Ag Apolloni kritikon ndarjen e çmimeve në PriFest: Ky idiotizëm s’ka ba vaki kurrë në botë

26 Shtator, 2022 - 10:48 am

PriFilm Fest mbrëmë ka mbyllur edicionin e tij të 14-të i cili ka nisur me 20 shtator. Në këtë mbrëmje u ndanë edhe çmimet e festivalit, shkruan KultPlus.

Aktorja Rina Krasniqi ka fituar dy çmime, atë për aktoren më të mirë dhe për aktorin më të mirë pasi që Krasniqi ka luajtur dy role në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, njëri si Luana dhe tjetri si një burrneshë me emrin Jack.

Kjo është hera e parë në historinë e çmimeve “PriFest” që një aktore arrin të fitojë të dy çmimet.

Por për këtë vlerësim ka reaguar shkrimtari Ag Apolloni i cili ka vlerësuar që kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë në botë dhe sipas tij është idiotizëm.

“Në PriFilmFest një aktores (femër) i është ndarë çmimi i dyfishtë ‘Aktorja më e mirë’ dhe ‘Aktori më i mirë’. Ky idiotizëm s’ka ba vaki kurrë në botë. Cate Blanchett, Barbara Straisend, Linda Hunt, Hillary Swank, Glenn Close, Tilda Swinton, Meryl Streep, Angeline Jolie etj., kanë luajtur role meshkujsh, por kurrë s’janë nominuar në kategorinë “aktori mashkull më i mirë”. Po ashtu, shumë aktorë meshkuj kanë luajtur rolin e femrës, por kurrë s’janë nominuar në kategorinë “Aktorja më e mirë”. Do të ishte tallje, në mos ofendim, në të dy rastet”, shkruan Apolloni i cili tutje ka potencuar se kur thuhet ‘aktori’ ose ‘aktorja’, nënkuptohet gjinia e personit që luan, jo gjinia e personazhit të cilin e luan.

“Cate Blanchet ka luajtur Bob Dylanin, por është nominuar në kategorinë “aktorja më e mirë”. Është kaq e thjeshtë. Ti mund t’i japësh aktores çmimin “Aktori më i mirë”, por është njësoj si ta lavdërosh një grua, duke i thënë “gjynah që s’je burrë”, ose “je aq e mirë sa meriton me qenë burrë”. Pastaj, s’mund t’ia japësh një aktoreje dy çmimet kryesore për dy gjini, edhe sikur aktorja të jetë hermafrodite. Nejse, Kosova shkruan histori në budallaki. Dhe, natyrisht, budallakia ka emër (edhe pse unë s’i di emrat e jurisë)”, shkruan Apolloni. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme