Adriana Matoshi: Festivali i Këngës është një burim që mban në këmbë shkollën e këngës së lehtë shqipe

23 Dhjetor, 2023 - 10:30 pm

Festivali i Këngës u mbajt në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor. Sikurse dihet, ai pati prezantuese aktoren e njohur Adriana Matoshi, e cila së fundmi ka thënë se Festivali i Këngës është po ashtu një burim që mban në këmbë shkollën e këngës së lehtë shqipe.

“Ishte e vështirë. Ishte hera e parë. Unë kam studiu artin skenik prej vitit 2000. Kam luajtur në teatër, me profesorët e mi si regjisorë e aktorë. Kam kaluar në sfida të mëdha me punën, me prof. Bekim Lumi për ta përsosur artin e fjalës dhe interpretimit në skenë. Prej më shumë se 13 vitesh pa u ndalur dhe në sheshxhirimet e filmave me bashkëpunëtorë të vendit tonë dhe të huaj.”

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Dy fjalë pas një mësimi të madh

Kanga e lehtë shqipe është një zhanër i kultivuar në mënyrë origjinale me shumë pasion dhe dashni për artin e kompozimit, këndimit dhe poezisë.

Edhe institucioni që strehon atë është Festivali i Këngës është po ashtu një burim që mban në këmbë shkollën e këngës së lehtë shqipe.

Me të e kemi mbajt afër artin e këngës në shqip për kaq shumë dekada me publikun e gjerë.

Këtë vit, të 62-tin me radhë, mua m’u besua roli i prezantueses në këtë institucion të Këngës.

Ishte e vështirë. Ishte hera e parë. Unë kam studiu artin skenik prej vitit 2000. Kam luajtur në teatër, me profesorët e mi si regjisorë e aktorë. Kam kaluar në sfida të mëdha me punën, me prof. Bekim Lumi për ta përsosur artin e fjalës dhe interpretimit në skenë. Prej më shumë se 13 vitesh pa u ndalur dhe në sheshxhirimet e filmave me bashkëpunëtorë të vendit tonë dhe të huaj.

Kam kaluar tashmë më shumë se njëzet vite në këto përpjekje. Por më duhet ta them hapur që këto 4 netë të Festivalit dhe ditët e provave, përgatitjet paraprake, kanë qenë një shkollë e përshpejtuar, e ngjeshur, e sublimuar e të gjitha arteve që kam besu se i zotëroj.

Me të gjithë fuqitë dhe përgatitjen artistike që kam, dhashë me shpirt gjithë çka mund të jipet për publikun e këngës dhe veçanërisht për respektin dhe admirimin e madh për artistët që takova në atë skenë.

Për suksesin duhet punë, punë, punë, për cilësinë duhet lexim, lexim, lexim. Këto nuk ndërrojnë. Dritat, teknologjia, instrumentet, pajisjet, mikrofonat, përsosen. Ne kemi veç punën tonë dhe ushtrimin e mendjes tonë për të qenë të dobishëm në skenë. Ndaj puna është e pazëvendësueshme nga asnjë gjë tjetër.

Duhet ta dimë se përvoja e Festivalit është plotësisht diçka tjetër që nuk është e krahasueshme me asnjë nga punët e tjera të një artisti.

Ndaj gjej rastin të falenderoj për këtë ftesë të veçantë në këtë shkollë të artit skenik dhe televizionit Drejtorin Artistik Bojken Lako, Drejtorin e Festivalit Alfred Peza për besimin.

Regjisorin e madh të televizionit Pali Kuke, e skenaristin, shkrimtarin e veçantë Enkel Demi, organizatoren e Festivalit Izzy dhe të gjithë stafin realizues të Festivalit.

Kur e mora këtë propozim, u ula ta shoh si është dukur Festivali. Unë jam e lindur në 80’at. Mbaj mend festivalet e viteve 85 e deri sot. Më shumë pas 90’tës. Por kangët i di, si gjithë Kosova, se prindërit i kanë kënduar e pëlqyer ato.

Mësova pak mbi prezantuesit e prezantueset e Festivalit. Për Edi Luarasin e Bujar Kapexhiun, Zerina Kuke e Silvana Braçen, për Dhimitër Gjokën, për Adi Krastën e plot bashkëmoshatarë të mitë artistë, gazetarë, personalitete të televizionit.

Lexova që kishin qenë gati të gjithë aktorët më të mirë shqiptar të kohës. Në festivalin e parë Margarita Xhepa, vite më pas Yllka Mujo, Anisa Markajan, Luiza Xhuvani, Ema Andrea, Ndriçim Xhepa.

Çka mund të them më shumë se sa t’ju ftoj që të bëjmë një dokumentar mbi këtë shkollë të fjalës artistike në shqip.

Orkestra

Është një eksperiencë e rrallë, rrënqethëse shpesh, të jesh në skenën ku luajnë muzikë Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar drejtuar nga një grup i dirigjentëve virtuozë shqiptarë. Është e paharrueshme po ashtu të shohësh dhe dëgjosh Elton Dedën teksa luan në piano dhe drejton bendin e Festivalit.

Kangët

Po, janë kompozime të përkushtuara. Me mund të madh. Me kurajo artistike. Me tekste të punuara me seriozitet dhe me pasion. Me orkestrime jo rrallë unike. Përgatitja e një kënge pra 2-4 minuta sublimim i instrumenteve, zanit njerëzor dhe tekstit pra fjalës është një punë shumë e madhe e artit të krijimit. Nuk është hiç e lehtë.

Dhe ne të gjithë që e shohim këtë art para nesh na duhet të na lindë pyetja – pse vallë lodhen kaq shumë, shpesh edhe rrezikojnë kaq shumë, këngëtarë e kompozitorë për të na dhuruar këngë në shqip, kur bota ka plot muzikë të madhe?

Nuk mund të them që nuk më jep ndjenjën e respektit puna e tyre, e secilit, çdo vit, çdo ditë, pa u dekurajuar asnjëherë nga çfarëdo rrethane.

Kritika

Artistët e vërtetë i rrit vetëm kritika. Nuk ndodh asgjë në art pa kritikën e rreptë, të ashpër dhe vërtetë. Ndaj mos u ndalni askush së kritikuari deri në hollësitë më të skajshme, prej prezantimit e deri tek secila kangë.

E shamja nuk është kritikë. Nuk ndihmon. Artistët e vërtetë dinë të mësojnë nga kritika. Dinë po ashtu të dallojnë kritikën nga e shamja. Dinë të dallojnë edhe çka ju duhet për punën e tyre nga kritika e publikut.

Ndaj nëse e duam këngën shqipe, Festivalin e saj mos u ndalni së kritikuari, mos e ndalni dorën hiç. Veçsa i rrisni artistikisht dhe i jipni motiv për ta përsosur punën e tyre djemtë dhe vajzat e skenave.

Kamera

Çdo imazh që shihni në ekran e mban syrin e kameramanit pas atij aparati magjik që ka shpikë njeriu para një shekulli.

Nuk ka asgjë që shihni që nuk ka kaluar nga syni i tyre. Ata në fakt janë thelbi i këtij zhanri kaq të bukur që duket në ekran, në salla kinemaje apo në ekranin e TV a pajisjeve të tjera me ekran. Çdo fjalë dhe interpretim që kam pasur këto katër netë janë sa të mijat aq dhe të kameranëve në sallë. Arti i përsosur që e kryejnë profesionistë krej të veçantë.

Kameramanët e RTSH-së ishin ashtu siç kam dëgjuar. Shkollë e veçantë. Nderime e respekte për punën e tyre.

Publiku

Nuk e përfytyroni dot çfarë energjie madhështore ka fuqinë ta jap publiku shqiptar kudo ku ndodhet. Në sallë, në TV, në rrjete sociale, në telefon, në rrugë, në paskenë, kudo.

Së pari, nuk ia bën do me hile. E dallon kur nuk je ka i jep shpirt punës në skenë. Nuk ta fal kur nuk je i sinqertë në skenë. Të mbështetë edhe kur gabon por të ka pa që ke punu e je mundu shumë.

E njeh të bukurën.

E duartroket atë.

Di të dëgjojë poezinë,

Di ta shijojë muzikën,

Di të vlerësojë njeriun që duhet ta ketë brenda vetes artisti patjetër.

Unë besoj që artisti i madh mund të jetë vetëm një njeri i mirë. Nuk rri dot arti bashkë me jo të mirën.

Publiku shqiptar është padyshim një arsye e madhe pse zgjohem shumë shpesh edhe në mëngjeset kur nuk kam më as fuqi as ndonjë vullnet të veçantë.

Kolegët e mi,

Kledi dhe Krisa,

Jam e nderuar që ju njoha dhe punova me ju.

Sa herë të kisha mundësi të zgjidhja nuk do ta ndërroja këtë zgjedhje që kanë bërë drejtuesit e Festivalit.

Këtë rol duhet ta kenë çdo herë ata që e duan skenën dhe artin. Dhe që shërbimin ndaj publikut artdashës e kanë pasion edhe vetjak.

Unë këto javë u rrita për shumë vite.

Falemnderit RTSH-së,

Falemnderit Shqipërisë,

Dhe gjithë publikut shqiptar,

Shihemi në projektet e tjera,

Me shumë dashuri për të gjithë ju! / KultPlus.com

Të ngjajshme