‘Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica e dashuria’

18 Janar, 2020 - 10:58 am

Nga Edison Ypi

Budallai i bukur

Të veshur, të mbathur, të larë, të krehur, me muhabete të thjeshta dhe të rrafshëta deri në neveri, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme, budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo si tulla të njëllojta që sapo kanë dalë nga fabrika.

Budallenj të bukur kemi pasur edhe më parë. Por ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet. Koha kur njerëzia thoshin, “sa budallenj të bukur ka bota, le ti kemi dhe ne tanët”, iku. Sot që budallenjtë e bukur janë shtuar si hordhia e karkalecave mbi fushën me grurë, duket çudi si ndodhi që kemi më tepër budallenj të bukur se budallenj të pabukur.

Me pamje të jashtëme të studiuar para pasqyrës, qasje nazelie ndaj interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill i mbështjellë në guackë plot jargë budallallëku.

Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.

Budallai ynë i bukur s’ka muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende ekzotike të huaja.

Tashmë budallenjtë tanë të bukur i kanë zënë pothuaj të gjitha fërngjitë e politikës, zyrat e ndryshme, shoqërinë civile, mediat, ku budallenjtë tanë të bukur bëjnë hatanë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe natyrisht budallallëk të pafundëm.

Budallai ynë i bukur është një tyç i azhornuar, një antikonformist që mposht me llafe mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i përvjellur.

Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari, kompjuteri, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.

Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar jetën./ KultPlus.com

Të ngjajshme