Besnikëria e testamenteve

24 Dhjetor, 2021 - 11:12 am

Secila formë e shkrimit ngërthen në vetvete një projektim emocional të veçantë, i cili reflektohet në tërsinë tekstuale të saj. Duke pasur parasysh krijimtarinë e pafund publicistike të shkrimit në kulturën shqiptare të korpusit të madh të veprave, ne do ndalemi te forma e shkrimit publicistik siç është testamenti, për ta parë mënyrën e realizimit dhe modifikimit në saje të tri modaliteteve të ndryshme të individualiteteve të rëndësishme të kulturës shqiptare, si: Faik Konica, Mitrush Kuteli dhe Mid’hat Frashëri.

Testamenti konsiderohet një vepër e rëndësishme, e shkruar nga një veprimtar shoqëror, nga një shkrimtar, një shkencëtar, individ me status të caktuar shoqëror. Kjo formë shkrimi zakonisht shkruhet gjatë viteve të fundit të jetës, në të cilën pasqyrohen pikëpamjet kryesore të autorit të tekstit për fushën e tij përkatëse ose për të paraqitur dëshirat, kërkesat, gjë që me vullnetin e tij i lë pasurinë a sendet vetjake dikuj tjetër me fjalët e fundit para vdekjes.

Në objektin tonë të analizës dhe diskutimit do evidentojmë karakteristikat e mënyrës së shkrimit të tri personaliteteve të ndryshme; të shohim përafritë dhe dallimet për fjalët e fundit të tyre, dëshirat e kërkesat që i paraqesin dhe si rezultat i kësaj ne problemin do e shtrijmë në tri teza:

1. Kuteli mes brengës dhe mallit.

2. Instituti Albanologjik si trashëgimia më e qenësishme e Frashërit.

3. Konica mes mërgimit dhe atdheut.

Tezat, substancialisht, janë rezultat i ideve fundamentale dhe intencave autoriale, të cilët në testamentet e tyre ku më pak e ku më shumë kanë realizuar një dimension specifik të ndieshmërisë së tyre, duke u gjendur mes fundit të jetës dhe vdekjes, e cila rezulton të jetë një gjendje mjaft e sikletshme dhe e ankthshme si mënyrë e përjetimit për natyrën njerëzore. Këtu kemi përjetimin dhe perceptimin e kësaj gjendjeje nga pozita e intelektualit.

1. Kuteli mes brengës dhe mallit

Parashtrimi i çështjes së testamentit të Kutelit te teza është rezultat i atij emocioni, që ai e reflekton ndër të tjera në shkrimin e tij. Brenga, e cila është rezultat i mendimit dhe kuptimit për mosprezencën së tij pranë familjes dhe pasardhësve të tij pas vdekjes dhe për faktin se kush do kujdesej për ta; si do ia dilnin, sa do të ishte e vështirë jeta për ta dhe malli vjen si rezultat i kujtimit të jetës së kaluar, i veprimtarisë jetësore, sidomos pikante është ndieshmëria e dhembjes drejtuar gruas së tij si personi më i afêrt dhe më i kuptueshëm i gjendjes së tij gjatë proceseve jetësore tejet të vështira që nga fillimi deri në fund.

Kutelin ne e kemi njohur si krijues, kritik, estet, veprimtar kulturor në shumë procese, të cilat kanë pasur ndikim të madh në etablimin dhe konsolidimin e identitetit kulturor shqiptar dhe njëherish figurë e betonuar në historinë e letërsisë shqipe.

Kushtet shëndetësore në të cilat e shkruan testamentin Kuteli kanë një rëndësi në determinimin e gjendjes emocionale dhe atmosferës së shkrimit dhe reagimit, të cilat i evidenton vet ai, si: pleqëria e skajshme, rëndesat dhe sëmundja active, të cilat e kanë lodhur dhe herë pas here si pasojë e tyre nuk arrin ta ruajë qetësinë në shkrim, me ç`rast theksohen sitauta meemocione me karakter shpërthyes e revoltues në vazhdimësi. Ai pohon në mënyrë të vazhdueshme se mezi arrin të shkruajë fjalët e fundit në testament, që, faktikisht, alarmon një vdekje të afërt për veten.

Në tërësinë e realizimit tekstual testamenti rezulton të jetë tejet intim e personal për nuancat e referencat e problemeve dhe së kaluarës së tij brenda dhe jashtë familjes, të cilat do i merrte me vete në varr, andaj në një pjesë të informacioneve dhe përjetimeve del të jetë i rezervuar në disa aspekte, kur i thotë gruas së tij se “ti i di mirë…”, në vazhdim e sipër me theks të veçantë, ai shpalos momente dhe situata nga puna e tij si drejtor banke dhe evidenton gjëra, të cilat pasqyrojnë dhe provojnë fisnikërinë e tij jetësore dhe burrërore si njeri i pakompromis me të keqen dhe stoik në parimet e tij profesionale e etike, saqë qe në gjendje t’i paguajë edhe me jetë po qe nevoja.

            Të gjitha këto na japin një Kutel tjetër nga ai që jemi mësuar për ta parë. Ai evidenton këto merita të tij, në mënyrë që t`i shpërblehet ky mund familjes së tij, jo atij se tashmë ky nuk kishte nevoja vetiake. Preokupimi i vazhdueshëm i tij është fati dhe mënyra se si do mbijetojnë familjarët pas vdekjes dhe shuarjes së tij dhe herë pas here një shpresë e mban kur pohon se do gjendet ndokush që do ta vlerësojë atë që ka bërë në dobi të shoqërisë dhe vendit të tij.

Kuteli ndër të tjera zhvillon një relacion filozofik mes jetës dhe vdekjës si dy komponentë fundamentalë jetësorë, kur flet për jetën është tejet racional; një njeri i ngritur që ka kaluar një jetë me përplot halle, probleme, vështirësi dhe këtë ai e përkufizon si cikël jetësor të përmbyllur të pranueshëmmirë apo keq, tani e konsideron normale vdekjen në fund madje për ta parë edhe si shpëtim, kur jeta shndërrohet e bëhet e vështirë kur thekson gjendjen e rëndë shëndetësore dhe jetën parazite që për të ishin të papranueshme dhe do i jepte në këmbim me vdekjen. Vdekja si proces i natyrshëm fundamental njerëzor për Kutelin gjen mirëkuptimin e formës së kryer tek ai, andaj si vazhdimësi e saj edhe porosia e organizimit të funeralit është e çuditshme kur pohon se:

  “Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!”

Ky është fragmenti, i cili përmbledh në mënyrë koncize dhe konceptuale pikëpamjet e tij mbi vdekjen dhe kalueshmërinë e tij si vazhdimësi të kësaj ideje na ofrohet edhe te pjesa e njerëzëve, të cilët do të duhej të informoheshin për vdekjen e tij. Kjo sjell mënyrën e gjykimit dhe lidhjes së Kutelit me qenien individuale njerzore si vlerë unike e manifestuar tek ai, kur edhe i numëron gruas se kë ta thërrisnin kë jo, pjesë në të cilën na shpalosen marrëdhëniet e tij me shoqërinë dhe familjen e ngushtë. Kjo bën të njohim një pjesë të botës së tij internale tjetër në këtë relacion kur pohon se:

  “Të kam thënë gjithnjë: gjaku ujë s’bëhet… po bëhet qelb.

Për këtë shkak nuk dua që ime motër Lirie të më qajë e të bëjë gurgulet e saja. Sot më vret me sjelljet e saj të fëlliqura, nesër më qan, si në komedi. Jashtë!”

 Kutelin ne kemi arritur ta shohim në testament të paraqitur në tri pamje; në pamjen e parë jepet gjykimi i veprimeve të tij dhe kuptimi i perceptimit të jetës që ka të bëjë me individualen dhe veprimtarinë e përgjithshme personale. Pamja e dytë paraqet Kutelin në relacion me gruan dhe jetën bashkëshortore dhe pamja e tretë Kuteli në relacion me fëmijët e tij. Nga dy pamjet e para, ne evidentuam dhe portretuam ato karakteristika të karakterit dhe personalitetit të tij fisnik e të matur dhe njeri me horizonte të hapura të të menduarit.

            Kuteli në relacion me fëmijët ruan marrëdhënien prind-fëmijë; është i dashur i afërt dhe mësues i jetësor i tyre në kuptimin e përgjithshëm në proceset që ata i presin dhe ky për t`u bërë udhërrëfyes i tyre nga pozita e një njeriu që ka përvojë dhe një siguri në ato që thotë. Ne do thonim që pjesa më me interes dhe më e fuqishme artistikisht dhe pjesa më e mirëmenduar janë fjalët drejtuar fëmijëve, ku ndër të tjera i bën thirrje të jenë të dashur për njëri-tjetrin; të jenë të urtë, ta duan gjuhën vendin dhe të anojnë gjithmonë nga e mira, mos të kultivojnë të keqen në shpirt dhe te tjetri. Mësimet për jetën ai i transmeton te ta me një sinqeritet dhe qartësi të natyrshme kur thotë se:

 “Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj, vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni! Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arsyes. Shpesh zemra të shpie në udhë të gabuara, në qoftë se nuk e drejton arsyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndërroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjesit me menjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.”

Mbi bazë të këtyre këshillave pikante, Kuteli do të lë në trashëgimi të shoqërisë individë produktivë dhe të dobishëm, të cilët do kontribuojnë në të mirë të shoqërisë dhe proceseve të saj. Interesante janë edhe thirrjet që bën se si duhet projektuar dhe perceptuar jetën, në mënyrë që gjërat të funksionojnë në rrafshin pragmatik, të mos rrëmbehemi nga fantazi koti, por të qëndrojmë më afër të mundshmes dhe tokësores gjithmonë, duke bërë përpjekje të jemi të mirë me vetveten dhe me tjetrin. Ai ndan me ne edhe përvoja profesionale e letrare, kur flet për profesionizmin dhe manifestimin e zhvillimit të letërsisë në vendin tonë, duke e përkufizuar si profesion sfidues dhe një terren tejet labil për kushtet ekzistuese dhe mënyrën e funksionimit që nuk ofron një akomoditet në zhvillimin profesional e jetësor. E gjitha kjo ngelet përfundimisht pikante dhe qenësore që janë mësime në sensin universal dhe të aplikueshme për krijimin e një tradite dobiprurëse dhe funksionale në jetë.

Dimensioni atdhetar si fat i predestinuar t`i përcjellë elitën kulturore në vazhdimsi si shqetësim dhe pasiguri e ekzistencës nacionale nuk e çliron as edhe Kutelin, as edhe në fjalët e fundit, por kësaj here të dhëna reduksionalisht dhe racionalisht si pjesë të pandashme e amanetit që duhet transmetuar te fëmijët për të qenë gjithmonë të gatshëm përkrah ruajtjes e kultivimit të gjuhës e kombit:

 “Atdheu është atdhe bile edhe atëherë kur të vret”.

Mënyra e shkrimit të testamentit te Kuteli në planin narrativ dhe të stilit i përafrohet prozës së mirëfilltë artistike, sidomos te pjesët e para të rrëfimit të ëndrrës dhe sekuencave të tjera jetësore, të cilat kanë një rend logjik dhe linear të realizimit të momenteve kyçe në jetën e autorit si interferime të vazhdueshme për lidhjen e së tashmes me të ardhmen dhe me të kaluarën. Stili dhe gjuha janë vazhdimësi e shkrimit të tij letrar, me ç`rast me një natyralitet dhe gjuhë të rrjedhshme dhe nocione specifike arrihet një shkëlqim i tekstit me idenë dhe intencën e autorit.

Si përfundim i asaj që e përkufizon më së miri jetën dramatike dhe testamentin e Kutelit janë fjalët e vetëshkruara të tij, kur thotë se kam:

 “Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë”.

2. Instituti Albanologjik si trashëgimia më e qenësishme e Frashërit

Mid’hat Frashëri intelektual, krijues e publicist, veprimtar politik një jetë kushtuar letrave dhe atdheut, vazhdues i traditës së madhe familjare të Frashêrve të mëdhenj, pa dyshim që këtë traditë do të donte ta linte edhe si trashëgimi vazhdimësinë e punës dhe krijimit të zhvillimit kulturor letrar te brezat pasues.

Frashëri testamentin e tij e shkruan me një gjendje të mirë shëndetësore e emocionale, përkundër Kutelit dhe kjo pa dyshim që vlen të theksohet dhe evidentohet, ngase del të jetë më i rezervuar në saje të preokupimeve të tij shëndetësore e jetësore dhe nuk lejon t’i përvidhen në tekst gjendje të caktuara emocionale si pasojë e realitetit të tij vetjak, por ka një koncept të qartë të kërkesës së tij; shkrimit dhe realizimit nëpërmjet testamentit drejtuar bashkëkohasëve, bashkëpunëtorëve të tij dhe brezave pasues. Në relacion me Kutelin që zgjerohet në diskutimet e tij me një shkrim më sensibilizues, Frashëri nëpërmjet tesktit të tij dyfaqesh në mënyrë precize e koncize me një qëllim të vetëm krijimin e Institutit Albanologjik shtron kërkesën në mënyrë graduale të shkallëzuar, duke paraqitur atë se çka don, si duhet të bëhet, me çka duhet të bëhet, si duhet të funksionojë dhe qëllimi kryesor i saj.

Duke shkruar testamentin e tij Frashëri i qëndron besnik natyrës dhe prestigjit të tij intelektual, i cili bëri gjithçka dhe gjithmonë në të mirë të shoqërisë; një altruis, vizionar, filantrop dhe logjik në saje të asaj se çka kërkon, duke arsyetur në vazhdimësi përpjekjen e tij për krijimin e një baze të shëndoshë kulturore. Në pika të veçanta janë të dhëna kërkesat specifike për bible,otekën e tij në të cilën flet për materiale të rëndësishme të trashëguara nga babai dhe nga ungjit e tij që të mos ndahen, por të shiten ashtu bashkë me gjithë krijimtarinë e tij. Gatishmëria dhe përpjekja e Frashërit për ta bërë realitet kërkesën e tij hetohet nga këmbëngulja dhe bërja e hapave të parë të gurthemelit në të gjallë të tij që në këmbim të krijimit të Institutit të jap çdo qindarkë dhe çdo gjë nga pasuria e tij materiale, letrare dhe çdo mjet tjetër poesedues i tij të ngelet në shërbim të krijimit të Institutit Albanologjik.

Dëshira dhe përpjekja e Frashërit është një ideal i lartë kulturor, ngase duke krijuar një Institut funksional do të bëhej një punë e madhe me vlerë ku nëpërmjet saj do të bëhej botimi dhe shpërndarja e pa fund e titujve dhe librave të natyrave të ndryshme kulturore e studimore.

Projektimi i Institutit do të duhej të bëhej në proporcion me rregullat dhe parashikimet e Frashërit, në mënyrë që ky i fundit e kishte paraparë të ishte sa më funksionale për efektivitetin e punës; të ishte larg çdo objekti ose godine tjetër, në mënyrë që të evitohej rreziku nga zjarri, objekti duhej të posedonte një konglomerat dhe korpus të madh veprash, zyra të punës, oda për qëndrimin e studiuesve dhe eksploruesëve të huaj, të cilët kanë interesim për njohje dhe studim të kulturës sonë, të kishte një udhëheqje Institutiti që përbëhej nga një hierarki profesionistësh, me ç`rast secili do të kishte kompetenca të caktuara dhe do të ekzekutonte detyrën e tij.

Frashëri e çmonte dhe kishte në konsideratë bibliotekën e tij, andaj bënte thirrje të vazhdueshme që ajo shitej tok dhe të mbante emrin, të cilin i kishte dhënë vetë ai.

Si shenjë mirënjohjeje për të Frashëri kërkon që të gjitha librat që dalin nga Instituti të mbajnë vulën e emrit të tij krijues “Bibloteka Lumo Skendo 1897” dhe pjesa të thuhet më e ndieshme e tekstit është kërkesa e tij për indentifikimin me Institutin dhe prehjen shpirtërore, të cilën do ta arrinte vetëm atëherë kur trupi i tij do të varrosej në një cep të oborrit, ku do të ngrihej katedra.

Porosia e madhe e tij për gjithë brezat pasues përpos Institutit Albanologjik është:

 “…të kenë gjithë shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të Kombit, që shqiptarizma të bëhet një dëshirë dhe një konviktim i thellë dhe që çdokush të kuptojë se e mira e Kombit është e mira e jonë private se nderi dhe lavdi i shqiptarëvet të gjithë, është edhe nderi dhe lavdi ynë personal.”

Jeta dhe vepra e Frashërit është ideal indentiatar, nacional e kulturor i lartë dhe kjo sipas parimeve të tij arrihet vetëm nëpërmjet arsimimit dhe kulturës, andaj pas vdekjes rëndësia është të vazhdohet kjo traditë e punës me format më të larta akademike të organizimit.

Teksti në tërsinë e tij ka një gjuhë të pastër shkencore në artikulimin e shprehjeve, faktografisë, logjikës së renditjes së kërkesave bazike, e redukton maksimalisht dimensionin letrar artistik të reagimit të tij karshi kërkesave, ngase ideja e asaj që thuhet është të precizohen dhe qartësohen në mënyrë bindëse dhe të hapur. Zhvillimi dhe realizimi i idesë kryesore të tij, e cila në esencë e ka të pashmangshëm funksionimin pa një qasje të tillë të shkrimit, që anon dhe modifikohet nga konvencat bazike të natyrës publicistike.

3. Konica mes mërgimit dhe atdheut

Kur flasim për modernitetin, Faik Konica është njëri nga emrat kryesor bashkë me shumë të tjerë, të cilët e instalojnë një mendësi të re të gjykimit, vlerësimit, krijimit, poetika të reja të shkrimit, qasje të reja studimore një njeri metonimi i neokulturës shqiptare në shumë fusha; letërsi, publicistikë, histori, politikë dhe një mori kontributesh tjera të pashmangshme deri sot.

Siç jemi mësuar në krijimtarinë e tij të shkruar shkurt të lënë ndonjëherë gjysmë më shumë premtues se sa realizues, të tillë do ta gjejmë edhe te testamenti i tij, i cili kap vetëm një preokupim momental të Konicës; atë të ceremonisë së varrimit, ngase siç shihet pjesët dhe porositë tjera Konica do të duhej t’i ketë lënë në krijimtarinë e tij të përgjithshme letrare e publicistike. Testamentin e tij Konica ia drejton Nolit dhe Lame Kodrës, të cilëve ua lë porosinë e kthimit të trupit të pajetë në Shqipëri dhe kryerjen e gjitha procedurave të funeralit, të cilat do të kujdeset ai vetë që t`i mbulojë nga shpenzimet e veta të përgatitura paraprakisht, fakt që e shquan personalitetin e Konicës që të merret çdoherë përgjegjësia mbi vete për atë që të takon.

Ky testament më shumë lë të nënkuptojë, sesa që jep material të gatshëm shkrimi. Përcaktimi i tezës, Konica mes mërgimit dhe atdheut, motivohet ndieshëm nga biografia e autorit, që një jetë të tërë rritet dhe jeton në mes të këtyre dy poleve, aq sa edhe fundi e gjen në megrim. Tani këtu përfundon gjithçka dhe halli tij i vetëm nuk është gjë tjetër, përpos që trupi i tij të prehet i qetë në atdhe dhe ky fakt është substancial për testamentin e tij.

Një tjetër çështje me rëndësi në këtë pikë është edhe specifikimi i raporteve të Konicës me Nolin; dy polemizuesit më të mëdhenj të kohës, rivalë politikë e kulturorë për kohë të gjatë dhe përfundimisht miq më besnikë dhe më të mirë me njëri-tjetrin. Këtë fakt e forcon edhe pohimi nëpërmjet testamentit, duke kategorizuar Nolin si njeriun më besnik në çeshtjet e tij më të ndieshme, si dhe Lame Kodrën, të cilit në tekst i drejtohet me një emër përkëdhelës, të cilëve u ngelet përgjegjsia morale e kthimit të kufomës në atdhe.

Lidhja e fortë për atdheun na del edhe tek testamenti i tretë i një intelektuali që shëtiti dhe pa botën; u pasurua me kultura, gjuhë, tradita, qytetëerimet e gjithë qyteteve të oksidentit dhe përfundimisht kërkesë e fundme e tij mbeti të tretet në tokën mëmë siç e quan ai vetë.

Teksti i testamentit të Konicës nuk shquhet për ndonjë vlerë stilistike apo gjuhësore, është tekst konciz i shkurtër, i qartë thotë me pak fjalë dëshirën e fundit të tijën pa ndonjë specifikim të ndonjë dimensioni të integruar e projektuar në tekst.

4. Testamentet në relacion me njëra-tjetrën

Krejt në fund ne mund të flasim veç e veç për secilin nga testamentet e lartcekura, me ç`rast pa dyshim secilin prej tyre e bren diçka e veçantë dhe nuk mund të jenë të ngjashme fjalët e fundit të tyre.

Kuteli del të jetë më i realizuar tekstualisht, emocionalisht, artistikisht në paraqitjen e pikëpamjeve dhe fjalëve të fundit në tërësi qoftë si mjeshtri, qoftë si njohje jep një rezultat më konstatues dhe si perceptim, ngase me të vërtetë janë fjalë, të cilat prekin përputhen me gjendjen e moshës, pavarësisht sa autori pretendon ta racionalizojë dhembjen, natyraliteti dhe sinqeriteti i rrëfimit janë bazike dhe identitare për ato që vlen të theksohen si tipare të testamentit të parë në relacion me Frashërin.

Frashëri, i cili e ruan një formë të reagimit dhe botëkuptimit të tij, ka një objektivë të qartë dhe parametrat e tij të rrëfimit dhe deklarimit të kërkesave specifike me një gjuhë precize; redukton maksimalisht sentimentin për shkak të natyrës së shkrimit të testamentit lë pjesë për të dëshiruar si shpërfaqje të tij të brenshme, por gjithçka rrjedh në suaza të normales dhe maturisë në të shprehur, nuk rrëmbehet as edhe kur diskutimi kalon kah vdekja dhe përjetimi i saj- tipi i intelektualit tipik racional.

            Konica siç theksuam edhe më lart jep shkurt qartë tablon e rrëfimit dhe deklarimit të porosisë në testamentin e tij, ka adresën se kujt i referohet në pak fjalë të dhëna me koncizitet dhe natyralitet shfaq preokupimin e tij dhe me një nderim e mirësjellje kryen fjalët në drejtim të atij që i bëhet thirrja.

E përafërta e përmbajtjeve dhe qëndrimeve të këtyre testamenteve është lidhja e të tre protagonistëve me vendin e tyre Shqipërinë; shpirti i tyre do të prehet vetëm brenda saj dhe do thoja shpresa se këto kërkesa të dhëna në formë testamenti nuk do bien në vesh të shurdhër, ngaqë subjekti që i referohen për ta është i mirënjohur dhe përbën një ndjenjë të madhe të besimit. Stilistikisht, janë të realizuara në forma të ndryshme; Kuteli ka afinitete krijuese që hetohen si në rrëfim si në realizimin gjuhësor e stilistik në konstatimet e tij dhe reflektimet emocionale, Frashëri përmbledh fakticitetin, shtrirjen e materialit në mënyrë sa më bindëse që anon dendur kah publicistika si natyrë shkrimi, ndërsa Konica ka shkurtësinë dhe qartësinë si dy komponentë, gjuha është e zgjedhur për t’iu përgjigjur formës së kërkesës së tij në thelb që realizohet si lutje.

Për të tri testamentet vdekja është proces fundamental njerëzor, andaj nuk përbën çudi dhe përjetim specifik të ndonjë natyre emocionale të veçantë.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Halim Halimi / KultPlus.com

Të ngjajshme