Bardhyl Çaushi, kolos i fushës së drejtësisë dhe emancipimit kombëtar politik

11 Maj, 2021 - 3:00 pm

Në përvjetorin e 22 të vdekjes.

Nga: Feti TUNUZLIU

Prof. dr. Bardhyl Çaushi është njëri ndër figurat më të ndritura shqiptare të shekullit XX i cili zë vend të merituar në panteonin intelektual e kombëtar të diturisë dhe atdhetarisë.

I lindur me 15 gusht 1936 në Gjakovë dhe i arsimuar me  filloren në vendlindje, gjimnazin në Prishtinë, drejtësinë në Shkup (1959) e magjistraturën në Beograd (1978), profesori i nderuar, përmbylli ciklin e gjatë të arsimit në Zagreb në vitin 1989 ku u doktorua për drejtësi.   

Pas eksperiencës profesionale një dekadëshe (1959-1969) prej gjyqtari në Gjykatën Komunale Gjakovë dhe në Gjykatën e Qarkut në Pejë ushtroi veprimtarinë pedagogjike universitare në harkun kohor prej gati tri dekada, prej 28 maji 1970 deri në vitin 1999, fillimisht si bashkëpunëtor i lartë profesional për lëndën E drejta romake në Fakultetin juridik-ekonomik të Universitetit të sapothemeluar të Prishtinës (13 shkurt 1970) i cili në vitin akademik 1971/72  ndahet në Fakultetin juridik dhe Fakultetin ekonomik. Prej vitit akademik 1980/81 deri në fund të jetës është profesor i lëndës E drejta romake. Prof. Bardhyli ishte njeri prej gjithsej 54 bashkëpunëtorëve profesional, prej të cilëve 33 ishin me mësim në gjuhën shqipe dhe njeri prej 17 magjistrave në Fakultetin juridik.   

Në këtë kontekst, do thënë kalimthi se Bardhyl Çaushi ishte njëri ndër mësimdhënësit e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë që kishte nis punën mbi gjysëm shekulli më parë, në vitin akademik 1967/68 e cila nga viti akademik 2012/13 u shnderrua në Universitetin “Fehmi Agani”.

Kuvendi i Serbisë në vitin 1990 mori vendim për masa të dhunshme në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 1991 ato masa i implementoi. I ndodhur në këto kushte, Kuvendi i Universitetit të Prishtinës më 26 nëntor 1991, pos tjerash, zgjodhi rektorin e ri prof. dr. Ejup Statovci dhe vendosi vazhdimin e mësimit në gjuhën shqipe jashtë lokaleve legale (zyrtare) të uzurpuara nga policia serbe. 

 Në vazhdën e përpjekjeve për mbarëvajtjen e mësimit, prof. Bardhyli, tok me shumicën e kolegëve të tij, do vazhdoi punën deri në  fund të jetës si profesor i juridikut në sistemin paralel me mësim në gjuhën shqipe në Prishtinë në  kushte të ambienteve private (“shtëpi-shkolla”) të improvizuara si salla apo klasë mësimi duke aplikuar metoda tradicionale (p.sh. ligjërata).  Në funksion të afirmimit të këtij Universiteti dhe ringjalljes së veprimtarisë studentore në rrethana të këtilla të rënduara, Unioni i Pavarur i Studentëve  mbajti protestat më 1 tetor 1997.

S’do mend se profesori Bardhyl do të kujtohet e përkujtohet me nderim të lartë prej dhjetëra brezash sepse e qoi përpara traditën e profesorit themeltar në kohën e autonomisë së rrënuar (1989-1999). Vepra e tij është pjesë e vyer  e trashëgimisë akademike të mësimdhënësit të pasionuar.

Ç ‘është e vërteta, në rrugëtimin e tij prej pedagogu universitar do mbahet mend gjatë si figurë qendrore e së drejtës romake të plejadës së profesoratit juridik  prishtinas të tre dekadave të fundit te shekullit XX (1970 -1999) figurë që ende nuk është përsëdytur, kujtoj unë.

Përndryshe, prof. dr. Bardhyl Çaushi prej vitit 1993 deri në frymën e fundit, përkrah aktivitetit pedagogjik në Prishtinë, ushtroi edhe veprimtarinë avokatore në Gjakovë. Ndërkaq, për vitin akademik 1999/2000 ishte zgjedhur Dekan i Fakultetit të Drejtësisë duke pasuar pararendësin, prof. dr. Ragip Halili (1997/98).

I brumosur me  parimet (maksimat) juridike  të dala prej të drejtës romake – në njerën anë dhe i fisnikëruar me të drejtën zakonore shqiptare – në tjetrën anë, kjo figurë gjigante prej juristi la pas vetes veprën e veshur me tisin e krenarisë kombëtare shqiptare me të cilën mbështillej vepra e tij intelektuale, konkretizuar me atdhetari patetike.    

Prof. dr. Bardhyl Çaushi ishte edhe studiues e dijetar eruditë në botën shkencore juridike shqiptare të kohës.

Në këtë sens, veprimtarinë studimore e kishte promovuar me shkrimin studimor  “Shkurorëzimi për shkak të jetës së padurueshme të bashkëshortëve” publikuar në revistën “Përparimi”, (Prishtinë, nr. 6/1970). Të theksojmë kalimthi se në gamën  e shkaqeve (rrethanave)  të jetës së padurueshme bashkëshortore, pos tjerash,  artikullshkruesi, përmend: ”mënyrën e edukimit dhe shkallën e arsimimit, ndryshimet në pikëpamjet për jetën, martesën dhe familjen, ndryshimet e mëdha në vjet, impotenca seksuale”, etj.

Ndërkaq, në  artikullin: “Një vështrim, historik – krahasues rreth  çështjes së autonomisë  së vullnetit dhe interpretimit të kontratave”  që ishte botuar në dy revista: “Pravni zivot” (Beograd nr. 1/1971) dhe Përmbledhje punimesh – Zbornik radova”, 1961-1971 (Prishtinë, 1972), me argumente të thelluara bazë artikullshkruesi kishte ngritur tezën sipas së cilës “principi i autonomisë së vullnetit i shkruar në Kartën e të drejtave të njeriut dhe qytetarit si dhe  Code civil  u bë njëri nga preokupimet  më të mëdha shkencore  të  doktrinës së atëhershme  juridike në tërë Francën  e bile edhe anë e mbanë Europës borxheze”.

Në shkrimin “E drejta e parablerjes sipas të drejtës zakonore shqiptare” (E drejta-Pravo”, nr. 1/78) autori filimisht thekson se e drejta zakonore shqiptare  njeh të drejtën e parablerjes vetëm mbi sendet e paluajtshme. Më pas gjen se Kanuni i Lek Dukagjinit nuk përmban këtë institut juridik. Por, “brendësia e këtij nocioni juridik rregullohet me të gjitha modalitetet e veta në tërësi me paragrafet 464-472 të Kanunit të Lek Dukagjinit”, kishte shpjeguar ai. Sipas tij,  e drejta e kontraktuar e parablerjes bazohet në një marrëveshje paraprake kontraktuale. ”Pleqnarët gjykues” gjatë vendosjes për sendet e paluajtshme respektonin pajtimin e vullneteve të palëve  dhe formën e kontraktimit, pohon autori.

“Besa një ndër mbështetjet  e vazhdimësisë iliro-shqiptare”, botuar në Përmbledhje punimesh”, botimi II, 1974 në fakt ishte diskutim i prof. Çaushit në Kuvendin I mbi ilirët mbajtur në Tiranë prej 15-20 shtator 1972. 

Mes tjerash, ai mëtonte se besa ishte rrjedhojë e kushteve dhe rrethanave historike ndër shekuj nëpër të cilat kaloi popullata ilire dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët.  Besën e shihte si “vlerë etike të  kulturës  sonë autentike shpirtërore” e cila kishte ndikim në “marrëdhëniet juridike e të tjera”.  Vlera morale e besës vjen në shprehje te respektimi i mikut dhe pajtimi i hasmërive, shprehej ai. Pohonte se  besa ishte më e fortë se format më rigoroze të punëve juridike romake duke shtuar se ajo ishte në epiqendër të drejtës zakonore shqiptare – Kanunit të Lek Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut, Kanunit të Musë Ballëngjinit, etj.

Pjesë integrale e krijimtarisë shkencore të prof. dr. Bardhyl Çaushit përbën edhe artikulli “Testamenti në të drejtën romake” (“E drejta” nr. 1-2/98). Testamenti këtu trajtohet përgjatë  periudhës fillestare, klasike dhe postklasike.  Sipas tij, historikisht, testamenti  “paraqitet si njëri ndër  institutetet më të vjetra të kësaj të drejte” i cili  “lajmërohet me shfaqjen e  pronës private mbi mjetet e prodhimit”. Testamenti aspironte disponimin e së drejtës pronësore nga trashëgimtarët pas vdekjes së testatorit. Ishte punë e njëanshme formale juridike “në rast vdekjeje”, vlerëson autori. Si “institut  ishte i panjohur  për shoqërinë e parë gjentile të Romës, kur mjetet e prodhimit ishin  në pronësi kolektive”, vëren autori. Ai specifikon spektrin e gjërë të trajtave të testamenteve:  testamenti tabulae (me shkrim); testamenti  verbal (nunkupativ); testamenti pretorian; testamenti olografik; testamenti  alografik, etj. Artikullin e përfundon duke trajtuar elementet e përmbajtes së testamentit: emërimin e trashëgimtarëve, masën trashëgimore, mënyrën e ndarjes dispozitat sekondare (urdhëresat dhe kushtet); substitutet testamentale; legatet dhe fideokomiset.

Në vijim do t’i përkujtojmë disa tituj tjerë të shkrimeve të profesor Bardhylit: “Kontrata mbi dorëzanin në të drejtën romake (ad promissio)”, botuar në Përmbledhje punimesh – Zbornik radova, Fakulteti juridik Prishtinë,  1977; “Kontrata e shitblerjes në të drejtën romake” (Përmbledhje punimesh – Zbornik radova, Fakulteti juridik, Prishtinë, 1978, nr. VI); Kontrata mbi huan në të drejtën zakonore shqiptare” (Përparimi, Prishtinë, 1980, nr. 3); “Besa – bona fides ngjajshmëritë dhe ndryshimet  midis tyre” (Përparimi”, Prishtinë, 1978, nr. 5; Bashkëshortët dhe shkurorëzimi  i martesës, (fejton,gazeta “Rilindja, Prishtinë, janar 1971).

Ndryshe, prof. dr. Bardhyl Çaushi kontribuoi  në shkencën juridike deri në frymën e fundit. Ç’është e vërteta, teksa ishte në fazën e përfundimit të hartimit të tekstit universitar “E drejta romake”  në vitin 1999, piromanët e shtetit serb e kallën shtëpinë e tij gjatë kësaj lufte dhe kësisoj asgjësuan edhe dorëshkrimin konkret i cili do t’ishte një prurje me vlerë origjinale me të cilën do begatohej fondi i trashëgimisë së shkencës juridike shqiptare dhe i krijimtarisë së tij shkencore.

Prof. dr.  Bardhyl Çaushi shquhet edhe në fushën e përkthimeve. Është shqipëruesi i parë nga serbokroatishtja i tekstit universitar “Sistemi ekonomik i Jugosllavisë” (Gjorgje Mileviç) në vitin 1965. Ndërkaq, në vitin 1971 shqipëroi edhe tekstin tjetër universitar “E drejta romake” (Ivo Puhan), në vitin 1971.

Prof. dr. Bardhyl Çaushi si anëtar i Komisionit për ndryshime kushtetuese (1968)  në Kushtetutën e Jugosllavisë (1963) gjatë përsiatjeve të thella kishte marrë shtysë nga pozita e rëndë kushtetuese e Kosovës. Ndaj, gjakonte me devotshmëri sikundër avancimin e  statusit kushtetues të saj (Republikë) ashtu edhe zgjerimin e funksionit legjislativ  të Kosovës në kuadër të federatës jugosllave. Krahas profesorit te nderuar tij u dalluan edhe intelektualet: Gazmend Zajmi, Fehmi Agani, Ali Hadri, Rezak Shala, etj.

Pas përpjekjeve të gjata dhe sfiduese të intelegjencisë  shqiptare të kohës dhe jo vetëm, në vitin 1974 u aprovua Kushtetuta  jugosllave, ndërsa për herë të parë Kushtetuta e Kosovës. Me to Kosova u cilësua element konstituiv i federatës jugosllave gjë që shënonte ngjarje kulmore juridike, politike e kushtetuese për kushtet dhe rrethanat e kohës. Kështu, edhe pse pozita e këtillë e Kosovës në procesin e shtetndërtimit dukej e ngjashme me republikat jugosllave. Megjithatë, Kosova nuk ishte e barabartë me to.  

Në fakt, pozita juridike kushtetuese e Kosovës filloi së dobësuari në vitin 1989 me rrënimin e autonomisë së Kosovës përmes amandamenteve në Kushtetutën e Serbisë (1989) dhe vazhdojë së rrënuari me nxjerrjen e Kushtetutës së Serbisë (1990) dhe ligjeve që i atribuoheshin: veprimit të organeve republikane në rrethana të veçanta (1990);  ndërprerjes së punës së Kuvendit dhe Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (1990); marrëdhënies së punës në rrethana të veçanta (1990);  ndërprerjes së punës së Kryesisë së Kosovës (1991) dhe me vendime të ngjashme.

Prof. dr. Bardhyl Çaushi do të mbetet zë i veçantë në këtë proces shtetformues me angazhimin e tij për hartimin e dy dokumenteve burimore të vetëpërcaktimit politik, me kryehartues akademik Gazmend Zajmin. Dokumenti i parë ishte Deklarata kushtetuese për Kosovën njësi e pavarur dhe e barabarte me  njesitë tjera të federatës-konfederatës jugosllave. Ky akt u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 2 korrik 1990. Këtu u anulua Vendimi i këtij Kuvendi i  23 marsit 1989  mbi “dhënien e pëlqimit” në amandamentet e Kushtetutës së Serbisë  të 28 marsit 1989 dhe rrjedhimisht u derogua Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit e vitit 1945 mbi bashkangjitjen e Kosovës Serbisë. Mirëpo, këtë Deklaratë  e anuloi Gjyakata Kushtetuese e Jugosllavisë nga presioni i shtetit serb, s’do mend. Dokumenti i dytë burimor i vetëpërcaktimit politik  ishte Kushtetuta e Republikës së Kosovës, miratuar nga Kuvendi legal dhe legjitim më  7 shtator 1990. Akti juridik suprem konfirmoi  se Kosova dhe populli shqiptar i saj deklarohen politikisht  njësi të barabarta me  republikat tjera në rendin e ri kushtetues federal apo konfederal jugosllav. Ndryshe, është pikërisht kjo Kushtetutë e cila shenon shpalljen e pavarësisë, përkatësisht aktin e parë të njohjes së subjektivitetit të Kosovës  dhe të shqiptarëve në Jugosllavi.

Të dy këto dokumente me rëndësi jetike për procesin e shtetformimit, u pasuan me të tretin dokument burimor për përcaktimin politik – Rezolutën e 18 tetorit 1991 mbi  Republikën e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran  bashk me vendimin mbi mbajtjen e referendumit për këtë.

Ndryshe, kryeprotogonisti ynë kishte dëshmuar në seancën e Gjykatës kushtetuese të Jugosllavisë të 30 majit 1991 ku po vlerësohej  vendimi i Gjykatës kushtetuese të Serbisë, datë 7 shkurt 1991 me të cilin qe refuzuar propozimi i Gjykatës së Punës së Bashkuar të Kosovës të 9 korriku 1990 për konstatimin e jokushtetushmërisë së Ligjit për veprimin e organeve republikane në rrethana të veçanta të 26 qershori 1990 dhe ishte hedhë poshtë e njejta kërkesë.

Duke shpalosur dëshminë e vet me qartësi e thellësi analize, meditimi profesional dhe stili elokuent narrativ,  prof. dr. Bardhyl Çaushi, atëbotë Kryetar i Shoqatës së Juristëve të Kosovës,  pos tjerash, ishte shprehur: “Serbia i jep vetes të drejtë që pa vrarë mendjen për rregullativën kushtetuese federative nëpër dyer të vogla anësore të fut gjendjen e jashtëzakonshme dhe të shpall ekzistimin e rrethanave të jashtëzakonshme në pjesën e territorit të Serbisë duke u shmangur me këtë rast që të thotë qartë se fjala është për  Kosovën si njerën  nga njësitë federale, pozita e së cilës, të drejtat dhe detyrat e saj  janë të përcaktuara  në mënyrë të prerë me  Kushtetutën ende  në fuqi të RSFJ  të vitit 1974 … si territor i banuar me popullatën shqiptare mbi 90 % si territor në të cilin shqiptarët jetojnë me shekuj dhe mijëvjeçar si popull autokton … Kosova po shndërrohet në terren për asgjasim vandal juridik të cdo gjëje që është shqiptare …  si në  legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor … edhe në arsim, kulturë, shëndetësi, ekonomi, bile  edhe në sport, … se përmes zbatimit arbitrar … ka pasuar përjashtimi masiv nga puna ekskluzivisht i punëtoreve shqiptarë … Delegimi i kompetencave të gjykatave dhe organeve tjera … paraqet një akt të uzurpimit  të vrazhdë të pushtetit në dëm të organeve të judikaturës  dhe të administratës së Kosovës… Prandaj propozoj që Gjykata e nderuar Kushtetuese e Jugosllavisë të konstatojë jokushtetushmërinë e Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të veçanta dhe të njejtin ta heqë nga sistemi jonë, edhe ashtu i eroduar juridik”.

Para gjyqtarëve të kushtetuesës jugosllave dhe audiencës profesionale , kishin dëshmuar edhe  juristët e mirënjohur kosovarë: prof. dr. Esat Stavileci, Nike Lumezi, Gani Tigani, etj.me ekspertizat dhe oponencat e tyre shkencore e profesionale

Përkundër  prezantimeve të dëshmitarëve kosovarë, kushtetuesja jugosllave kishte lënë në fuqi  vendimin e kontestuar te kushtetuesës serbe.

Përndryshe, prof. Bardhyli,  ky atdhetar i shquar,  ishte përfshirë tok me akademikë, intelektual, studentë, etj.  në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve dhe Ngatërresave në Kosovë tash e 31 vite më parë (1990-1992) udhëhequr nga prof. Anton Çetta që rezultoi me shtrirje dore të mijëra familjeve shqiptare në Kosovë të cilët jetonin të hasmuara ndër vite e dekada për motive gjakmarrjeje dhe hakmarrje.

Në fushën e organizimit politik prof. dr. Bardhyl Çaushi ishte Këshilltar për arsim i Presidentit Ibrahim Rugova dhe përfaqësues i delegacionit kosovar për arritjen e Marrëveshjes së arsimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Prof. dr. Bardhyl Çaushi është nderuar nga institucionet më të larta të Kosovës me Medalen e Artë të Pavarësisë për meritat e tij  për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga Presidenti Ibrahim Rugova, me 30 shtator 2005; Medalen e Artë “Mësues i Merituar” nga ish-Presidenti Fatmir Sejdiu dhe me Medalen e Arte Presidenciale te Meritave.

Prof. dr. Bardhyl Çaushi  është njëri ndër tetë profesorët e Universitetit të Prishtinës të cilët u vranë gjatë luftës së viteve 1997-1999 në Kosovë. Profesori Bardhyl, u shua sot e 22 vite me parë, më 10 maj 1999, pikërisht në dhjetëvjetorin e doktoraturës së tij, në moshën 62 vjeçare duke u ekzekutuar nga dora vrastare e forcave të armatosura serbe. Kjo ngjarje tragjike trishtoi jo vetëm familjen e qytetarët e Gjakovës por edhe botën akademike, komunitetin studentor dhe të tjerët gjithandej në hapësirat shqiptare. Trupi i pajetë i kthyer me shumë peripeci nga Batajnica serbe u rivarros më 30 shtator 2005 në ceremoninë mortore të varrimit të 13 martirëve në Varrezat e dëshmorëve në Gjakovë. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme