Armët e Marko Boçarit në Paris

14 Janar, 2018 - 1:18 pm

Shkruan Dorian Koçi.

Albanian Pistol and Sabre of Marko Bocari in Paris (Museum of Arms)

Pisqolla dhe shpata shqiptare e Marko Boçarit në Muzeun e Armëve ne Paris. Koburja e përdorur nga Marko Boçari është e tipt gjarpërushe e zbukuruar me argjend, ndërsa shpata është jata.
Në armatimin personal, qoftë të ushtarit të ushtrive feudale shqiptare, apo të çdo banori të armatosur, në shek. XVII-XIX, bënin pjesë: pushka e gjatë (karajfilja) ose pushka e shkurtër (karabina), dy pistoleta (kobure), jatagani, dy vezme, vajmbajtësja, thupra (harbia) dhe brezi i mbajtjes së armëve (silahu). Pushka e gjatë shqiptare, e cila prodhohej e zbukurohej edhe në vend, të cilën tek shumë autorë të tjerë të huaj e gjejmë të emërtuar thjesht “amautka” apo “paftalia”. Kjo armë, në fakt, ka qenë përmirësimi i mëtejshëm i pushkës me fitil, i mushketës dhe i arkebuzit, të përdorura në vendin tonë gjatë shek. XV-XVII. Me spikatjen e çarkut me goditje dhe gur stralli, rreth vitit 1630, pushka e gjatë filloi dhe vazhdoi të prodhohej nga armëtarët shqiptarë gjatë shek. XVII-XIX.

Ka të dhëna se Shkodra, si qendër e madhe tregtare dhe zejtare, qendër sanxhaku, vilajeti dhe pashallëku, me tytat e vendit dhe të jashtme, plotësonte jo vetëm nevojat e veta, por me to furnizonte edhe Prizrenin, Gjakovën, Tetovën, Elbasanin, madje ato shiteshin në Delvinë, në Grabovën e Gramshit deri në Bonila të Janinës.

Si nga ana funksionale, ashtu edhe nga paraqitja e jashtme prodhimi i armëve tregonte për një nivel të lartë tekniko-mjeshtëror të arritur në vendin tonë. Shqiptarët e Shkodrës, të Gjakovës dhe të Prizrenit janë mjeshtër të famshëm në punimin e armëve dhe të objekteve të tjera prej metali. Në Ekspozitën Universale të Parisit (1854), nga objektet që tërhoqën vëmendjen e vizitorëve të huaj ishin edhe koburet shqiptare të Janinës.
Në konkursin e Londrës (1866) po këto armë morën tituj nderi. Në Ekspozitën Univerale të Parisit (1867) figuronin armë dhe disa punime filigrani të prodhuara nga punishtet e Prizrenit, të cilat nuk qëndronin më poshtë nga ato të punonjësve më të kualifikuar të Evropës. Ndërsa në Ekspozitën Universale të Cikagos (1894) ishte vendosur edhe një martinë e punuar me mjeshtëri të hollë nga dora e një armëtari të talentuar nga Tetova./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme