Fisnikëria femërore përmes tre grave në tre breza dhe tre kohë të ndryshme

27 Tetor, 2021 - 8:40 pm

Në fotot e mëposhtme, pasqyrohen tre periudha të ndryshme historike të Shqipërisë gjatë shekullit XX, përmes tre protagonisteve femërore që janë përjetësuar në këto pamje fotografike në tre dhjetëvjeçarë të ndryshëm të njëqindvjeçarit të kaluar.

Në foton e parë shfaqet zonja Ana, një korçare e fisme dhe tepër e hijshme, me origjinë nga Dardha e kulturuar, vatër patriotike dhe simbol përparimi e qytetërimi në kreshtën malore përmbi Korçë, një vendbanim kryeneç ku patën vluar veprimtaritë atdhetare qysh në shekullin XIX, dhe nga ku qenë nisur ndër shqiptarët e parë në mërgim gjer në SHBA, ku do të themelonin shoqatat kryesore në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare.

Në këtë foto të fundit të viteve 1920 në Korçë, zonja Ana (e cila pikërisht kështu do të vijonte të quhej nga të gjithë, përfshirë funksionarët monistë, edhe në periudhën e errët të regjimit totalitar, ku fjala “zonjë” ishte tashmë e ndaluar, dhe të tërë quheshin “shokë e shoqe”) gjendet në një Soirée, siç quheshin nga frankofonët korçarë, ballot festive që zhvilloheshin rregullisht gjatë kremteve të rëndësishme shtetërore dhe fetare, në Korçë e rrethina.

Ballot e tilla përbënin rastet e veçanta, ku qytetaria korçare, mblidhej bashkërisht për të kremtuar nën ritmet e vallëzimeve më në modë të importuara vazhdimisht nga Oksidenti, të veshur gjithnjë alla-frënga me petka farfuritëse, duke dëfryer njëlloj sikur të gjendeshin në Paris, Londër apo Romë.

Ndërkaq në foton e dytë, mund të shohim Antigonin, vajzën e zonjës Ana, e cila në fillimin e viteve 1940, është nxënëse në Institutin Femëror Nëna Mbretëreshë në Tiranë, i cili gjatë pushtimit italian, do të quhej më tutje Donika Kastrioti.

Në këtë institut patën studiuar vajzat e familjeve më të kamura, më të kulturuara dhe më të spikatura të Shqipërisë dhe më gjerë të trojeve shqiptare, përfshirë disa nga eksponentet më të njohura të regjimit të ardhshëm monist, por edhe disa nga disidentet më të shquara, të cilat do ta pësonin nga diktatura.

Në foton në fjalë, Antigoni është mes shoqeve të saj të klasës, bijat e disa nga familjeve më të ngritura kulturalisht të Tiranës dhe Durrësit, bashkë me profesorin e tyre të latinishtes dhe greqishtes së lashtë.

Kurse në foton e tretë gjejmë Luizën, vajzën e Antigonit dhe mbesën e Anës, e cila, veshur me kostumin tradicional të nusërisë së Shqipërisë së Mesme, në fundin e viteve 1970, ka pozuar për një konkurs të njohur të asaj periudhe, kushtuar trashëgimisë etnografike dhe kulturore shqiptare.

Shkruan Elvi Sidheri

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh…

Stërnipi, nipi dhe djali i protagonisteve të këtyre fotove të paharrueshme./KultPlus.com

Të ngjajshme