Çun Lajçi për Ljarjen: Gjithçka që andrrua e kisha për Shqipninë e Shkodrën, e gjeta tek ai!

21 Prill, 2020 - 2:04 pm



Aktori Çun Lajçi, në mesazhin e tij prekës dhe mjaft të ndjerë për humbjen e aktorit të madh të skenës shqiptare Rikard Ljarja mes rreshtat është shprehur, “ti arti i zemrës sime. Pusho n’Shkodrën tande Rikard Ljarja”.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Lajçit:

Pusho n’Shkodrën tande Rikard Ljarja
(Përkujtim)

Vonë ishte.
S’po me merrte gjumi, e s’po m’rrihej ma pshtetun n’divan.
Sytë m’ishin qorrua, tue i ndrrua kanalet e televizorit, gjithë ditën. Trutë po me vlojshin, tue i numërua të infektuemit e katundeve, qyteteve, mahallave…!
Zotit po i lutesha, veç për nji nanë t’re, që ishte shtatzanë, e po luftonte me vdekjën!
O perendi, ofshana, po çfar mëkati ka ba foshnja n’bark, që ia dergon virusin asaj nane?
Dhe e mbylla televizorin. E hapa kompjutrin, thashë t’shoh, si janë këta miqtë e facebook-ut! Se, kemi mbetë si kertollat e pa mbjelluna, tue na shpërthye rrajët pa hi n’dhe!
Aktorja shkodrane Dana Xhaj, m’shfaqet me nji fotografi t’aktorit tjetër, Bruno Shllakut.
Fooorcaaa Brunoooo… shkruen përfundi fotografisë!
M’rreh zemra keq! I shkruej shpejt.
– Çka ka Bruno moj e marrë që bërtet foooorcaaaaa!
Ma kthen me mirësjellje.
Mik, Brunoja po lufton me nji gotitje hemorogjie cerebrale. Asht paralizua komplet ana e djathtë. Sytë i kanë mbetë hapur por s’flet!
Ndihmoje Zot them, tue u përbi.
I hallakati miqtë tjerë. M’del para shkodranja tjetër, poetja Bona Mulaj Lluka, e madhe sa Fushë Arrza. Ajo me foton e aktorit tjetër, atij Dedës nga filmi, që u ngri n’shtyllë telefoni, tue i lidhë telat e këputun nga bora e fërfëllaza, në ndrrim motesh, veç mos me i lanë shqiptarët, pa i thanë njeni tjetrit gëzuar vitin e ri 19…!
– Galë, i them sime shoqe, Rikardi paska vdekë!
Lexoj fjalët e Bonës; pse u largove n’kohë pa kohë, tani kur s’mundemi me ta kthye, ate që ti na e dhurove përmes filmit Dede!
Bahem i lig, m’lagen sytë.
I shkruej poetës, m’trego moj e zanueme, kur vdiq?
Sonte, n’Tiranë, nga smundje e keqe!
Dhe m’hapet dritarja e vitit 1972, atij marsi t’lulëzimit si n’përralla, t’Çunit me Rikardin, tue ecë Bulevardit Skender Beg!
Gjithçka që andrrua e kisha për Shqipninë e Shkodrën, e gjeta tek ai!
Nuk ngihej tue lypë Kosovë n’mua, e unë tue gjetë Shqipni tek ai!
Milioner n’zemër e xhepat e shkyem, e art n’vete ky Rikardi!
Ballin ma puthte, sikur e kërkonte Bekimin, t’preferuemin e tij…e Çunit i thoshte vëlla!
I shkova n’konak kur iku ai dreqi i zi, kur ky nisi me i marrë kambët, mu kamë pak, n’vitin 1995. Zemër, Fishtë e raki e bërxolla pak, e cingare LM deri n’mëngjes!
Atë natë po flisnim për Ali Pashë Gucinë, për nji grimë film,që po mundoheshim me ba, se andërr e kisha Alinë me luejt e Rikardi me ba regjinë. Por pare, ah pare s’kishim, e filmi kurrë s’u ba!
Njiherë qëlloi n’Shkodër. I thashë Marjetës, t’shoqës, po gjej konak dikund tjetër, mbasi Riku s’qenka këtu.
E hetoi se po ngushtohesha me fjetë n’konak pa burra!
E dini se çka m’tha: Konaku i Rikardit kurrë s’asht pa burra! T’birin e ka këtu.
Vërtetë, n’dhomën tjetër kishte pasë qenë i biri, me nji qenë pastor gjerman!
Eh!
Kishte vetëm dhomë e kuzhinë, por as sarajet e Ali Begut s’ishin ma t’mdhaja! Se Rikard ishte Ai!
Gjithkujt i thoshte: Ky asht Çuni, që hecte dathë nëpër Tiranë, n’vitin 1972! E ne bajshim seri! Ç’asht ky artist pa këpucë?
Mos asht ndonji provokator, spiun?
Kurrë s’me tregove pse?
I tregova kur ishim n’Pogradec, me gratë, artistet tona. Edhe Bubulinen e kisha pranë!
– Nji palë sandale si t’Bekimit, të Odiseu, i pata punua enkas të nji këpuctarë, dhe me to erdha. Por m’përqeshen natën e parë kur dola n’korzo, n’sheshin e Tiranës!
Lloj-lloj batutash m’thanë, dhe unë i turpnuem ika n’hotel Dajt, dhe i hoqa. Heca 10 ditë dath, se tjera s’kisha! Por pata igball, se marsi ishte i nxeht e s’u ftofa!
Po ti paske pas kjenë i marrë, m’tha!
Mbramë, vonë e mbylla dritarën e kujtimeve, e me dhimbjën për Rikardin, gjumi n’divan m’kishte pasë marrë!
S’jam zog, e n’varrim ndryshe s’kam si me t’ardhë Rikard, se kufijtë mbyllë na i kan!
Pusho n’Shkodrën tande mik. Ajo të deshti shumë.
I thashë Galës: Po ikim nji nga nji!
Sa mirë që po iu shkruej, por mua s’kanë me m’shkrua kurrë, se nuk isha si ata!

Dardani, 21.04.2020 / KultPlus.com

Të ngjajshme