займ на карту онлайн потребительский кредит

Covid 19: Pse njerëzit nuk besojnë në shkencë?

14 Nëntor, 2020 - 11:00 pm

Autor: Labinot Kunushevci

      Demotivimi dhe mosbesimi në autoritetin e shkencës fillon që nga edukimi shkollor. Nxënësit vijnë në shkollë pa disponim, i kalojnë orët mësimore me durim të sfiduar duke e pritur me padurim zilen e përfundimit të orës së fundit, madje nëse u mungon ndonjë arsimtar apo profesor, mënyra se si e shprehin gëzimin është shumë e çuditshme. Pse gëzohen kur i mbajnë vetëm pesë orë dhe jo gjashtë? Për shkak se do të shkojnë një orë më herët në shtëpi. Jo pse ata do të kenë më shumë kohë të bëjnë diçka të dobishme jashtë shkollës, por sepse shkolla nuk përjetohet si ambient kreativ, atraktiv, që ofron mundësi të zbulimit të talenteve dhe të shprehjes së stileve dhe të aftësive të ndryshme. Pra, një orë mësimi më pak, një orë monotoni më pak. Ndërsa mësimin e kanë rutinor, mekanik dhe literal. Jo pse besojnë apo kanë një vetëdije mbi përmbajtjet lëndore, por sepse janë të kushtëzuar për të marrë notë kaluese, për të marrë një certifikatë apo diplomë shkolle, për të fituar një kualifikim apo titull. Mosbesimi në shkencë fillon që nga edukimi fillor dhe vazhdon edhe në nivele dhe sfera tjera të jetës.

      Mosbesimi në shkollë, mosbesimi në universitet, mosbesimi në institute, mosbesimi në institucionet e dijes, mosbesimi në mësimdhënës, mosbesimi në ekspertë dhe profesionistë, mosbesimi në shkencë, është problem kulturor.

      Njerëzit injorantë, të pavetëdijshëm dhe të papjekur, janë më shumë të prirur të besojnë në konspiracione e mite, sesa në realitet, në fakte objektive dhe empirike, në të gjetura dhe konstatime shkencore. Si fjala vjen, në periudhën e pandemisë Covid 19, ka njerëz në Kosovë që nuk besojnë në ekzistencën e coronavirusit, duke konspiruar se është propagandë me qëllime të përfitimit ekonomik dhe manipulimit ideologjik.

      Pra, edhe kur një gjë pranohet botërisht, nga shumica e shteteve të botës, për të cilën krijohen teori nga institute dhe universitete shkencore me renome botërore, të vërtetuara në këndvështrime dhe disiplina të ndryshme, epidemiologjike, virologjike, infektologjike, mikrobiologjike, biokimike, sociologjike e psikologjike, nga specialistët dhe ekspertët e dëshmuar, analfabetët funksionalë me errësirën dogmatike dhe me logjikën primitive, krijojnë narracione konspiruese të falsifikuara dhe shpjeguara në atë mënyrë që e bën të lehtë besimin në to – viktimizimin, me tentimet për t’i ”racionalizuar” ato, ashtu që ta shmangnin rrezikun dhe krizën, t’i iknin ankthit social e konsumit psikik që po prodhon pasoja.

      Ata i shohim duke komentuar se virusi është një lojë e Fuqive të Mëdha; se virusi është një komplot botëror; se kjo pandemi është krijuar për të tërhequr vëmendjen se po vendoset një ”rend i ri botëror” dhe se bota përmes tij do të transformohet; se ”të infektuarit” po përfitojnë shuma të caktuara parash me kushtin që ta pranojnë statusin e të infektuarit pa qenë fare të infektur; se nëpërmes zbulimit të vaksinës dhe vaksinimit do të vendoset një mikroçip në trupin e njeriut dhe kështu do të vendoset kontrolli dhe sundimi mbi mendjet e njerëzve (pasoja: skepticizmi i vaksinimit si një ndër rreziqet kryesore të shëndetit publik); se virusi është prodhim i qëllimshëm laboratorik si armë biologjike apo biokimike për shfarosjen e njerëzve; se virusi është krijuar vetëm për të prodhuar vaksina dhe për të përfituar industria farmaceutike; se virusi është krijuar për të ulur apo dekompozuar numrin e popullsisë botërore, në veçanti moshës së shtyer – pensionistëve – me qëllim të kursimit të buxhetit të shteteve; se mjekët qëllimisht po i mbytin pacientët me Covid 19 duke përshpejtuar vdekjen e tyre përmes trajtimit joadekuat etj!

      Pra, po jetojmë në një periudhë kaotike ku po shohim lulëzimin e teorive të konspiracionit në rrjete sociale dhe media elektronike, të cilat po e komprometojnë vetëdijen dhe referencat shkencore të institucionalizuara. Dhe popullarizimi i konspiracioneve është bë i rrezikshëm po aq sa virusi, sepse po rrezikohet jeta e njerëzve, po ka humbje të mëdha të njerëzve. E gjithë kjo krijon konfuzion dhe skepticizëm të madh te njerëzit, duke i bërë ata të shpërfillshëm ndaj masave, se mos është një plan i fshehtë i shërbimeve sekrete prapa kësaj. Madje disa ironizojnë me virusin duke treguar papjekurinë dhe mendjelehtësinë e tyre.

      Një gjë është e sigurt se ky virus është i paparashikueshëm dhe si i tillë ka rrëzuar shumë hipoteza të ngritura në fillim të pandemisë që përjetoheshin si shpresë për tejkalimin e tij, se virusi dobësohet dhe zhduket në temperatura të larta, se virusi nuk i infekton fëmijët, se valët e përhapjes së virusit nuk zgjatin shumë dhe virusi për pak muaj zhduket, se na presin dy javë kritike e në fakt po na dalin gati dy vite kritike, gjë që ndodhi e kundërta. Prandaj përderisa ekzistojnë ende pyetje pa përgjigje, ku shkencëtarë të ndryshëm në botë po bëjnë hulumtime dhe po sjellin të gjetura të reja, sidomos në përpjekjen e tyre për zbulimin e vaksinës e cila ditëve të fundit japi disa shkëndija pozitive të efektivitetit në eksperimentimet e bëra, qytetarët duhet ta kursejnë gjuhën e tyre nga konstatimet e ngutshme e të pamatura në emër të shkencës. Hulumtimet shkencore janë referenca shkencore dhe jo statuset dhe qëndrimet personale të skeptikëve që krijojnë opinion në rrugë.

      Këto konspiracione krijohen dhe shpërndahen nga njerëzit më injorantë, më të pashkolluar, që nuk dinë ndonjë gjuhë të huaj, analfabetë funksionalë në përdorimin e teknologjisë, që shoqëria nuk i njeh për ndonjë kontribut të veçantë, të cilët nuk i njohin të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara me ligj, që nuk i njohin as problemet e vendit të vet, as të lagjes e as të familjes së vet, por që pretendojnë se e dinë të fshehten, të ardhmen, komplotet, rendin e ri botëror, marrëveshjet gjeopolitike dhe gjeostrategjike, planet sekrete, parashikimin për virusin etj. Ata që i dinë të gjitha këto nuk dinë asgjë.

      Kjo tregon edhe krizën e thellë të autoritetit të politikës dhe shkencës, ndonëse njerëzit mund të dyshojnë në shkencë sepse arritjet e saj nganjëherë në histori janë përdorur në dëm të njerëzve. Por njerëzit e vetëdijshëm besojnë se shkenca është në shërbimin e njeriut, se shkenca është një projekt në kërkim të së vërtetës dhe jo vetëm një instrument politik a propagandistik, që i shërben vetëm politikës, grupeve oligarke të interesit, qëllimeve të elitave për dominim.

