ma merr mendja se protokollet i kishte mbajtur Gjergj Qiriazi. Kur u përgatit programi, emri i Rexhep efendiut del, sepse nënkuptohej që drejtuesit e Klubit të Manastirit, sipas traditës së njohur shqiptare, do të ishin edhe drejtuesit e kuvendit, meqë ata ishin mikpritësit; ata i kishin ftuar të tjerët në gosti. Delegatët zgjodhën tjetër kryesi dhe emri i Rexhep efendiut nuk del më gjatë punimeve. Arsyeja ishte se një ditë para hapjes, më 13 nëntor 1908, Rexhep efendiu do të emërohej myfti i vilajetit në Manastir, domethënë hierarku më i lartë fetar. Më pastaj emri i tij na del për shkakun e një veprimi të shëmtuar nga ana e tij. Ai përgatiti dhe përhapi një abetare të shqipes me shkronja arabe, si dhe dy broshura të tjera, duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e xhonturqve. Prandaj me të drejtë dhe me mprehtësi gazeta ka shkruar: “Kongreja u bë dhe zër’i tij a i shokëvet tij nuk u dëgjua të thonë, se duan shkrimin e gjuhës shqipe me shenja arabisht. Përse nuku folë atëhere?” Ka një njoftim në “Shqypeja e Shqypenisë” në numrin 17, 1910, se Rexhep Efendiu “e ka njoh fajin për gabimin që boni për shtypjen e abetarit me shkronja arabçe dhe u pendue”. (Gazeta Dita)./ KultPlus.com

Vijon…

Të ngjajshme