“Dhërmi, vendi më i bukur në botë”

25 Prill, 2020 - 4:30 pm

Nga: Aleksandër Çipa

“Dhërmi, vendi më i bukur në Botë”

(Ky pohim është shkruar e lënë nga Petro Marko, shënimi shoqërues i këtyre fotove është impresion i kësaj mbasditeje në kalim prej meje, Aleksandër Çipa)

Në të gjitha orët e ditë-natës së çdo viti, ky vend është konkurues me më të bukurën. Nuk është e njëjtë bukuria e tij në kohën që rrjedh. Ky mbetet përherë,.. Dhërmi. Bukuria e tij është në lëvizje, aspak e ndenjur, e freskët, befasuese. Dhërmiu, kurdoherë që e sheh dhe sa herë që e sheh është magjik. Eshtë në bukurinë që edhe pasi e ke parë pambarimisht, sërish mos pretendo se e ke sosur shikimin për këtë bukuri që e bëri natyra dhe njerëzia e këtij visi.
Dua ta shoh e, ta shoh, e ta shoh, këtë bukuri të parreshtur, të paezaurueshme të visit tim. Këtë magji të Dhërmiut tonë që dora e dukshme e njeriut dhe ajo e gjithëfuqishmja dhe e padukshme e natyrës, e vendosi në prehrin e ashpër të Akrokerauneve, buzës së Jonit, i cili ka mbetur ” nën këmbë” të bukurisë sonë. Aq gjatë ka qëndruar deti nën këmbët e visit tonë, sa përjetësisht është bërë hise e madhe e bukurisë së kësaj Toke me emrin Malet e Vetëtimës. /KultPlus.com

Të ngjajshme