      Kur edukimit i mungon kultura, vlerat humane, përgjegjësia publike, standardi etik, besimi në Allahun, Zotin dhe Krijuesin e Njerëzimit, atëherë ai keqpërdoret dhe instrumentalizohet, deri në format më ekstreme korruptive dhe të manipulimit publik. Pastaj nga një formë e edukimit pa kulturë paraqitet rreziku i keqpërdorimeve për interesa të caktuar.

      Sipas një artikulli të Daily Mail, dokumentet e zbuluara tregojnë se industria e sheqerit ka paguar dhe korruptuar shkencëtarët prestigjiozë të Harvardit që të publikojnë hulumtime që thonë se yndyra, jo sheqeri, ishte shkaku kryesor i sëmundjeve të zemrës. Pra, këtu kemi pasur të bëjmë me korruptimin e ndërgjegjes akademike, me keqpërdorimin e autoritetit të shkencës, si rezultat i mungesës së përgjegjësisë publike dhe standardit moral e etik në shkencë.

      Prandaj është shumë e logjikshme pyetja se a më shumë po i shërben njeriu shkencës apo shkenca njeriut? Kjo pra është ana tjetër e shkencës, që njerëzit i bën skeptikë, e nganjëherë skepticizmit dhe konfuzionit i kontribuon edhe komplikimi i përgjigjeve shkencore.

      Ambienti më i përshtatshëm i dezinformatës dhe të pavërtetave është ambienti i injorantëve. E injorantët dhe analfabetët funksionalë, që mendojnë me logjikën e turmave, nuk u besojnë koncensuseve dhe teorive shkencore. Më shumë kanë afinitet për të besuar në teori të komplotit dhe të konspiracionit. Ata dinë vetëm të shpërlajnë trurin e njerëzve, të masës së pavetëdijshme. E kjo filloi të përhapej edhe nga njerëz që kishin popullaritet, këngëtarë të estradës muzikore, totalisht naivë dhe injorantë, që në deklaratat e tyre mohonin ekzistencën dhe rrezikun e virusit, duke nënçmuar gjithë kontributin e jashtëzakonshëm të stafit mjekësor, gjithë ndjenjat e personave që humbën familjarët dhe miqtë nga Covid 19, gjithë ato institucione të angazhuara në luftë kundër pandemisë.

      Më shumë janë të prirur t’iu besojnë falltorëve e magjistarëve, demagogëve mashtrues, apo miteve, bestytnive dhe legjendave, të jetojnë si peng të tyre, të kontrolluar prej tyre, sesa një raporti shkencor të verifikuar me prova shkencore. Më përpara kërkojnë shërim tek autoritetet e rrejshme, te manipuluesit e popullit, që kanë bërë emër në shoqëri me metoda primitive, sesa te trajtimet shkencore, te profesionistët shkencorë me aparaturë shkencore moderne.

      Njësoj ekziston edhe një dozë mosbesimi dhe një mendim kritik ndaj mjekësisë dhe farmacisë moderne, me idenë se ”Big Pharma” është e interesuar vetëm në mbajtjen nën tretman dhe recepturë mjekësore të sëmundjeve dhe jo në shërimin absolut të tyre, për shkak se ajo është industri dhe profit, duke marrë shembuj të ndryshëm se si industria farmaceutike në ShBA vetëm për trajtimin e kancerit fiton 100 miliard dollarë në vit apo se si vetëm një medikament që trajton kolesterolin fitimin vjetor në ShBA e ka 15 miliard dollarë.

      Prandaj duhet të minimizohet rreziku që mjekët të bëhen instrumente të industrisë së farmacisë duke mbajtur një qëndrim më kritik dhe kështu ta rikthejnë besimin në shkencë, duke e bërë atë udhërrëfyesin dhe referencën kryesore për zgjidhjen e shumë problemeve dhe dilemave bashkëkohore lidhur me shëndetin publik. Injorimi i shkencës, mohimi i fakteve dhe i provave të vërtetuara, fshehja e gjurmëve, skepticizmi ndaj ekspertëve dhe ekspertizës, tregon që shoqëria është ende në nivele shumë të ulta të zhvillimit dhe larg qytetërimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme