займ на карту онлайн потребительский кредит

Duart i lajmë, po shpirtin?

2 Prill, 2020 - 1:25 pm

Drejtuar: Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama

Nga Hervin Çuli

I nderuar z. Kryeministër! Jam mbyllur në shtëpi si gjithë të tjerët. Dëgjoj çdo këshillë mjeku, ndonjëherë edhe të shumë tipave që bëjnë mjekun. Ju dëgjoj çdo ditë JU, Z. Kryeministër, dëgjoj Ministren e Shëndetësisë, e para se të fle dëgjoj doktor Piperon e madh, që me thënë të drejtën këto kohë më është bërë më i dashur se babai. Rri në shtëpi dhe vuaj peshën e pafuqisë përballë kësaj të keqeje. 

E di tashmë që duhen larë duart edhe pse s’kam prekur gjë tjetër veç pultit, që duhet mbajtur distanca edhe kur jam vetëm në shtëpi, që nuk duhet dal pa arsye bindëse jashtë, di madje që do ishte mirë të mos i dëgjoja më shumë seç duhet mediat. Jam i sigurt që këto nuk të lënë të sëmuresh nga virusi, por di edhe që nuk mjaftojnë për të qenë i shëndetshëm. Por, Z. Kryeministër, një popull në karantinë është diçka e paparë. Një popull i burgosur brenda frikës së sëmundjes që e ka rrethuar, është i sëmurë sidoqoftë. Të dëgjoj dhe të kuptoj që shërimi i trupit do të vijë nga mjekët. Që ai i ekonomisë do të vijë nga qeveria, biznesi dhe puna, bankat, tregjet. Të gjitha janë sakatuar nga ky virus i mallkuar, por të gjitha do ta kenë patjetër kurën e tyre. Por, Z. Kryeministër, asnjë sakatim nuk ngjason me thyerjen e shpirtit. Mjeku i vetëm i shpirtit është arti dhe kultura. Me këtë yshtje në vete kam nxitur koleget e mi artistë që të kapërcejmë rolin e tellalit sado të dashur dixhital, të kapërcejmë detyrën e nderuar qytetare për tu bërë thirrje njerëzve që të rrinë në shtëpi. Ne, Z. Kryeministër, duhet të japim maksimumin në këtë situatë. Ne duhet jo thjeshtë të pushtojmë hapësirën publike me thirrje edukative, por të rigjejmë forma të reja artistike për të ushqyer dhe edukuar shpirtrat e ndrydhur në ngujim.

Me aktorët e Teatrit Kombëtar kemi disa ditë që punojmë deri natën vonë. Po punojmë për të ofruar krijimtarinë tonë virtualisht. “The show must go on” do të jetë një spektakël 25-30 minuta nga e enjtja në të diele në rrjetet sociale. Si fillim, në Prillin e Leximit me poezi, tregime, novela, intervista. Kemi ditë që punojmë. Shoh me admirim dhe me shumë emocion gadishmërinë e kolegeve që në mungesë të skenës po përshtatin kuzhinën, korridorin, dhomën e gjumit, ndonjëherë edhe ballkonin si ambiente pune dhe prodhimi artistik. E gjitha nga dashuria për artin dhe sidomos nga dashuria për njerëzit. E gjitha është zell, është pasion, është mision.

Por, vetëm kjo nuk mjafton. Nuk mjafton, Z. Kryeministër, sepse artistët veç telefonit dhe karikuesit (ndonjëri edhe laptop) nuk kanë asnjë mjet tjetër. Ne shfaqjen (programin on-line) do ta bëjmë sidoqoftë, por do jetë shumë dëshpëruese që cilësia të vihet në dyshim sepse nuk kemi asnjë mbështetje për produksione të tilla. Teatri Kombëtar, ndryshe nga çdo teatër serioz në Europë, nuk ka asnjë mundësi teknike për të lehtësuar produksionin. Ne na mungojnë studiot e post-produksionit që merren me montimin me cilësi të lartë artistike të imazhit, muzikës, titrimit, e të tjera e të tjera. Artistët edhe internetin e kanë të dobët, e nuk kanë mundësi të paguajnë operatorët për një internet më të fuqishëm që do na siguronte provat në grup. Dhe ndoshta muajin tjetër nuk do kenë para të paguajnë as atë që kanë. Për momentin, me një sforco të madhe që na harxhon një kohe të gjatë të përpunimit të produktit artistik, po e përballojmë vetë, apo me ndihmën e miqve të teatrit.

Por, Z. Kryeministër, mendoj që edhe qeveria i ka mundësitë të mbështesë këtë iniciativë të Teatrit Kombëtar, të mbështesë edhe institucionet e tjera publike të artit në iniciativa të ngjashme. Nuk behët fjalë thjeshtë për zhbllokimin e disa fondeve, bëhet fjalë për vullnet, për vizion. Qytetarët e ngujuar në shtëpi, do të mund të gjejnë programe edukative në lartësinë e krijimtarisë artistike të institucioneve tona, e do mund të shkëputeshin nga banaliteti i produkteve vulgare që shoqërojnë rëndom rrjetet sociale këto kohë.

Kryeministër, ne punën tonë gjithsesi do ta bëjmë edhe me ato mundësi që kemi. Por do mund të bëhej më shumë nëse do mbështesni konkretisht këtë iniciativë të artistëve të TK. Ka shumë kapacitete krijuese që “dremisin” në karantinë. Vetë qeveria duhet t’u kërkonte të prodhonin, ndaj mbështetja kur artistët e marrin vetë iniciativën është më e pakta. Si ne, mund te ndihmohet dhe opera, orkestra e RTSH-së, Cirku, Teatri i Fëmijëve për të krijuar një linjë cilësore të prodhimit artistik on-line. Të gjithë modestisht janë përpjekur t’i bëjnë, por do t’i bënin më mirë nëse do kishin mbështetjen tuaj. Ndaj mendoj, jo thjeshtë për t’i dhënë një dorë artistëve, por si një nevojë për spektatorin tonë, duhet një program mbështetjeje konkret. 

Një program që të nxjerrë nga dremitja çdo institucion të kulturës. Dhe nuk bëhet fjalë për shumë salltanete. Na zhbllokoni disa fonde nga zërat e projekteve artistike. Bllokimi total i veprimeve financiare po na merr frymën. Nuk po them për prokurimet, por për disa zëra artistike, që të kemi mundësi të kontraktojmë disa profesionistë që nuk i kemi në institucionet tona të na ndihmojnë në kohë dhe cilësi në këtë udhëtim ndryshe. Na ndihmoni me internet të fortë për aktorët e teatrit, që të kemi mundësi të lidhemi më mirë dhe të punojmë më shumë. Ndoshta tingëllon si luks i madh kjo thirrje e hapur për JU. Por unë kështu jam. Duke qenë krenar për ata mjekët që shkuan në Itali, kam dëshirën, së bashku me stafin e TK, të jemi sa më të vlefshëm, e nuk kemi pse të mos shpresojmë…

Kryeministër, shkurt fjala, nga ju kërkoj një paketë mbështetje kulturore, se për mua, nuk mjafton që laj duart. 

Me respekt, Hervin Çuli, Drejtor i Teatrit Kombëtar. / KultPlus.com

Të ngjajshme