Folklori në kohën e karantinës

28 Prill, 2020 - 12:00 pm

Nga Arbnora Dushi

            Në kohë krizash, fatkeqësish natyrore, pandemish, luftërash apo edhe lëkundjesh të sistemeve politike, kur funksionaliteti i veprimtarive të përditshme del nga rregulli, krijohen kushte më të favorshme për lulëzimin e një veprimtarie tjetër, asaj shpirtërore. Mungesat, dhembja për humbjet, pamundësia për lëvizjen e lirë, izolimi në shtëpi, pamundësia për shprehjen e lirë, komunikimi i penguar e të gjitha rrethanat e tjera që e vështirësojnë apo e pamundësojnë natyrshmërinë e shprehjes njerëzore, sikur i japin edhe më shumë krahë kreativitetit shpirtëror, i cili do ta bëjë të pamundurën që ta gjejë rrugën për të dalë në sipërfaqe, për të arritur tek publiku.

            Kjo krijimtari shpirtërore, e cila më shumë se asnjëherë tjetër, në këtë kohë karantine, po gjen shteg, jo vetëm për të depërtuar por edhe për të shpërthyer, e për të na mbushur jetën me shpirt këto ditë, është një formë e shprehjes së folklorit, por të cilën nuk jemi mësuar shumë ta shohim dhe ta kuptojmë si të tillë. Folklori në këto ditë karantine po na shfaqet në një formë tjetër e në një medium tjetër, por që gjithsesi është aty ku jemi ne dhe ku po e krijojmë ne. Sot ne jemi duke qëndruar në shtëpi dhe duke u shprehur në rrjete sociale dhe padyshim se aty është edhe folklori. Është aty, gjithmonë dhe përherë. Se folklori është ai që i jep shpirt jetës së njerëzve, gjithherë, madje edhe në kohë karantine si kjo e tashmja.

            Folklorit, kësaj krijimtarie shpirtërore të pandalshme, të cilës nuk i duhet (domosdoshmërisht) një paradije a një përgatitje paraprake për t’u krijuar, të cilës nuk i duhet as terren dhe as detyrim për ta nxitur të prodhohet, në kohën e karantinës po dëshmon se mund ta krijojë secili edhe duke qëndruar në shtëpi, edhe duke e shkruar, edhe pa audiencë fizike, edhe pa cenzurë preventive, edhe në qytet, edhe në kohën e sotme, dhe mund ta krijojë secili e secila, edhe pa pasë reputacion publik si krijues i njohur. Madje folklori mund të krijohet dhe të bartet edhe pa pasur nevojë të jetë verbal, sepse lehtësisht mund të jetë digjital. Në kohë karantine, e falë teknologjisë për mundësinë virtuale të përhapjes, folklori sot, edhe tek shqiptarët sikur tek çdo popull tjetër në botë, po krijohet e po përhapet në rrjete sociale. Jo që nuk po rrezikohet prej teknologjisë, por po zhvillohet edhe më shumë, siç ka thënë edhe folkloristi amerikan Dundes, që teknologjia nuk e zhduk folklorin, përkundrazi, ajo është një faktor vital në transmetimin e tij duke u bërë kështu burim ekzistues për gjeneratat e reja që ta krijojnë atë.

            A nuk jemi dëshmitarë në këtë kohë karantine, se folklorin e gjejmë edhe pa e kërkuar në dasma e tubime masive familjare, ose në you-tube në performanca të regjistruara, pra a nuk jemi dëshmitarë se kësaj radhe folklori po krijohet dhe po ofrohet për t’u mbledhur edhe pa pasë nevojë të dalim në terren për ta kërkuar?  Më shumë se asnjëherë tjetër në rrethana të natyrshme, sot në rrethana izolimi, po lexojmë barsoleta e anekdota që po qarkullojnë në Facebook: për gjakovarët, për drenicakët, për llapjanët, për protagonistët e politikës (të brendshme e të jashtme), për burrat e për gratë, për shqiptarin-amerikanin-e-gjermanin, e për gjithkë tjetër që pa dallim janë bërë personazhe të komunikimit të përditshëm në shtëpitë tona. Më shumë se asnjëherë tjetër kemi parë, por edhe krijuar, meme (imitimet kulturore që shpërndahen sikur gjenet, nga njëri person tek tjetri dhe bëhen virale, por që sot më shumë me emër të tillë njihet fotografia a pamja me tekst e cila  bart një mesazh, dhe që përhapet në rrjete sociale), të cilat si origjinale ashtu edhe të përkthyera, nuk lënë cep të botës pa arritur. Shpesh me kuptim lokal, por jo rrallë edhe global, këto tipe barsoletash vizuale nuk lënë personalitet e dukuri pa vënë në spikamë apo edhe fshikulluar, duke e bërë kështu të mundur frymën e një humori të përgjithshëm apo bartjen e nje mesazhi të kuptueshëm në gjithë botën.

