Flamurtari i Prishtinës, ose Rayo Vallecano i munguar i kryeqytetit kosovar

3 Shtator, 2022 - 6:59 pm

Shkruar nga: ELVI SIDHERI

Në një lagje popullore të Prishtinës, rrëzë disa kodrave pak më tutje, mbrapa të cilave gjenden malësitë përreth qytetit, një fushë futbolli në rikonstruktim e sipër, të befason më praninë e saj mes një morie shtëpish që ngrihen përqark saj, pikërisht në zemër të kësaj zone tradicionale prishtinase, ku dikur pati lindur tradita tashmë disa-dhjetëvjeçarëshe e Flamurtarit kosovar.

E theksoj këtë emërtim, Flamurtari kosovar, sepse ky ekip futbolli që përfaqëson një traditë shpirtërore, sportive dhe patriotike tejet të vyer për Kosovën, mban sakaq krenarisht të njëjtin emër me skuadrën tjetër të lavdishme shqiptare, Flamurtarin e famshëm të Vlorës, dhe këto dy ekipe bashkëndajnë të njëjtin shpirt e zjarr shqiptarësie në thelbin e qenësisë së tyre, brenda dhe jashtë fushës së blertë.

Për rastësi ndërkaq, të dy Flamurtarët andej e këtej Morinës, dergjen aktualisht në kategoritë e dyta të Shqipërisë dhe Kosovës, përkundër vlerave të tyre të padiskutueshme sportive, tifozerisë së zjarrtë dhe palmaresit të lakmueshëm, me të cilin mund të mburren me plot të drejtë secili prej tyre.

Si futbolldashës nga Tirana, prej kohësh ma pati ngjallur veçanërisht kureshtjen fakti që edhe në Kosovë, më saktësisht në Prishtinë, kishte një klub futbolli të quajtur pikërisht Flamurtari, me fanellat kuq e zi, njëlloj si Flamurtari i Vlorës, skuadër që në Shqipëri të gjithë e patëm respektuar, edhe pa qenë domosdoshmërisht vlonjatë, për shkak të shpirtit të vet të paepur luftarak, e sidomos për sukseset e papërsëritshme të viteve 1980, kur edhe Barcelona ishte ndalur përballë furisë së djemve vlonjatë.

Ndërsa pa dyshim në Kosovë, përballjet tanimë legjendare të Flamurtarit të Vlorës kundër Partizanit të Beogradit, dhe në veçanti goli i Sokol Kushtës në mes të Beogradit e atij stadiumi antishqiptar, patën çuar peshë publikun kosovar dhe sigurisht ua patën gufuar zemrat nga krenaria shqiptarëve të Kosovës në ato vite të turbullta shtypje serbomadhe.

Edhe vetë e mbaj mend vagullt atë ndeshje dhe ngazëllimin që shpërtheu kudo në Tiranë pas golit të Kushtës që kualifikoi Flamurtarin e Vlorës tutje, për të sfiduar më pas edhe Barcelonën yjore.

Si rrjedhojë, kur mësova vite më parë se Flamurtari i Prishtinës ngërthente të njëjtën traditë të pamposhtur futbollistike, duke shpërfaqur të njëjtin shpirt kryeneç agonistik në fushë, aq më tepër, me një mbështetje te pashembullt nga tifozët e vet të zjarrtë në stadium, me fymëzimin e të njëjtave ngjyra kuq e zi, atëherë ëndja për të mësuar më shumë për këtë ekip kaq atipik e të veçantë, m’u shtua tejmase.

Prishtinën tani mund të pohoj se e njoh mjaftueshëm, por akoma nuk kisha pasur fatin të vizitoja personalisht mjediset ku Flamurtari prishtinas prej kaq vitesh i kish zhvilluar tërë ndeshjet e veta si ekip vendas, dhe një ditë fundgushti veror, nën një qiell te vranët, pasi ishim nisur nga 4 Llullat, tjetër zemër pulsuese e Prishtinës së vjetër, pasi kapërcyem edhe shinat e ndryshkura të një treni që nuk kalon atypari prej vitesh të panumërta, mes rrugicash shtruar këndshëm me plloça dhe disa lagjesh plot gjallëri, u gjendëm buzë fushës së këtij ekipi simbol të kryeqytetit kosovar.

Tashmë “stadiumi” i Flamurtarit të Prishtinës, i tillë mund të cilësohet vetëm për nga tradita dhe e kaluara e tij, sepse gjithçka që ka mbetur sot, është vetëm një fushë në shtrim e sipër, mënjanë terrenit të mbuluar stërvitor mbrapa njërës nga portat, dhe gjithashtu dhomës së zhveshjes e ndonjë objekti tjetër të rrallë.

E pamundur që tifozët të kthehen t’i ndjekin plot pasion dhe përkushtim ndeshjet e kësaj skuadre kaq të veçantë, e cila pa tifozët e saj të zjarrtë, dhe sidomos pa shpirtin prej ekipi të lagjes, sigurisht që do të mbetet thuajse krejt jetime në të ardhmen.

