займ на карту онлайн потребительский кредит

Arritje honorifike e Filarmonisë së Prishtinës me dirigjent Rafet Rudin

22 Dhjetor, 2017 - 9:36 pm

(Mesha e shugurimit të kulturës muzikore kosovare)

Shkruan: Nestor Kraja

Deri më sot kanë qenë arsyet jashtë muzikore që më kanë penguar të shpreh entuziazmin personal, por të paraqitur argumentet e rëndësishme dhe të qëndrueshme mbi sukseset e koncertit të fundit, të Filarmonisë së Prishtinës, së datës 15 dhjetor me dirigjent Rafet Rudin. Edhe pse kanë kaluar ditë e kam parasysh atë entuziazëm që shkaktoi ky koncert, së pari tek unë, por dhe në sytë e spektatorëve të shumtë pjesëmarrës. Nuk mund të harroj lumturinë që shkëlqente në fytyrat e bukura dhe të lumturuara të koristëve, në notat e fundit të meshës, sikur donin t’i tregonin dirigjentit se “I kishin realizuar kërkesat e tij”. Ishte një triumf i haresë së paqes dhe e fitores së të gjitha porosive gjatë punës intensive të tyre, e që përkonte me atmosferën dhe bekimin për paqe të meshës së mrekullueshme të Hajdenit. Dhe e gjitha kjo, sëbashku me urimet dhe përqafimet e ngrohta ishin shenja të qarta të suksesit në planin njerëzor emocional. Por mendoj se fitoret ishin të shumëfishta.

Në planin kulturor Filarmonia e Kosovës i shtoi repertorit të saj edhe një vepër tjetër madhore e dinjitoze dhe njëkohësisht gjithë kultures muzikore kosovare një majë arritjeje e cila nuk ishte e njohur deri atëherë. Do të isha krenar që dhe në Shqipëri të mund të realizohej një nivel i tillë artistik e jo si në përpjekjet pak të justifikuara të pak muajve më parë me Requiemin e Brahmsit.

Në planin institucional mendoj se ky sukses ishte një shenjë e qartë se Prishtina është mëse e gatshme të ngrejë Teatrin e saj të Operas, si një arritje e një maje tjetër kulturore, por dhe si shprehje e një rrugëtimi të gjatë drejt institucionalizimit të jetës kulturore. Mendoj se ngritja e Teatrit të Operas dhe Baletit në Kosovë do të jetë përveç të tjerave edhe dëshmi e potencës intelektuale dhe kulturore të vendit në ballafaqim me fqinjët, ndërsa për politikanët dëshmi e orientimit të tyre të drejtë për nga kultura Evropiane.

Në planin politik mendoj se orientime të tilla janë të drejta dhe me siguri do të prodhojnë rezultate pozitive në aspekte të ndryshme të kulturës dhe edukimit në Kosovë. E të gjitha këto duhet t’i dedikohen në masën më të madhe një njeriu të shkurtër por mendjehapur, fjalëpak por punëshumë, jo shumë të shoqërueshëm por me një dashuri të madhe për artin e vendit të tij, i cili me mençurinë e tij dhe kulturën perëndimore sheh larg dhe qartë të ardhmen, e cila do ta rreshtojë me siguri në emrat më të shquar të kulturës kosovare e më gjerë. Aksioni i pandërprerë, që paraqet mendimet e tij, aftësia e imagjinatës e cila nxit fuqinë e ndërdijes për të realizuar përfytyrimet dhe besimi në arritje si “eliksir i amshueshëm” i jep jetë, fuqi dhe energji impulsit mendor të Rudit. Pra, për t’u shprehur më qartë: shumë aktiv dhe i susksesshëm në drejtim të kompozimit, dirizhimit, organizimit, kritikës muzikore dhe mbështetjes së dukurive pozitive në kulturën shqiptare e më gjerë Rafeti mbetet një nga figurat më emblematike të kulturës kosovare.

Personalisht, duke e njohur mirë, në heshtje e me mendje debatoj e kuvendoj me të për ato që shkruaj, duke konsideruar mendimet e tij maja të pikarritjeve personale dhe mendoj se në këtë rrafsh mbetet një nga miqtë e mi më të afërt dhe më të vyer dhe do të mbetet kështu “Ili”[1] i kulturës mbarëshqiptare.
Duket sikur po shprehem tërësisht në krahët e euforizmit pa shkruar asgjë konkrete mbi koncertin. Jo, për të qenë realistë pati edhe ndonjë difekt, por duke mos vlerësuar ndonjë mosbalancim në instrumentet e orkestrës apo mossiguri në hyrje të ndonjë instrumenti vëmendja kryesore e asaj që jemi mësuar ta quajmë kritikë qëndron tek mospajtueshmëria me sallën ku u zhvillua koncerti dhe tek nevoja për ndërtimin urgjent të një salle të përshtatshme koncertale si një tempull i kulturës profesionale të kosovës dhe si respekt për publikun e mrekullueshëm që ndjek me aq përkushtim dhe entuziazëm koncerte të këti lloji .

Kjo vepër e luajtur nga dirigjentë të shumtë e deri tek Bernshtajn, nga kore të së gjithë botës e orkestra simfonike të njohura e shumë të njohura e me versione të shumta është një ndërmarrje e tillë e cila do të mbetet një pikë arritje honorifike e kulturës muzikore kosovare./KultPlus.com

Të ngjajshme