Artistët e mëdhenj po zvogëlohen

8 Shkurt, 2020 - 9:13 pm

Ardianë Pajaziti

Mbaj mend, kur pat vdekur aktori i madh Bekim Fehmiu, komuniteti i artistëve shpejt e shpejt pat organizuar ndezjen e qirinjve para Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe një grup i vogël i njerëzve u mblodhën në muzgun e mbrëmjes dhe ndezën qirinj, për të bërë homazh për figurën e madhe të Bekim Fehmiut.

Organizime të tilla, kur janë spontane dhe pa organizim shtetëror,  shpesh të lënë edhe një shije të keqe, sepse, në këto homazhe ka qasje gjithsecili, dhe pikërisht ata që do të duhej të pëshpëritnin një lutje apo ndonjë kujtim, mungonin, e disa që pikërisht vdekjet shfrytëzojnë që të tregojnë afri me të vdekurin ishin aty ballëhapur.

Bekim Fehmiu pat vdekur në qershor, dhe ishte një mbrëmje bukur e nxehtë. Mbaj mend që një aktor erdhi vetëm me pantallona e pa këmishë. Lart kishte të veshur vetëm një fanellë të brendshme. Dhe kur e mendoje elegancën skenike të Bekim Fehmiut, sharmin dhe suksesin e tij, më vinte të bërtisja kur shihja këtë burrë të djersitur që ndizte qiriun në emër të shpirtit të aktorit të madh.

Dhe me këtë homazh të vogël, ku në mesin e tyre kishte ‘artist’ me shpatulla të djersitura, përfundoi homazhi për artistin e madh Bekim Fehmiu, ndërkaq,  deputetët e Kuvendit të Kosovës refuzuan kategorikisht që të mbanin një minutë heshtje për aktorin më përmasa të mëdha botërore.  

Dhe artistët e mëdhenj po zvogëlohen, bashkë me ta edhe familjet e tyre. Injoranca e shtetit, naiviteti i komunitetit edhe thurja e lavdeve nga jo meritorët, këto familje i detyron të mbyllen në guacën e tyre, dhe të përcjellin më të dashurit e tyre me një grup të vogël të njerëzve, por me një elegancë pothuajse sa të skenës.

Njësoj veproi familja e Bekim Fehmiut, të qetë erdhën nga Beogradi dhe ia mësynë Prizrenit, dhe shpërndanë hirin e trupit të Bekim Fehmiut te Drini i Bardhë, njësoj po vepron sot edhe familja e Nexhmije Pagarushës.

Duke respektuar amanetin e saj, edhe kjo artiste e madhe do të përcillet drejt vendlindjes së saj në Pagarushë të Malishevës, vetëm nga rrethi i ngushtë i familjes.  

Edhe përkundër faktit se jeta e saj ishte shumë e bujshme, e pa krahasueshme, jo vetëm për kohën por edhe për ditët e sotme, ajo ka zgjedhë një ceremoni të thjeshtë, sepse ka parë shembuj e shembuj se si janë trajtuar figurat e mëdha të Kosovës, dhe si duket kanë qenë mjaftueshëm sa të përkujdeset vet për mënyrën se si do të varroset.

Megjithatë, vdekja e Nexhmije Pagarushës ishte një tjetër kambanë edhe për shtetin, presidenti i vendit mori vendim që 9 shkurti të jetë ditë zie për Kosovën, vendim që nuk mbahet mend të ketë ndodhur për vdekjen e një artisti në Kosovë.

Por nuk mjafton as një ditë zie, artistët e mëdhenj si Bekim Fehmiu e Nexhmije Pagarusha kanë merituar tjetër tretman, edhe nga shteti edhe nga shoqëria. Bekim Fehmiu shkëlqeu në botë, por iu kthye Drinit të Bardhë, e Nexhmije Pagarusha shkëlqeu me muzikën e saj, dhe si një perëndeshë po i kthehet Pagarushës, aty prej nga edhe na ka ardhë./KultPlus.com

Të ngjajshme