Absurdi i të edukuarit sot

4 Janar, 2023 - 6:39 pm

Shkruan: Ballsor Hoxha

Këpuca që i urrejmë, vetura që nuk mund t’i mbajmë, shtëpi të cilat nuk mund t’i paguajmë, të gjitha këto janë tonat e nuk e dimë si dhe as pse. Sa herë e kemi gjetur veten duke veshur gjëra që nuk kanë të bëjnë me, por janë bërë tonat sepse kemi qenë të bartur nga vetëdija kolektive.

Pastaj, jemi nën izolimin e kontaktit në mes familjes, shkollës, miqësisë. Sepse na duhet të jetojmë në mallrat që kemi blerë. I jetojmë mallrat që i kemi. Aq më shumë jemi të programuar dhe të izoluar brenda rregullave të këtyre mallrave.

Qeniesojmë mungesën e vazhdimësisë së jetës duke qenë fabrikë e – like -, kukulla veshjesh të kalkuluara deri në atë që e quajmë – junk veshje -. Aq më shumë, e shikojmë njeriun jo më si veshje të tij, por nëse jeton sipas mallit në të cilin është shndërruar. Tërë kohën jemi përballë instruksioneve të reja për përdorim.

Në shndërrimin e gjërave që ka kapluar tërë sistemin e gardianëve të të vërtetës, më nuk është ajo që ke përballë, por ajo që ia vendos vetit përballë. E pastaj kjo pa zgjedhjen, pa vullnetin dhe sidomos pa dijen tonë ikë dhe kalon në mall dhunshëm të konsumuar nga ne.

Një revistë e njohur globale vetëm para disa ditësh kishte në ballinën e saj një thënie

“burrë sot duhet të dalim në piknik se kështu po thotë instagrami”…

Tek ne ka dy masa shoqërore që qarkullojnë tërë këtë industri malli, prej – like – e deri tek armatimet më të reja:

ajo për të edukuar shoqërinë

dhe pjesa që vetë-edukohet

Por, shoqëria nuk mund të edukohet pa një – zot – të edukimit, mu sikur në religjion. Në të vërtetë për të edukuar shoqërinë ajo duhet të ndalojë së qeniesuari, duke iu – falur – zotëruesit të edukimit, programit të edukimit, vetë përmbajtjes së saj. Problemi thellohet tutje, kur shoqëria është e padëgjueshme, e obsesionuar nga forcat globale dhe e mbetur pre e instinktit për mbijetesë. Në këtë zotëruesi i edukimit duhet të krijojë program nga vetë përmbajtja e qeniesimit.

Në anën tjetër, të vetë – edukuarit, janë të revoltuarit, – thugs – hajnat e dijes, fshehur në rrethet e tyre, në zonat e tyre. Dhe duke ndërtuar bërthamën e vetëmbrojtjes.

Shikuar në pikëpamje afatgjatë duke filluar prej shkollave, organizimeve administrative, e deri tek organizimet shtetërore të gjitha janë rrënoja të cilat janë të mbetura në vetëdijen tonë si kujtim. Krimi, devijimi, degjenerimi, dhunimi, plagosjet e vrasjet pikërisht në shkolla tregojnë për të gjitha këto: represionin nga lartë për edukim, revoltën ndaj kësaj dhe pafuqisë së shkollës e organizimeve shoqërore përballë ndryshimeve, mungesën e përmbajtjes përballë të qenit të kalkuluar dhe zvogëluar në mall, klikim, tullë e veturë.

Në fund, çdo edukim vjen prej diku, apo ai duhet të merret me legjendat dhe mitet tradicionale dhe me politikën ditore të pushteteve. Por, as nuk ka edukim pa politikë (ideologji), qoftë ai i luftës e qoftë ai i progresit e forcimit të vullnetit të shoqërisë. Apo, më tutje, vetë edukuesit, duke vendosur edukimin, automatikisht bëhen agjentë të njërit apo tjetrit vullnet global. E mund të thuhet edhe se duhet zgjedhur anët, në këtë krizë globale. Por duhet edukim edhe për këtë, ironikisht. Ironikisht vetë kjo është mungesë edukimi! / KultPlus.com

Të ngjajshme