займ на карту онлайн потребительский кредит

Edith Durham, e dërguara e Zotit mes shqiptarëve

Nëntor 16, 2018 - 9:30 pm

Zylyftar HOXHA

Ajo ka bërë shumë për Shqipërinë. Kur themi shumë! Shumë! Por edhe në mos, mjafton vetëm një rast, një akt i saj i veçantë dhe simbolik që ajo të nderohet dhe respektohet si heroinë, kur në ditën e pushtimit fashist më 7 prill të vitit 1939, në moshën 76 vjeçare, me një tabelë kartoni varur në qafë ku shkruhej “Larg duart nga Shqipëria”! “Ndihmoni Shqipërinë”! – protestoi e vetme për orë të tëra para Ministrisë së Jashtme Britanike, veprim që e përsëriti ditë me radhë, aq sa i detyroi autoritet e larta angleze t’i kushtonin asaj vëmendje dhe, ndoshta-ndoshta ndikoi në rishikomin e qëndrimit të tyre. Zoti të ka dërguar të na shpëtosh, shkruhej në mesazhin e qytetarëve të Beratit për Edith Durhamin, që kishte arritur aty më 1904, si e para grua angleze që kishte shkelur në këtë pjesë të Shqipërisë.

Ne dhe Durham

Veprimtaria e Edit Durham në Shqipëri dhe për Shqipërinë si udhëtare, si artiste, si etnografe, si antropologe, si shkrimtare dhe si humaniste është e madhe dhe e veçantë. Për afro një gjysmë shekulli ajo lidhi fatet e jetës saj me fatet e Ballkanit dhe veçanërisht të Shqipërisë. Veç veprimtarive të tjera të karakterit politik, social e shkencor, ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët “Shqipëria e Epërme”, e shkruar në vitin 1909, është më e njohura dhe më e arrira. Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore. Është për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën “Njeriu” (Man) e bëri atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror te Antropologjisë. Me mendje të ndritur dhe gjeneroze, ajo kuptoi me shpejtësi shpirtin e shqiptarëve. Pa frikë dhe kompromis, ajo i tregoi botës dhe ligjeve të saj për ato që kishte mësuar. Shqiptarët nuk e kane harruar dhe nuk do të harrojnë kurrë këtë angleze. Në malet e Shqipërisë, që ajo i njohu shumë mirë, lajmi për vdekjen e saj në atë kohë bëri bujë te të njohurit e shumtë, por edhe te ata që kishin dëgjuar për të.

“Ju që më dhatë bukë, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet”

Nga shënimet shumta dhe vlerësimet të Edith Durham për Shqipërinë dhe shqiptarët do të veçonim këtë paragraf nga libri i saj “Shqipëria, brenga e Ballkanit”.

“Unë kisha besuar tek shqiptarët, ata e meritonin fatin europian që po ndërtojnë me kaq vrull sot. Ju që më dhatë bukë dhe shtroje, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet. Zotat e kishin bekuar atë truall ku konservimi i ca vlerave humane është sekreti. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. Ekzotizmi i tyre gati, gati natyror, tejkalon herë herë modernitetin sipërfaqësor. Atje ajri maleve e deteve është tjetër ajër. Gjuha shqipe ka një muzikë ndryshe. Fjala mirë se erdhe del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Europa pa Shqipërinë dhe shqiptarët do të ishte e paplotësuar në identitetin e saj të historisë së lashtë dhe asaj moderne. Ballkani pa konsideruar e mirëkuptuar shqiptarët është pa identitet dhe pa të ardhme! Edhe në universin e frymës ndjehem e respektuar nga shqiptarët e tokës dhe të qiellit, jam mes tyre si ata, shqiptare që vijon të eci atyre hapësirave epike dhe humane pa u lodhur, jam në besë të tyre”.

Mirënjohje, Durham!

Ti meriton më shumë nga ne për fisnikërinë tënde sublime!

E vërteta është se shqiptarët e kanë nderuar dhe e nderojnë edhe sot Durham, pasi ajo u fali zemrën atyre, ndërsa ata mirënjohjen e thellë. Ndaj dhe studimet e saj ata i konsiderojnë si pjesë autentike dhe të pandara të historisë së tyre. Madje ajo cilësohet e nderohet si një nga figurat më të spikatura të huaja të shekullit të kaluar që ka luftuar për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë qoftë nga Presidenca, qoftë nga autoritetet dhe institucionet e larta shkencore të vendit tonë. Megjithatë, ajo duhet vlerësuar më tepër. E para, të njihet më mirë, pasi shumë nga veprat e saj nuk janë përkthyer ende në shqip. E dyta, megjithëse ka shumë materiale dhe dokumente të saj që ruhen në disa akademi të botës, por më tepër në tre muzeume në Londër, asnjë institucion shkencor nuk është kujdesur të paktën t’i shikojë për kuriozitet, jo më që t’i studiojë dhe t’ia paraqesë publikut shqiptar. E treta, në kuadrin e vlerësimeve që do t’u bëhen figurave historike më tej, edhe asaj t’i jepet një vend më i merituar nderi si një protagoniste dhe luftëtare direkte “shqiptare”. Pasi kështu nderojmë më shumë veten tonë se vetë atë!…/ KultPlus.com

Të ngjajshme