Thuhet se diku tjetër mbase ndërtohet një stadium i ri, ose që gjithashtu të rindërtohet diçka rreth fushës së tashme, por ecuria aktuale e Flamurtarit të Prishtinës duket e vështirë, teksa edhe sponsorizimet e fuqishme mungojnë, dhe kryeqyteti i Kosovës mbetet me vetëm një ekip të fortë që mund të rivalizojë rregullisht për tituj dhe pjesëmarrje në kupat europiane, KF. Prishtinën.

Të vjen rrjedhimisht keq për këtë gjë, edhe për faktin se një derby i mirëfilltë prishtinas, midis dy ekipeve që ndoshta do të mund të garonin për titullin kampion të Kosovës apo të përballeshin në ndonjë finale kupe, me mijëra tifozë që do të ndizeshin flakë nga emocionet për këtë shkak, është një kremte e munguar për Prishtinën si kryeqytet.

Në Tiranë, qytetin tim, jemi mësuar dikur të paktën me tre ndeshje të rregullta derby, midis Partizanit, Tiranës dhe Dinamos, tre skuadra me traditë të madhe dhe tifozeri tejet besnike, që gjithashtu kanë fituar rreth 60 kampionate shqiptare bashkërisht.

Ndër emocionet e mia më të paharrueshme, janë gjithmonë kujtimet nga ditët e zjarrta të përballjeve mes Tiranës dhe Partizanit, dy ekipeve me tifozeri më të madhe dhe të flaktë në kryeqytetin shqiptar, që shndërrohen në arsye për parrulla, sfida të panumërta midis tifozëve të të dyja skuadrave, agonizmi të skajshëm në fushë, hareje, mërish të shumta dhe kunjash sarkastike të ndërsjella mes mbështetësve të tyre, Tirona Fanatics dhe Ultras Guerrils.

Kjo gjë vërej që i mungon Prishtinës, dhe patjetër me rimëkëmbjen dhe fuqizimin e Flamurtarit të Prishtinës, këtij ekipi lagjeje, të rrënjosur në shpirtin popullor të kryeqytetit të Kosovës, ky derby prishtinas do të rikthehej fuqishëm, duke e gjallëruar së tepërmi jetën sportive të qytetit.

Falë njohjes time të thellë të Madridit sakaq, një shembull i çmuar nga kryeqyteti spanjoll, fare mirë mund të shihet si perspektiva e duhur për Flamurtarin e Prishtinës, sigurisht me krijimin e kushteve të duhura për diçka të tillë.

Përveç Realit legjendar dhe Atletico, dy ekipeve gjigante të Madridit, me buxhete miliardere, stadiume të mëdhenj ultramodernë dhe pjesëmarrje të rregullt (dhe ngadhënjime të shpeshta, në rastin e Realit) në Champions League, skuadra e tretë e kryeqytetit spanjoll është pa dyshim Rayo Vallecano.

Ky ekip tejet i njohur në Spanjë dhe gjithashtu në botë, i përket një lagjeje popullore të banuar kryesisht nga klasa punëtore, të quajtur Vallecas, një bastion i mirëfilltë i frymës liberale dhe përparimtare në Madrid.

Rayo Vallecano, i themeluar në 1924, këtë sezon, për herën e njëzetë jubilare, do të luajë në Primera Division, krahas Realit, Barcelonës, Atletico, Sevilla, Betis, Athletic Bilbao, Valencia, e shumë ekipeve të tjera të njohura dhe tepër të fuqishme financiarisht, me pronarë e sponsorë të shumtë, me stadiume moderne dhe tifozeri të panumërt.

Gjithsesi, Rayo, që në shqip përkthehet “Rrufeja”, pikërisht sikundër mund të shihet edhe në fanellat e veshura nga lojtarët e tij, ku rrufeja dallohet qartas, përkundër mungesës së sponsorëve të mëdhenj, dhe paçka se thelbësisht bëhet fjalë për një ekip të vogël lagjeje të varfër të banuar nga punëtorë të thjeshtë madrilenë, sa herë ngjitet në ligën e parë spanjollë, i sfidon kryelartë viganët e Spanjës, duke marrë shpesh rezultate mbresëlënëse kundër tyre, si fitoret dhe barazimet e fundit brenda në Barcelonë këtë vit.

Stadiumi i këtij ekipi, thuajse 15 mijë vendësh, nuk ka fare shkallë mbrapa njërës nga portat (teksa aty një pankartë e madhe, falënderon tifozët për mbështetjet e përhershme), dhe ky impiant modest sportiv, është gjithmonë i mbushur plot e përplot.

Prandaj Rayo Vallecano është mirëfilli një simbol i futbollit në Madrid, përkundër Realit gjigant dhe Atletico-s së suksesshme.

Flamurtari i Prishtinës, me shpirtin e tij popullor, mund të bëhet Rayo i Prishtinës rrjedhimisht.

Të ngjajshme