12 Qershor, 2025 - 11:29 am
Shkruan: Avni Spahiu
–Prishtina e paraluftës
Ka periudha në histori që lidhen me një qytet, qoftë i madh apo i vogël, i gjykuar të loz rolin prijatar dhe identifikues të një lëvizjeve, të një beteje apo të një fati përcaktues së një komuniteti apo edhe kombi të tërë. Raste të tilla për një qytet kalojnë në një sfidë maturimi për ta vënë atë në histori dhe për ta piketuar e avancuar si kryeqytet. Kosova e viteve 80 e 90 lidhet pikërisht me Prishtinën, qytetin ku ndodhnin të gjitha. Prishtina e dy dekadave të rënda që ishte strumbullar rreth së cilës silleshin të gjitha rënkimet e Kosovës, pulsi i tërë një kombi në përpjekjet për liri e emancipim…
Qyteti fatkeqësisht dilte faqe botës me imazhet e dhunueseve të tij, përfaqësues të pushtetit serb që duke dëbuar shqiptarët, vendosnin për fatin e tyre, për përditshmërinë dhe dozën e dhunës që do të përdornin ndaj tyre. E liderët e vërtetë të kryeqytetit, si të gjithë banorët e tjerë të tij, ndanin fatin e përbashkët dhe bartnin zërin e tyre për drejtësi e humanizëm. Qyteti ishte i zymtë edhe në mënyrë alegorike solidarizohej me banorët e tij të margjinalizuar, të përçmuar e të hedhur anësh. Por kishte një gjallëri që vlonte përtej mekanizmave të dhunës dhe injorimit.
Prishtina u shndërrua në një qendër prej nga niseshin të gjitha iniciativat, të gjitha përpjekjet për t’iu kundërvënë pushtimit dhe dhunës. Ajo ishte një epiqendër e organizimit të luftës paqësore për liri, përmes organizimit politik dhe formave të tjera, angazhimit intelektual, qëndresës përmes gazetarisë gjysmë-klandestine, kulturës e artit dhe një kohezionit të fuqishëm të të gjitha niveleve të popullsisë.
Në Prishtinë nisën iniciativat e gazetarëve të Rilindjes dhe Televizionit të Prishtinës kundër denigrimit kombëtar të shqiptarëve dhe vendimeve serbe për të asgjësuar çfarëdo mëvetësie politike të tyre. Aty u bë qëndresa e punëtorëve që u dëbuan nga puna, ai ishte vendi ku filloi organizimi paralel i jetës sociale, politike dhe ekonomike e Kosovës, e arsimit, shëndetësisë, e jetës sonë të përditshme.
Përkundër dhunës që i qëndronte mbi kokë çdo shqiptari në çdo fashat e qytet të Kosovës, pra edhe çdo banori të kryeqytetit…
Por mbi të gjitha Prishtina u bë vatër e veprimit diplomatik të Kosovës. Intelektualët u vunë në krye të këtij angazhimi duke mësuar shkollën e diplomacisë në ballafaqime të drejtpërdrejta në të mirë të kauzës së Kosovës. Ata u nisën nga Prishtina drejt qendrave europiane që kishin dëgjuar dhe parë gjithmonë me vesh dhe sy të mbyllur përpara aspiratave dhe thirrjeve të shqiptarëve të Kosovës për drejtësi. Tani kjo po ndryshonte dhe thirrjet vinin nga Prishtina, që po dëgjohej gjithnjë e më zëshëm para kancelarive europiane dhe opinionit publik të kryeqendrave të vendeve demokratike.
Natyrisht, kjo pati një jehonë. Diplomacia botërore po zbarkonte në këtë qendër të rizbuluar, të cilën me aq padrejtësi e absurditet e përshkruante regjimi pushtues. Për t’u bindur për shkeljet e të drejtave të njeriut për nëpërkëmbjen e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve, banorëve të Kosovës dhe të kryeqytetit të saj, kancelaritë europiane dhe botërore kësaj radhe ishin tek portat e Prishtinës për të parë dhe për të dëshmuar. Krimet e paralajmëruara serbe tani nuk ishin pa veshë. Bota po mësonte se ç’plane po gatisnin kundër Kosovës projektuesit e gjenocidit, siç kishin bërë disa herë regjimet serbe. Këtu erdhën diplomatët më të rryer të Europës, britanikë, gjermanë, frëngë, italianë dhe mbi të gjitha amerikanë për t’u bindur me ankesat e shqiptarëve që arrinin çdo ditë nga Prishtina në kryeqytetet e tyre.
