Çmimin Nobel për Paqe ajo ua dedikoi të varfërve të saj dhe jo vetes së saj

17 Tetor, 2021 - 1:00 pm

Nga Gjon Keka

Me rastin e përvjetorit të nderimit me çmimin Nobel për paqe të Nënë Terezës sonë.

Nënë Tereza e përdori gjithë reputacionin e saj, nëpërmjet vetë shembullit të jetës së saj, për një botë më të ndjeshme e me më shumë dinjitet. Për të përhapur njohurinë dhe dashurinë qiellore ,ajo përdori gjuhën e saj të ëmbël, çapat e saj të lehta, por të shpejta, për t’u ndodhur aty ku është vuajtja.Ajo e dinte mirë se qëllimi i të gjitha ligjeve bazohet te dashuria.

Ditën e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, me dorën e saj ka shkruar këtë porosi:

Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shum luti Zotin qi Pagja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutuni shumë për fukarat e mij – edhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve.” (M.Tereza Bojaxhiu,Oslo, më 10.12.79)

Te këto fjalë, të dala nga thellësia e zemrës së Nënë Terezës, shprehet dashuria për atdheun që ajo la pas e që për të ishte një vend i rëndësishëm, si dhe për popullin e saj të vuajtur që kurrë nuk e harroi. Kjo lidhje e fortë dhe e ndjerë me atdheun është më se e kuptueshme, pasi Nënë Tereza kishte marrë nga prindërit jo vetëm edukatë të mirëfilltë, por ishte mëkuar edhe me ndjenjën e fortë kombëtare, se në venat e saj rridhte gjaku arbëror, ndaj dhe frymonte si arbënore kudo ku shërbente.

Figura e arbënores Gonxhe Bojaxhiu qe e thjeshtë, por zemra ishte e artë dhe e bekuar; e tillë shkëlqeu ajo edhe me veprat e saj të bamirësisë, duke i kthyer sytë e botës te popujt e vendeve të shkreta, të braktisura, por edhe të harruara.

Ajo foli me gjuhën e dashurisë, të tolerancës, të së vërtetës së thjeshtë – pra, me atë gjuhë që gjithkush e ndjen, nëse e ka dëshirën për ta kuptuar atë. Nisur nga kjo, Nënë Tereza iu përkushtua si askush tjetër dashurisë për të afërmin.

Prandaj ,Çmimin Nobel për Paqe ajo ua dedikoi të varfërve të saj dhe jo vetes së saj. / KultPlus.com

Të ngjajshme