            Më shumë se asnjëherë më parë, sot në rrethana izolimi, jemi bërë më kreativë me punë artizanale, ku çfarëdo prirjeje të punës së dorës që e kemi pasë apo edhe vetëm e kemi dëshiruar në një kohë, këto ditë e kemi nxjerrë në sipërfaqe dhe i kemi dhënë shpirt. Më shumë se asnjëherë më parë, në këtë kohë karantine, kemi parë e dëgjuar krijime origjinale e imitime këngësh në kushte shtëpie, ku këngëtarë profesionistë nëpërmjet video-kombinimeve kanë realizuar edhe koncerte në nivel botëror. Por hiç më pak nuk mund të themi edhe për amatorë të cilët janë inkurajuar ta provojnë veten nga shtëpia, qoftë vetëm ose me familjarë të ngushtë, për të performuar një pikë muzikore, apo një vallëzim, çfarëdo qoftë ai.

            Folklori në kohë karantine, përveç që po bartet me një intenzitet të shtuar, ai edhe po krijohet duke u furnizuar me temat nga karantina e nga virusi COVID19, pandemia që e ka përfshirë botën. Maskat, dorëzat, distanca sociale e fizike, mjekët dhe infermierët me humanitetin e tyre në vepër, dezinfektuesit, letrat e toaltetit, por edhe teoritë konspirative se ku filloi e kur do të përfundojë kjo pandemi, janë temat më të shpeshta të memeve. Nga mjekët që krahasohen me heronjtë e përrallave e të filmave me shpëtimtarët e njerëzimit e deri tek pikturat e kryeveprave botërore që po i ‘shijojnë’ ditët e qeta në ekspozitat pa vizitorë për shkak të mbylljes së këtyre të fundit nëpër shtëpia; nga talljet me pushimet verore sivjet në ballkone e dhoma me pamje të detit  e deri tek birrat Corona që e kanë ndërruar emrin prej se po luftohet virusi me të njëjtin emër, janë të gjitha meme që po qarkullojnë globalisht për shkak të lehtësisë së kuptimit të imazheve dhe teksteve në anglisht. Por jo vetëm këto, memet në gjuhën shqipe krahas edhe shumë barsoletave me kuptim lokal, që lidhen me pushimet verore në Los Dhomas, Las Kuzhinas e Santa Sallonis apo të tjera që lidhen me traditat shqiptare si mikpritja që pamundësohet  për shkak të karantinës, apo kurorëzimi që tash e tutje do të bëhet me kompjuter për shkak të izolimit të familjeve në shtëpi, e deri tek ato që i nxjerrin në pah tiparet lokale të qyteteve e zonave karakteristike si Gjakova, Drenica e Llapi, duke i rikontekstualizuar në situatat e pandemisë, që të gjitha sjellin risi në lëndën folklorike duke bërë kështu që të lindë një cikël i ri i folklorit. Mund ta quajmë folklori i pandemisë apo folklori i karantinës, i virusit Corona apo sido që ta quajmë, ai do të shënojë një grupim të ri të materialit folklorik shqiptar, i cili tash e tutje do të zë një vend të ri në rendin e cikleve të folklorit, që i ka evidentuar folkloristika shqiptare.

            Praktikat e këtilla të krijimit të një cikli të ri të folklorit, duke e identifikuar atë më kohën e krijimit, siç është kjo e pandemisë, po gjejnë vend në shumë shtete, por edhe shoqata e organizata të folkloristëve nëpër botë, të cilët kanë hapur faqe publike në internet për të mbledhur llojet e këtilla të krijimeve të cilat i quajnë “COVID folklore”. Duke inkurajuar rrjetet e anëtarëve që të dërgojnë materiale online, krahas mundësisë së lehtë të mbledhjes nxitet edhe krijimi, dukuri këto të reja që po lindin dhe krijohen në një kohë të re të zhvillimeve teknologjike. Veç ta mendojmë sa është e ndryshme dhe e lehtë kjo metodë në krahasim me mbledhësit e folklorit (në të gjitha kulturat) që është dashur të shkojnë nëpër fshatra, derë më derë, të mbledhin folklor duke e regjistruar me laps e letër e më vonë me diktafonë, për ta transkriptuar më pas çdo fjalë. Teknologjia ka lehtësuar gjithçka në jetën tonë duke i bërë që të lehtësohen edhe shumë procese e e të lindin dukuri të reja, madje të njëjta dhe njëkohësisht në mbarë botën. Në këtë vazhdë jam e prirur ta shoh edhe iniciativën e kryetarit të Prishtinës, i cili me inkurajimin e garës së qytetarëve për të dërguar barsoleta duke qëndruar në shtëpi, aksion ky që mobilizoi një numër të madh të qytetarëve të Prishtinës të ofrojnë numër enorm të barsoletave për disa ditë, me shkrim ose me video, ishte një formë simpatike e prodhimit dhe e mbledhjes së folklorit në kohë pandemie. Një trend global në nivel lokal!

            Për ta përmbyllur këtu, por për ta hapur si risi në folkloristikën shqiptare, krahas kësaj pandemie që na ka përfshirë edhe neve duke na bërë pjesë me të gjithë bashkëvuajtësit e tjerë në botë, dua ta theksoj edhe folklori shqiptar që po krijohet këto ditë, si asnjëherë më parë, po ndikohet dhe po krijohet sipas trendeve globale. / KultPlus.com

Arbnora Dushi

Të ngjajshme