Gjithkujt i kujtohet fotografia emblematike e qëndresës së një shqiptari ulur patrembshëm në sheshin e Prishtinës derisa policia serbe po shfrynte mllefin mbi demonstrues paqësor. Ishte dita kur në kryeqyteti kishte arritur delegacioni nga senati amerikan, i prirë nga Senatori Robert Dol. Ky imazh që po i dërgohej botës demokratike u përsërit sa e sa herë gjatë vizitave të delegacioneve të botës demokratike…
Për një çast, Prishtina e viteve ’90 u bë burim shprese, kurse banorët e saj, papërjashtimisht dhe papritur u bënë diplomatë, gazetarë, luftëtarë për të drejtat njeriut, reporterë lufte, humanitarë, punëtorë arsimi e shëndetësie. Prishtina shpaloste shpirtin e vet të madh dhe zemrën që rrihte për çdo banor të saj. Shtëpitë e prishtinasve u bënë shkolla e spitale, lagjet vatra të rezistencës dhe solidaritetit të njeriut për njeriun në kohë të vështirë.
Prishtina shpërfaqte solidaritetin e vet të madh dhe zemrën që rrihte për çdo banor të saj. Çdo skutë e kënd i kryeqytetit vepronte si një organizëm që luftonte mbi të keqen që i kanosej. Restorantet dhe kafenetë u bënë galeri arti e kulture, që në kushte të pamundshme ruanin shpirtin krijues të artistëve, madje me porosi për botën demokratike nga forcë e mendjes dhe atdhetarisë, holet e qendrave ishin vende përurimesh librash, performancash artistike e letrare, por edhe skena të hapura të aktrimit…
Sigurisht që secili prej nesh do të ruajë nostalgjinë e kafe-galerive të shndërruara në skuta eskapiste të qarqeve artistike dhe intelektuale të kohës së frikshme nën ethet kazablankase të pritjes mes luftës që do të vinte dhe një diçkaje të madhe që do të ndodhte – mes shkatërrimit të përgjithshëm dhe lindjes së dritës së shumëpritur të lirisë. Si restorant-galeria që mbante emrin e “huazuar” nga njëri prej romaneve të shquar të Ismail Kadaresë, ku kishte po ashtu një Han të dy Robertëve me po këtë motivim të puqjes me kohët historike. Aty qarkullonin artistë, poetë, piktorë, gazetarë, politikanë, elitat intelektuale të kryeqytetit, njerëz të rëndomtë, emra të gazetarisë botërore, politikanë dhe vëzhgues të huaj, ndërkombëtarë që ishin vërtet miq të shqiptarëve, apo edhe asi që vetëm hiqeshin si të tillë… Aty shpalosej politika zyrtare dhe jozyrtare e Kosovës, informohej opinioni botëror, editoheshin gazetat e pakta të kohës dhe formësohej mendimi intelektual. Aty hapeshin ekspozita nga artistë të degdisur jashtë institucioneve dhe promovoheshin libra letrarë-poetikë, si dhe studime politike dhe publicistike.
Po këtë rol loznin edhe disa kafe-galeri të tjera në Prishtinë: ‘Koha’, ‘Ora’, ‘Te Qafa’, ‘Te kurrizi’, etj. “Menytë” e këtyre restoranteve, pos kulinarisë, përshfaqnin emrat e shquar të pikturës kosovare, ekspozitat e “artit politik”, “kundër dhunës dhe represionit”. Gati të gjitha këto ekspozita kishin të bënin me politikën dhe protestën. Kjo ishte e pashembullt, pasi që ekspozitat muzeore zakonisht nuk janë në gjendje të reagojnë kësisoj ndaj realitetit dhe këtij lloji të ‘zeitgeist’-it kulturor. Ngjarjet e mëdha politike kërkonin reagime krijuese të atypëratyshme… Shumë shfaqje, të përthyera edhe në atë që ndodhte aty trajtonin çështje që kishin të bënin me masakrat, me mohimin e të drejtave kombëtare e civile, me pabarazinë socio-ekonomike, ose të gjitha këto të kombinuara.
Këto ishin bërë adresë e paevitueshme e kohës. Gjetiu në botën moderne, historia e kulturës së kafesë dhe restoranteve krijon lidhje të natyrshme me ngritjen e artit alternativ, me hapësira dhe funksione si “vendi i tretë” në qasjen ndaj artit, kulturës dhe diskursit intelektual. Por, tek ne, përgjatë viteve ato u bënë vendtakime të diplomatëve të huaj me liderët tanë, vende ku vinin dhe drekonin delegacione të ndryshme zyrtare që arrinin në Prishtinë. Mbaheshin dreka pune dhe biseda relevante sy-më-sy ose në rrethe më të gjera, me personalitete të ndryshme politike dhe publike. Isha takuar edhe vetë me gazetarë të huaj e përfaqësues diplomatikë botërorë, herë si kryeredaktor i gazetës së ndaluar ‘Rilindja’, herë vetëm dhe herë me kolegë të mi, në përpjekje për të sqaruar realitetin e rëndë të Kosovës.
Takimet me diplomatë të huaj që vinin për të na inkurajuar në Prishtinë na bënin të krijonim shtyllën e një vetëbesimi se fitorja e lirisë donte qëndresë, durim e vetëmohim. Por se ajo do të vinte patjetër. Kishim një vetëbesim të pakuptueshëm nga distanca e sotme kohore. Çasti më shpresëdhënës ishte momenti kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapën Zyrën Amerikane. Prishtina si nikoqir i përfaqësisë së parë diplomatike tani kishte diçka për t’u mburrur që nuk e kishte pasur kurrë më parë, një hap historik që shtoi shpresat dhe pritjet e tërë Kosovës. Në njërën prej lagjeve kryesore të Prishtinë më 6 qershor 1996, u ngrit flamuri amerikan që sillte me vete premtimin dhe mbajtjen e fjalës së dhënë nga aq shumë personalitete eminente politike të Amerikës në Prishtinë dhe Uashington se Kosova nuk ishte vetëm… Kjo ndryshoi çdo gjë. Diplomacia botërore tani kishte një adresë në kryeqytetin kosovar. Vende të tjera demokratike, sidomos të demokracive perëndimore, mendonin për hapa të ngjashëm, ndonëse që të gjitha shtuan prezencën diplomatike dhe interesimin e tyre për Kosovën. Çështja e Kosovës tani ishte një pako e hapur për diplomacinë perëndimore dhe emri i Prishtinës po bëhej sinonim i bërthamës së shtetit të ri.
Ishte koha kur Prishtina prodhonte atë që do të quhej shpresa e lirisë që patjetër do të vinte. Ndonëse as ajo nuk dinte për çmimin që duhej të paguante. Dhuna serbe tashmë kishte mbuluar çdo pjesë të Kosovës dhe të Prishtinës. Deri në momentin vendimtar kur makineria pushtuese dhe gjenocidale po ndërmerrte aktin e fundit, atë të asgjësimit të tërë popullit të Kosovës, përmes masakrash, vrasjesh masive, dhunës totale, dëbimit dhe spastrimit etnik. Dhuna në Prishtinë ishte intensifikuar përmes veprimeve të grupeve të shfrenuara kriminale serbe: rrahjet e banorëve, kërcënimet, vrasjet, arrestimet e madje edhe atentatet në forma të ndryshme mbi shqiptarët tashmë ishin bërë rëndomëni në jetën që po bëhej e padurueshme. Ndonëse Prishtina nuk zhbëhej…
Lufta mori viktimat e saj nga të gjitha qytetet e Kosovës, natyrisht edhe nga Prishtina: ngjarjet janë tepër të rënda për t’u harruar netëve të para bombardimit të NATO-s. Po digjej çdo gjë që mbajti gjallë jetën dhe shpirtin krijues të shqiptarëve në Prishtinë, të gjitha ato objekte që iu shërbyen shqiptarëve kundruall dhunës së pushtuesit në qytet: shtëpitë-shkolla, shtëpitë-spitale, shtypshkronjat e selitë e gazetave, objektet që kishin strehuar institucionet paralele të Kosovës. U dogjën edhe kafe-galeritë, librat në shqip u hodhën në turrë dhe u dogjën, simbolet shqiptare u përdhosën, njerëzit u fyen dhe u vandalizuan… Prishtina kishte marrë goditje të rëndë dhe i ishte hapur plagë e pashërueshme. Më 1999 u dogj edhe Hani i famshëm. Pronari i saj u plagos e një aktore kishte vdekur në sulmin nga vrasës serbë. Në mesin e objektit të djegur u gjetën copa të një libri përshtypjesh nga vizitorë të huaj. Dy-tre vjet më parë unë ia kisha dhuruar pronarit të Hanit, një notes të veçantë të lidhur në formë libri në Shtypshkronjën e pushtuar të ‘Rilindjes’. Dhjetëra diplomatë, gazetarë e anëtarë delegacionesh diplomatike kishin thënë atë që kishin parë në Kosovë. Të gjitha ishin tretur. Prishtina nuk u përkul, por nga lindja e saj sikur po dilte një diell alegorik për të ardhmen dhe për banorët e saj që kryeqyteti po i priste duarhapur…
– Prishtina e pasluftës
Që në ditët e para kur kryeqyteti u çlirua nga pushtimi serb, duke iu kthyer pronarëve të vet të ligjshëm, Prishtina ishte një qendër kaosi dhe paligjësie. Mes kremtes dhe teprisë së fishekzjarrëve, në një atmosferë festive, por edhe të mugët, ata që ishin dëbuar nga qyteti po ktheheshin mes zymtësisë dhe zhurmës së gjeneratorëve. Pakkush i vinte veshin faktit të ngrysjes së përgjithshme. Jeta ishte vibrante dhe ëmbëlsisht e frikshme. Njerëzit e dinin se çdo zymtësi nuk do të thoshte asgjë para faktit se kryeqyteti, si dhe tërë Kosova ishte e lirë. Pritja jubilante e forcave ndërkombëtare të NATO-s dhe brohoritjet ndaj ushtarëve të UÇK-së që “zbarkuan” në Prishtinë mbulonte çdo brengë apo shqetësim tjetër. Njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre prej të cilave ishin dëbuar dhe, ndonëse banesat e tyre ishin djegur, demoluar, plaçkitur dhe rrënuar, njerëzit festonin të sotmen duke ushqyer shpresën për të nesërmen…
Mes zhurmërimash të të shtënave dhe tymit kremtues, që shënonin kufirin midis së drejtës për të festuar dhe obligimit qytetar për kremtim të matur, prishtinasit po i ktheheshin jetës mes dyqaneve të varfëruara, mangësive gjithëfarëshe dhe pikave të ndihmave humanitare. Ata që kishin qëndruar në Prishtinë, duke mbijetuar nën rrethana të ndonjë mrekullie, tani prisnin njerëzit e vet të afërt që po ktheheshin nga të katër anët e botës, nga vendet në të cila ishin strehuar. Të gjithë ishin të kënaqur, të gëzuar dhe të lumtur. Kryeqyteti dhe banorët e tij po mjekonin plagët…
Kjo ishte krejtësisht e shpjegueshme. Po të keni jetuar nën okupim do ta dini se çfarë do të thotë liria. Kjo ishte arsyeja pse njerëzit mbanin atë qëndrim të veçantë dhe sjellje entuziazmi pas luftës. Atyre nuk iu bënte përshtypje asnjë e keqe më, për shkak se e dinin se si kishte qenë jeta nën okupimin serb. Plagët ishin të freskëta. Ushtria dhe bandat serbe kishin vrarë e plaçkitur deri në momentet e tyre të fundit, madje deri vetëm një natë para se të hynin forcat e NATO-s. Kjo ishte e freskët në mendjen e çdo banori të kryeqytetit.
Ikja e trupave serbe nga Prishtina dhe nga e tërë Kosova ishte një nga sukseset më të mëdha dhe paraqiste fillimin e sendërtimit të aspiratave të kosovarëve, një pikë kthese që linte prapa një kohë që nuk do to kthehej më. Njerëzit ecnin triumfalisht në rrugët e qytetit të sapoçliruar, duke përshëndetur dhe uruar njëri-tjetrin. Gjatë ditës atmosfera ishte më pak e heshtur me banorët që dilnin për të shënuar këtë rast, të çliruar nga frika e dikurshme dhe të panjohurat që do të mund të sillte lufta. Njerëzit dilnin me flamuj kombëtarë dhe qëndronin për pak kohë para shfaqjeve publike të manifestimit të fitores dhe lirisë. Pavarësia ende nuk kishte ardhur, por të gjithë e dinin se ajo do të vinte…
Çdo ditë sillte diçka të re. Papritur gjërat morën një kahe tjetër jo të këndshme dhe ai entuziazëm i banorëve të kryeqytetit u zëvendësua me ndryshime interesash vetjake dhe meskine të secilit, për të përfituar, për të mos zgjedhur mjete për të arritur realizimin e interesave individuale. Fryma e solidaritetit që kishte ekzistuar para luftës tek prishtinasit tanimë i takonte së djeshmes dhe egoizmi e konkurrimi i egër kishte marrë çdo gjë në pushtim. Së shpejti, filluan keqpërdorimet dhe djegiet e ndërtesave që prishtinasit i kishin ndërtuar dhe ruajtur me xhelozi: u dogjën ndërtesa institucionesh, mes së cilash edhe Qendra e Rinisë në mes të Prishtinës, që vazhdon edhe sot (kush e di me ç’qëllim?) të qëndrojë e pariparuar. Kjo qendër që ishte mburrje e Prishtinës u kthye në depo biznesmenësh madje edhe vend parkimi deri në ditët e sotme.
Nisi qërimi i hesapeve të grupeve të ndryshme, nisën krimet enigmatike, vepra të krimit të organizuar të shumë aktorëve që po e bënin jetën pothuajse të padurueshme dhe për të pasur frikë. Nisën vrasje dhe qërime hesapesh mes interesash dhe grabitjesh dhe vrasje të rënda të papritura dhe pa shpjegim. Vrasja e Xhemail Mustafës, mikut tim dhe i të të gjithëve, intelektualit që kishte kaluar ditët e luftës i kyçur në banesën e tij dhe që kishte dhënë dëshminë e vet për katrahurën në Prishtinën e atyre muajve në librin “Një lutje për Prishtinën”, tronditi çdo kryeqytetas dhe çdo shqiptar në Kosovë. Ishte e qartë se Prishtinës tani i duhej “një lutje” tjetër për ta shpëtuar atë nga vetvetja…
Prishtina vazhdoi degradimin dhe shëmtimin: filluan uzurpimet, përvetësimet dhe mbindërtimet për të strehuar migracionin e madh nga fshatrat që ky qytet vështirë e përpinte. Qyteti po ngulfatej mes kaosit dhe degradimit urban. Ata që përpiqeshin t’i dilnin para këtij degradimi e pësuan, disa edhe me jetë. Gjërat nuk dukeshin aspak mirë për Prishtinën dhe prishtinasit. Ashtu si dhe për banorët e qyteteve të tjera të Kosovës të kësaj kohe…
Në ditën më të ftohtë dhe me shpirtin më të ngrohtë ndonjëherë, në Prishtinë Kosova shpalli pavarësinë. Kjo ringjalli shpresat dhe optimizmin për të lënë prapa negativitetin dhe rrënimin shoqëror dhe urban. Prishtinës po i ktheheshin ngjyrat. Shumë gjëra morën kthesë për të mirë dhe rrugët për kthimin e shkëlqimit të kryeqytetit u hapën… Shumë gjëra pozitive ndodhën për një kohë të shkurtër. Shoqëria kosovare po përjetonte një rilindje të mbështetur në shpresë dhe vetëbesim. Qyteti u mbush me shkollarë që ndiqnin me dhjetëra universitete dhe kolegje që u themeluan për një kohë të shkurtër. Mediat elektronike shënuan një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe jetësimi i shoqërisë civile në shoqërinë demokratike ishte një bonus shtesë për shoqërinë kosovare.
Prishtina u rrit dhe po merrte konturat e një qyteti europian të njerëzve shpresëplotë…
Ndonëse, akoma nuk mund të thuhet se Prishtina është një kryeqytet i bukur.
Estetikja është ende në kërkim për ta bërë atë qytet siç e duan dhe e kanë ëndërruar banorët e saj. Prishtinës i mungojnë shumë gjëra: i mungojnë zgjidhjet urbane të zhvillimit të planifikuar, mungojnë ndërtesat e duhura institucionale, infrastruktura shtetërore, mungon opera dhe teatri adekuat, qendrat kulturore e sportive, mungojnë muzetë që do të ruanin kujtesën tonë kolektive, mungojnë sheshet moderne, mungojnë parqet, mungojnë parkingjet, mungon një linjë tramvaji… I mungon dhe një lumë, po ky nuk është faji i saj. Prishtinës i mungon sharmi i një kryeqyteti europian, siç duam ta bëjmë. Ka aq shumë për të bërë dhe do të bëhet vërtet me tërë elanin dhe entuziazmin që po ripërtërihet si tek banorët e kryeqytetit, ashtu edhe tek e tërë shoqëria kosovare… / KultPlus.com