Ballsor Hoxha: Shoqëria jonë po vret njerëz

25 Dhjetor, 2022 - 4:45 pm

Ballsor Hoxha

Çka është duke ndodhur po pyetemi, në strehët tona të kufizuara në naivitetin ideologjik. Në strehët tona që na mundësojnë gjykimin, e çdo gjëje dhe të çdokujt. Në të vërtetë ne jemi duke linçuar njëri tjetrin. Ne si shoqëri, me pastërtinë tonë, jemi duke vrarë njerëz. Edhe krimineli më i tmerrshëm është rritur, ushqyer dhe forcuar për krimin e kryer nga vetë ne, nga shoqëria jonë.

Lufta përbrenda vendit tonë. Akademia e cila i frynë zjarrit. Taborët politike që me zor kanë marrë përsipër edhe – edukimin e masave – e që është shtypjen e frustrimit dhe të pakënaqësisë në emër të ‘luftës’, dhe pyetemi çka po na ndodhë.

Pastaj ekstremizimi religjioz, në raport të drejtë me mënyrat e reja të jetës, prej LGBT deri tek Big Brother, dhe pyetemi çka po na ndodhë. Hapja e shoqërisë, derisa në njërën anë shpallet pushtimi Otoman si ‘depërtuese’ e jo pushtuese e jona, derisa në anën tjetër lirinë seksuale e përjetojmë si tradhti e dominim të partnerit.

Pastaj shthurja e sistemeve të edukimit, të mbetura në rrugë të verbra të komunizmave dhe të patriotizmave, derisa po i njëjti problem është uzurpuar si armë politike nga partitë politike.

Kjo është luftë për pushtet. Luftë për dominim ideologjik. Luftë për të ‘luftuar’!

Ideologjitë të cilat e udhërrëfejnë shoqërinë tonë janë saktësisht shtypja brenda shoqërisë sonë. Të gjitha fenomenet e lartcekura janë kriza e të qenit të hapur si shoqëri. Dhe pikërisht hapja e shoqërisë sonë është nën furinë e globalizimit. Është paradoksale por jo edhe e pamundshme, tanimë debatet, diskutimet, dhe vetëdijesimet i paraprijnë krimeve. Këto të fundit duke ndodhur nën presionin e ideologjive në veprim.

Vrasjet, dënimet, barrikadat, esktremizmat fetarë, festivali I këngës, Big Brother, etj, secila duke fyer tjetrën masë të shoqërisë. A janë në të vërtetë, këto, probleme tonat? Apo janë kryengritje e vetëdijes sonë, të të qenit të pafuqi për të jetuar sipas zgjedhjeve tona . A nuk e ka dezintegruar kjo deri në asgjë çfarëdo përpjekje për një shoqërore. Apo janë probleme të shoqërive të brishta që tentojnë të dalin nga turma. Apo janë politikë e mbetjeve të forcave të ideologjive në rrënim e formim e sipër.

Prej nga vijnë vrasësit e nënave, vrasëset e fëmijëve të tyre, të gjuajtur në kontejnere mbeturinash?

Duke u ndalur vetëm tek vrasjet, a nuk janë këta vrasës nga shoqëria jonë? A nuk janë rritur, ushqyer dhe forcuar deri në vrasës po të njëjtit nga shoqëria jonë. A nuk vijnë të gjithë vrasësit nga shoqëritë e tyre, qoftë në Serbi e qoftë në ndonjë vend tjetër.

Por ne distancohemi nga ato sikur të ishin akte jashtëtokësore. Apo edhe të panjohura. Apo edhe të trajtuara si akte të paparashikueshme të çrregullimeve mendore. Por nëse kjo e fundit do të ishte shpjegimi më i saktë, në të vërtetë këto akte të çrregullimeve nuk janë të atypëratyshme, janë të ushqyera, krijuara e të lindura në shoqërinë tonë prej se jemi.

Në të vërtetë ne vrasim prej se jemi. Derisa vrasja ishte e kulturëzuar në kodet e Lekë Dukagjinit, dhe deri këtu ku çdonjëri prej nesh ka kaluar në vrasës potencial.

Trajtimit të vrasjeve, dhe aq më shumë vetë mënyra e trajtimit të problemeve tona përmban një hipokrizi, që është shkalla e parë e devijimit etik:

  1. Uzurpimi i edukimit të shoqërisë ndaje shfaqjes së këtyre fenomeneve, por edukimit ndaj tyre vetëm hapur, dhe vetëm publikisht, derisa po e njëjta ideologji është vetë shtypja.
  2. Matja e krimeve më të tmerrshme me naivitetin me të cilin kemi jetuar deri tash. Por ky naivitet ka qenë ideologjik, naivitet i cili ka bërë të pavërejtshme po të njëjtat vrasje të cilat po na “trondisin” sot.

Ideologjitë në dominim kanë krijuar përshtypjen se çdo gjë po diskutohet dhe se është një vetëdijesim. Por ky diskutim shoqëror, dhe ky vetëdijesim është selektiv, është e vërtetë e selektuar.

Pikërisht ata që janë bartësit e shtypjes që po ndodhë, janë të përjashtuar nga diskutimi, nga vetëdijesimi./KultPlus.com

Të ngjajshme