Fëmijët tanë ulen nëpër banka të shkreta e të dëmtuara

27 Mars, 2018 - 9:17 pm

Shkruan: Ndue Ukaj

Ndërkohë që ne merremi vetëm me tema të mëdha politike, madje kemi guxim të japim këshilla edhe për probleme ndërkombëtare, fëmijët tanë, nëpër shkollat tona, ulen nëpër banka të shkreta. Jam i vetëdijshëm se, ky mund të jetë ndoshta problemi më i vogël, kur e di çfarë tekste të mjera kanë fëmijet tanë përpara. Mos të flaism pastaj për eksperimentet që bëhen me sistemin arsimor, dhe mendësinë komuniste, prej të cilës lëngon ende shkolla jonë.

Mirëpo, këto banka dhe karriket ku ulen fëmijët tanë, për mua flasin shumë. Ato më kujtojnë bankat e kohës komuniste, kur unë shkoja në shkollë, por shumë më të dëmtuara dhe më të shëmtuara.

Në këto banka të ngushta dhe të dëmtuara, është problem të formohen fëmijë me ndjesi për të bukurën dhe të dobishëm. Sepse, fëmijët aty kalojnë shumë kohë.

Aty formohen.

Duke u marrë me tema të holla dhe të mëdha, ne harrojmë të shohim ku ulen fëmijët tanë. Çfarë ushqimi shpirtëror e kulturor marrin ata. Harrojmë se, ata të cilët ulen në banka të tilla të shëmtuara, nesër do të bëhen drejtuesit e vendit tonë, mjekë e pedagogë, juristë e artistë…

Kjo pasqyrë, për mua, është mënyra më e mirë m’ e pa sa pak dashni i kemi dhanë vendit. Sa pak kemi investuar te brezat e Kosovës së nesërme.
Ne, ende nuk e dimë çfarë shkolle duam. Nuk e dimë, mbi çfarë parime etike e arsimore duam t’ i edukojmë brezat e ri.
Pra, Kosovën e nesërme.
A në fakt, në këto banka ngjizet e ardhmja e disa dekadave.
Kjo fotografi është marrë në një nga shkollat kryesore të kryeqytetit tonë.

Të ngjajshme