“Argëtimi kryesor i viteve 60’ta ka qenë televizori, dhe atë bardh e zi”

3 Gusht, 2020 - 1:51 pm

Nga Burim Myftiu

Argëtimi kryesor i viteve 60’ta ka qenë televizori, dhe atë bardh e zi. Kur ishte i fikur nëna e mbulonte me një dantel maja e së cilës varej si një trekëndësh mbi ekran. Kjo e nervozonte shumë babën. Ajo qëndroi aty deri sa shtëpia e vjetër e gjyshit u rrënua.
Mua më neverikoste më shumë danteli i telefonit të shtëpisë. Daja im kishte televizor me “ngjyra”. Në fakt ai kishte blerë një filter plastik, pseudo hologramik që vendosej përpara ekranit dhe krijonte ndjenjën e ngjyrave. Ngjyrat ndyshonin kur shikohej nga kënde të ndryshme. Ajo dukej aq psikodelike, saqë ndonjëherë edhe të mirrej mendja nga qielli i gjelbër, drunjtë e kuq dhe pullaze të kaltërta! Në fillim ishte interesant por shpejtë u bë i bezdisshëm dhe daja e largoi. Në atë kohë, unë me mendje të një fëmiu, konstatova se televizorët me “ngjyra” si e dajiut, nuk më pëlqenin shumë.
Televizori shikohej në orë të caktuara dhe zakonisht në mbrëmje. Para asaj qëndronin tërë famlja, prindërit uleshin në minder ndërsa ne fëmijët në dysheme, nëpër shilte të pambukut, mbi gjunjë ose këmbëkryq. Dimrit shërbehej çaj me limon ndërsa shurup trëndafili gjatë ditëve të ngrohta të verës. Kënaqësi e vërtetë! Shpesh vinin farefisi dhe fqinjët, sidomos kur kishte ndonjë film, serial humori ose për të shikuar garat olimpike. Ishte shumë normale që edhe komshinjtë të mos mungojnë. Shumë prej tyre nuk kishin akoma televizor në shtëpitë e tyre. Të qeshurat nuk ndaleshin kur vinte “halla plakë”… Ajo here flinte e herë i hapte sytë dhe në momente kishte bindje se ndonjë nga aktorët e filmit do të kërcente dhe jashtë ekranit.
Janë dhe ca ngjarje tjera interesante.
Një natë, derisa flinim, pak para agimit erdhi babai dhe na zgjoi:
“Zgjohuni fëmijë” -psherëtiti ai.
“Do ta shikojmë zbarkimin e njeriut të pare në hënë”- tha ai.
Ne u ngritëm nga dysheku duke i fërkuar sytë por te gëzuar pa masë.
Janë ato çaste që nuk harrohen dot. Mund të paramendoj se si ndihej ai vetë, i cili tërë jetën e tij kishte kushtuar teknologjisë dhe eksperimenteve, i cili shkencën e kishte “religjion”. Ajnshtajni Faradeji dhe Njuton ishin “profetët” e tij.
Armiku kryesor i televizorit ishte era. Kur gjatë shikimit të ndonjë filmi, pamja zhdukej dhe në ekran dilnin “mizat”, ishte e qartë se stuhia po afrohej, filmi kishte mbaruar pa i ardhur fundi dhe që ditën e ardhshme dikush duhej ngjitur në pullaz.
Ne asnjëherë nuk ngjiteshim në pullaz për ta drejtuar antenën. Babai e kishte bërë një sistem gypash, dhe antenën e lëviznim nga “hamamxhiku” brenda shtëpisë, pa u ngjitur në çati.
Kjo mënyrë ishte praktike edhe për veprime tjera “ilegale” në atë kohë.
Ishte e ndaluar nga regjimi Jugosllav të shikohej Shqipëria. Për këtë veprim njerëzit shkonin në burg si tradhtarë dhe si “kontrarevolucionarë”. Shumë shpesh milicia patrullonte nëpër lagje për të kontrolluar se në çfarë drejtimi ishin të kthyera antenat. Sapo ngrysej, ne shpesh e kthenim antenën kah Shqipëria për të shikuar kushërirën tonë Meliha Doda duke kënduar këngët e bukura Vlonjate. Shikonim ca me dyshim se si “thyheshin rekordet në prodhimtari” dhe “aksionet vullnetare” në kooperativa të punës. Përkundër propagandës komuniste se Shqipëria “nuk ka borxhe ndërkombëtare” dhe se “çdo pëllëmbë e tokës është e punuar” zemra më thoshte të kundërtën. “Si mund të ndihej i lumtur një zog i mbyllur në kafaz.”
Me ardhjen e televizorit radioja e shtëpisë filloi të pluhuroset… / KultPlus.com

Të ngjajshme