Breznia e re shqiptare, pa fajin e tyre, më lehtë komunikon e kupton tekste në anglisht se në shqip

21 Shkurt, 2023 - 10:30 pm

Ndue Ukaj

Facebooku sot ishte i mbushur me poezi e fjalë të zgjedhura për gjuhën shqipe. Pa dyshim, gjë e bukur, meqë është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare dhe gjuha amtare është shprehja e parë e kombësisë, thoshte me të drejtë Mitrusht Kuteli.

Kombin tonë s’e bashkon asgjë më shumë se gjuha dhe këtë e kanë pohuar shumë intelektualë e krijues shqiptarë.

Prandaj, përveç gëzimit që na jep gjuha jonë e ëmbël dhe e mirë, tingujt saj të melodikë, historia e kalvarit të saj, duhet t’i themi edhe disa të vërteta të hidhura.

Sot, teksa shihja këtë vërshim poezish e shprehjesh të bukura për gjuhën shqipe, mendja më shkoi te breznia e re që po formohet larg idealeve të gjuhës shqipe dhe larg ndjesive për gjuhën tonë të ëmbël që e kënduan dhe e shkruan aq bukuri Bogdani, De Rada, Naimi, Fishta, Mjeda, Konica, Koliqi, Kuteli, Poradeci, Camaj, Kadareja, Pashku…dhe shumë e shumë të tjerë.

Sot, breznia e re shqiptare, pa fajin e tyre, më lehtë komunikon e kupton tekste në anglisht se në shqip dhe ky problem s’duhet të gjykohet si çështje e agjendave moderne bashkëkohore, por edhe problem i brendshëm, dhe për mendimin tim, më së shumti pasojë e shkarjeve të mëdha të mënyrës se si transmetohet gjuha, dija e arti tek fëmijët.

Tekstet shkollore me të cilat edukohen breznitë e reja janë përplot shkarje logjike e fraza të ngatërruara, ndonjëherë pa lidhje logjike, e në të shumtën e rasteve përtej kapaciteteve gjuhësore që kanë fëmijët, prandaj edhe nuk nxisin dashurinë për gjuhën shqipe.

Se gjuha e teksteve shkollore është përtej kapaciteteve gjuhësore që ka një fëmijë, e pohojnë po thuajse të gjithë ata që kanë punë me tekste të tilla.

A duhet të merr dikush përgjegjësi përballë tkurrjes së gjuhës shqipe?

Pa dyshim se po, sepse, duke e tkurrë gjuhën shqipe, tkurrim vetveten dhe e rrezikojmë ekzistencën kombëtare.

Me siguri, ne mund të justifikojmë, siç dimë të bëjmë më së miri për shumë çështje, duke thënë se këso probleme ka edhe bota, por kjo s’është aspak e vërtetë.

Njoh shembuj tjerë që e provojnë të kundërtën dhe suedishtja që është gjuhë përafërsisht e madhe sa shqipja, e provon këtë, në të cilin vend ideali për gjuhën e kulturën suedeze vazhdon të jetë i lartë dhe nuk zëvendësohet me agjenda moderne.

Sot, është detyrë madhore ta ndalim hovin e tkurrjes së gjuhës shqipe dhe kjo betejë duhet të nisë me tekstet shkollore, me mënyrën sesi ua transmetojmë fëmijëve dijen, gjuhën e artin, për të vazhduar në nivelet universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme