Gazetaria dje dhe sot 

27 Qershor, 2025 - 2:35 pm

Shkruan: Avni Spahiu

Gazetaria dje

Si shumëçka në jetën e dy dekadave të fundit të Kosovës para dhe  gjatë luftës edhe gazetaria ishte unike dhe e pashembullt në përvojën saj.  Gazetaria e Kosovës, e cila përpëlitej mes presioneve të mëdha të sistemit komunist dhe të trysnisë serbe, që mbizotëronte në ish-Jugosllavi dhe përpjekjeve për të kryer misionin e vet, ndonëse në hapësirë të kufizuar të lirisë profesionale, arriti më në fund të identifikohej me lexuesin, popullin e vet, në rrugën për liri dhe demokraci. Ajo shpesh, edhe në ato kushte, madje u bë udhërrëfyese duke i dhënë një dimension të ri të pashembullt gazetarisë që vështirë do të gjendet në analet e gazetarisë botërore. Gazetarët shqiptarë, si dhe pjesë të tjera të shoqërisë kosovare u bënë objekt i represionit, përndjekjes dhe një stigmatizimi të veçantë nga pushteti dhe politika serbomadhe. Në përpjekjet antishqiptare të politikës hegjemoniste serbe gazetarët u targetuan si një pengesë që duhej mënjanuar. Pse ishte  kjo? Gazetarët kudo dhe  kurdo, sidomos gjatë viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta në Kosovë po përpiqeshin, në mundësitë e veta të gjymtuara dhe të një censure të tmerrshme të ofronin një opinion të drejtë jozyrtar duke iu përkushtuar prezentimit të së vërtetës në opinionin publik. “Lajmi” i shtypur atëbotë u shndërrua në një funksion në jetën e njerëzve. Si të tillë, gazetarët e “Rilindjes”, si ditore e vetme, gjatë fundit të viteve të tetëdhjeta dhe viteve të nëntëdhjeta u siguronin njerëzve informacionin më të mirë të mundshëm në dispozicion, që kishte një ndikim të madh në formësimin e opinionit të përgjithshëm kosovar për të gjitha aspektet e jetës politike dhe shoqërore. 

Në këto përpjekje, gazetarët e botimeve shqipe dhe të medias elektronike u gjenden edhe përballë sifdave të kohës: të përpjekjeve për të krijuar medie të pavarura dhe profesionale, duke u mbështetur në parimet e fjalës së lirë dhe të së vërtetës. Edhe në ato rrethana të pushtimit dhe represionit të pandalur serb, gazetarët tanë filluan të kultivonin një gazetari të pavarur duke sfiduar  hapur diktatin dhe censurën. Andaj, regjimi serb mori masa ndëshkuese, duke mbyllur Radiotelevizionin e Prishtinës dhe pastaj gazetën e vetme të përditshme shqipe në Kosovë, “Rilindjen”. Përgjigja jonë ishte ajo e mospëruljes. Ajo e vazhdimit të informimit të opinionit në Kosovë përkundër presionit të vazhdueshëm që ishte shndërruar në kërcënim. Kjo qe alternativë e vetme dhe asnjëherë e mëdyshur. Vazhduam botimin e gazetës me një surrogat me emër aspak tipik për një gazetë ditore “Bujku”, një botim tani me mision të informimit të përditshëm e që në “vitet normale” preokupohej me problemet e bujqësisë. Kjo ishte denigruese për vazhdimin e një gazete me renome siç ishte “Rilindja”, që në një kohë, kishte arritur tirazh prej mbi 300 mijë kopjesh në ditë, por kjo atëbotë ishte zgjidhje e vetme. “Bujku” apo  “Rilindja B”, siç e quanim u  botua si e përditshme, si një gazetë gjysmë-klandestine që ndalohej dhe anatemohej nga pushteti pushtues serb në çdo hap. Përpjekje të ngjashme bënin dhe të njëjtat persekusione pësonin edhe mediat e tjera që u botuan në ndërkohë: “Koha”, “Bota Sot”, “Kosova Sot” etj, si dhe, patjetër korrespondentët shqiptarë që punonin për media të huajasi “Zëri i Amerikës”, “Europa e Lirë”, “Dojçe Vele”, Frans Internastional, “Vjesniku” i Zagrebit, e shumë të tjera…

Kështu, si gazetarë dhe si gazetari që doli jashtë kontrollit të regjimit, gazetarët u bënë pjesë e lëvizjes së përgjithshme, si lloj i një “gazetarie të rezistencës” së përgjithshme në Kosovë. Kjo ishte një periudhë e rëndë për tërë gazetarinë dhe gazetarët kosovarë. Në atë kohë, ashtu si të gjithë, edhe redaktorët e gazetarët, u ballafaquam në baza ditore me dhunën serbe. Gazetarët kërcënoheshin vazhdimisht nga regjimi serb për gjërat që botonim në gazetë, ndërkohë që shumë nga gazetarët tanë të terrenit dhe korrespondentët që “mbulonin” të gjitha anët e Kosovës ishin rrahur, maltretuar, arrestuar, plagosur, madje edhe vrarë. Por, nuk kishte asnjë hezitim në këtë: t’i dilej krah  së vërtetës së  Kosovës dhe informimit objektiv të opinionit  kosovar meritonte çdo sakrificë. 

Gazetaria kosovare në atë kohë lozi një rol të fuqishëm edhe në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe trasimin e rrugës së pavarësisë. Shumë procese filluan në “Rilindje” dhe influencuan zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë. Ka disa raste kyçe në këtë drejtim, që rrinë të shënuara në analet historisë së asaj periudhe. Andaj, nuk është hiperbolizuese të thuhet se  gazetarët kosovarë dhe gazeta jonë u bënë nga më të urryerit në sytë e pushtuesve  serbë. Ai regjim nuk ia  fali kurrë këtë “Rilindjes”, jo vetëm për kundërvënien në periudhën e pushtimit, por edhe për tërë periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, që mbajti e ushqeu kulturën, arsimin dhe informimin shqip.  

Gazetaria sot

Ditën kur Kosova u bë vendi i parë pa shtyp të shkruar, pa gazeta, në rruzullin tokësor, “modernistët tanë”, për të dëshmuar se sa larg kanë shkuar kosovarët në emancipimin e tyre me mediet në telefonat tanë të mençur digjitalë, nxituan  të dilnin me lëvdata të këtij lloji: “Kosova e para në botë pa gazeta”, “Një epokë e  re e gazetarisë”, “Hap i madh” dhe “Një dëshmi e globalizmit tek ne”, etj. Ky “argument” i tyre do të mund të përdorej  njëlloj edhe në rast se një ditë vendosim të mos shtypim më libra, me arsyetimin “valid” se tani ato mund t’i lexojmë “online”! Ndoshta kjo edhe do të ndodhë, në një të ardhme, ndërkohë që gazetat ditore në formë të shtypur vazhdojnë të mbijetojnë me impakt të konsiderueshëm në të gjitha vendet e botës, nga SHBA-ja e deri në Afrikë të Jugut, nga Roma e  deri në Stokholm, nga Ankaraja e deri në Paris. Po ashtu edhe në fqinjësi. Ndonëse sot gazetat botohen me tirazh të reduktuar, natyrisht, ato vazhdojnë të jenë pjesë e një tradite dhe kulture ndryshe të informimit. Asnjë vend në fqinjësinë tonë nuk “hoqi qafet” gazetat me aq lehtësi dhe është  për keqardhje ky nivel  “emancipues” i shoqërisë kosovare, që nuk ka më nevojë për shtypin e shkruar dhe  as  respekt për atë që kanë krijuar gjeneratat. 

Ndërkaq, përtej nostalgjisë ndaj rutinës së përditshme me gazeta, që ishte dikur pjesë e kulturës së jetës, gazetaria përgjithësisht ka pësuar  ndryshime të mëdha: ajo ka përfituar ca gjëra dhe ka humbur disa të tjera. Lajmi tani është më i shpejtë, mundësia e transmetimit pothuajse e atypëratyshme dhe e lehtë, kurse përditësimi i lajmit i mundshëm në çështje minutash. Qasja e lajmit është e lehtë dhe universale, gjithëpërfshirëse dhe joekskluzive. Teknologjia ka bërë të mundshëm informimin e përnjëhershëm nga çdo skaj i botës, me mundësi transmetimit të drejtpërdrejtë nga cilado pjesë e vendit dhe e botës, gazetarët janë të pajisur me teknologji lehtësisht të zotërueshme dhe  shumë efektive. Platformat e mediave sociale si Facebook, Instagram, Twitter dhe shumë të tjera po u ofrojnë njerëzve mundësinë për t’u lidhur me njëri-tjetrin në distanca. Me fjalë të tjera, e gjithë bota është në kontakt të përhershëm falë mediave sociale dhe revolucionit teknologjik. Veçanërisht, janë të rinjtë ata që kalojnë orë të tëra me telefonat mobilë në duar duke konsumuar materiale të llojeve nga më të ndryshmet mbi çdo temë të mundshme… 

Kohët moderne kanë sjellë ndryshime marramendëse dhe mediet e shkruara po bëhen ngadalë një mjet i së djeshmes, ndonëse profesionalizmi i tyre mund të diskutohet: a janë sot informacionet e mediave “online” më të besueshme dhe më kredibile sesa ato në medie  të shtypura? Temë për  debat dhe kundërshti. 

Ndonëse, cilësia profesionale e mediave digjitale mund të konsiderohet në rënie: mundësia e manipulimit me lajmin, “lajmet e rrejshme”, ato të paverifikuara apo qëllimisht të shtrembëruara, mbarështime të mangëta pa konsideratë për parimet bazë të gazetarisë janë një përsëritje e përditshme në “mediet sociale digjitale”. Sot, kultivohet pothuajse vetëm lajmi dhe informacioni i shkurtër dhe i shpejtë, ndërkohë që zhanret e tjera, tradicionalisht më të sofistikuara e më të komplikuara të gazetarisë janë tretur apo janë modifikuar  për  t’iu përshtatur epokës së re. Tani, ku është sharmi i një reportazhi të mirë, një udhëpërshkrimi të bukur, i një shkrimi që kënaqte lexuesin me bukurinë e të shkruarit të veçantë, etj. Mua ky kalim i shpejtë nga gazetaria tradicionale në “gazetari digjitale” dhe atë “telefonike”, më duket i debatueshëm, se nuk siguron hapësirë të mjaftueshme për zhanre dhe shkrime serioze të gazetarisë. Publicistika jonë është reduktuar në shkrime të shkurtra pa strukturë dhe pa përmbajtje adekuate, kurse eseistika në hartime të shkurtra, lehtësisht të qasshme, por pa skeletin e bukurisë së shkrimit tradicional.Stili emocional i publicistikës në trajtimin e fenomeneve, madje edhe  në literaturën politike siç prezentohej në medie – gazeta, revista, radio, televizion dhe filma dokumentarë, ishte një formë e vlerësuar e shkrimit në trajtimin e një game të gjerë temash të politikës, ekonomisë, kulturës, të jetës së përditshme, ngjarjeve aktuale, etj. Tani ka një stil të shkruari më të drejtpërdrejtë me jo shumë emocion, pa ngjyrë dhe pa përshkrime atraktive për të afruar  lexuesin. Nuk është se  publicistika ka pësuar rënie të madhe, por se ka një trajtë tjetër dhe jep  një tjetër “kënaqësi” të të shkruarit dhe lexuarit. Në Kosovë ka pasur disa eseistë të njohur dhe ky zhanër, megjithatë, vazhdon akoma të jetë i pranishëm si lloj shkrimi në  diskursin tonë publicistik. Ka një duzinë emrash të njohur në publicistikën tonë që vazhdojnë ende të mbajnë gjallë traditën e shkrimit të bukur publicistik dhe eseistik.  (Në “Arti i bashkëbisedimit” – 1924)/ KultPlus.com

Të ngjajshme