займ на карту онлайн потребительский кредит

‘Gjenocid i Hirtë’ – Libër personalitet i Roland Spahiut

19 Shtator, 2017 - 9:05 pm

“Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale.”
Mark Twain

Shkruan Musa Bushrani

Libër personalitet, këtë epitet do t’ia jepja librit me aforizma të autorit të ri prizrenas, Roland Spahiu, me titull “Gjenocid i hirtë”. Epitetet e tjera për këtë libër do të mund të vazhdonin edhe si libër i jetesës, i urtësisë, libër shoqërues, edukues, civilizues, libër frymëzues për të jetuar…

Sqarimi i autorit që në fillim se në këtë libër përjashtohet konsiderata ndaj së keqes, duke mos e mohuar se e keqja megjithatë ekziston, na shpie direkt në shtegun e së mirës, në shtegun e së mirës me njerëz të mirë.

Pas fillimit të dekodimi të këtij libri fillon edhe shkërmoqja secilës fjali, e secilës fjalë në secilin mendim.

Duke ndjekur gjurmët e këtij shtegu të mirë me aforizmat e Rolandit, s’ke se si të mos e pyesësh veten:Si është e mundur që në këtë baltak të së keqes të gjejë vend, të mbijë, të rritet e të gjallojë e mira?

Dhe ky është edhe qëllimi i autorit, por edhe i secilit autor që shkruan për jetën. Kjo është edhe përgjigja e secilit shkrimtar ndaj pyetjes -Pse shkruani?

Përgjigja e po secilit shkrimtar do të duhej të ishte: -Ta ndryshoj botën, mendimin e të tjerëve për të. Dhe të gjitha këto të mendime të Rolandit t’ua transmetojë të tjerëve, pra neve, lexuesve. Kam shumë arsye për të besuar se vërtetë ia ka arritur kësaj, sikur të ishte një autor i rryer dhe se shpesh dhe bukur kohë ia ka pirë lëngun kësaj bote. Kjo është e mahnitshme. Janë diku rreth 800 mendime në këtë libër, janë shumë. 800 orë?Jo!Më shumë se 800 ditë. Dhe duke kaluar prej njërës aforizëm në tjetrën dhe mbërrin në të fundit, mendja do të të kërkojë edhe më, sepse këto aforizma janë të veçanta dhe të shtojnë oreksin. Oreksi vije duke lexuar.

Rolandi për të bukurën, edhe pse nuk e ka materializuar me krijimin e tij, e thotë në një nga faqet e këtij libri, me aforizmin: “Ka fillim, por ne nuk dimë kur fillojmë.” Si fillim i çdo gjëje tokësore, si madhësi matëse e zhvillimit të tërësishëm është njeriu dhe pasi të ketë lindur, qëllimi i rilindjes domosdo nuk është i rastësishëm, sepse shumësi i emri njeri nuk ka nevojë për fuqi, agresivitet, arrogancë, sharje, shtypje dhe robëri. Shumësi i emrit njeri ka nevojë për paqe dhe ajo nuk është ëndërr. Por njeriu, shumësi i tij, nuk mund të jetojë i vetëm, sepse shumësi i njeriut formon kombet dhe kombet janë larushia e këtij nën qielli, sepse ngjasojnë më ylberin,siç ka ngjyrat ylberi ashtu edhe kombet kanë virtytet e ndryshme. Nuk mund të quhet ylber, po që se ngjyrat e atij ylberi nuk qëndrojnë bashkë. E njëjta gjë thotë autori ka të bëjë edhe për kombet dhe ato duhen që përherë të jenë në kombinim, përndryshe…

Determinomi i njeriut në këto mendime të Rolandit vijon qëllimthi deri në qelizën e fundit të njeriut. Secila qelizë e njeriut ka arsyen e ekzistencës së vet. Biologjikisht gjenetika e ka kodin e vet, ne jemi çelësi i saj, të cilin e kemi humbur qoftë gjatë lindjes, qoftë në pushime gjatë lojës në rërën e plazhit, ose në vitet e pjekurisë duke u ngutur vazhdimisht për të arritur diku për të kryer një punë më pak të rëndësishme se puna pararendëse. Njerëzit janë të prirë për t’i ngatërruar gjërat, qofshin ato edhe personale. Suksesi, shkruan Rolandi, është një mister, përkundër tij që mençuria është përdorimi i intelektit dhe e aftësive për përdorim të dobishëm. Për ta arritur suksesin, natyrisht që duhet pasur me vete edhe guximin. Është e domosdoshme për ta thënë këtu mendimin e marrë nga libri, se të bësh gjëra të mira, të vogla nuk është gjë e vogël. Prapa këtij veprimi të vogël ekziston detyra për njeriun që të mendoj, sepse ai që nuk di ka një litar rreth qafe. Tematikat e këtyre aforizmave janë jetësore, gjithçka fillon e mbaron me jetën dhe kjo nuk është pak, kjo është e pamundshme të thuhet në këtë rast, brenda kësaj tematike e cila fragmentarizohet në secilën aforizëm, gjejmë përbrenda jetësores të gjitha elemente: shpirtëroren, frikën, guximin, dijen, kureshtjen, gjykimin, injorancën, ëndërrimin, dashurinë, urrejtjen, bukurinë, shpresën,dhimbjen, zhgënjimin, lirinë e të jetuarit, ndershmërinë, origjinën etj.
Temat janë ato që shpijnë drejt veprimeve: shkrimit, edukimit, civilizimit dhe arritjes së paqes.

Në këto aforizma kemi kohën si nocion fizik, të metat njerëzore (vrasjet dhe britmat), pastaj imagjinatën, duke përfshirë sekretin, këshillën dhe lumturinë. Dhe gjejmë apostrofime edhe për njeriun, nënën, vetveten e mësimdhënësin.

Shtrati i këtyre aforizmave është i shtruar edhe në motive sociale: në aspektin e drejtësisë, filozofisë, gjenocidin me epitetet ”i hirtë e i bardhë” , shkencë etj.

Gjuha e këtyre aforizmave krijon një antitezë në vete. Përderisa ashpërsia e fjalës gjenocid paraprin vagonët e këtyre thënieve, përbrenda këtyre vagonëve artistikë bartet tërë butësia e fjalës. Në “Gjenocidin e hirtë” ka edhe aforizma, edhe thënie , të dëgjuara edhe më parë, edhe meditime, edhe përsiatje. E këtë mund ta përmbyllnim me një aforizëm të këtij libri:“Çështja është se e brendshmja ka të jashtmen.” Pesha e mendimeve në këto fraza të shkurta qëndron fillimisht nëpër kryefjalë. Fjalitë kanë një renditje të rregullt gramatikore. Përcillen me kallëzues dhe në fund të strukturës së frazës mbetet konstatimi. Kjo rregull pothuajse është e pranishme te secili mendim. “Shiu është i bukur pa çadër.” Mendimet janë strukturuar në vetën e parë, me përvojën e tyre jetësore. Cilado qoftë ajo, shpreh nuancat e pretendimit për të mos rënë në kurthet e vizualizmit jetësor. Jeta nuk është ashtu siç e shohim, por diçka me paktë nga ajo që mund ta vërejmë, përkundër asaj se jeta duhet parë edhe përtej shtatë kodrave. Përfundimi i nxjerrë, porosia e këtij libri mund të jetë: Njeriu është qenie shoqërore, andaj duke e jetuar hisen tonë të jetës, aq sa na takon, aq sa e kemi riskun e saj, ta jetojmë duke respektuar të tjerët, duke shprehur dashuri, takt, angazhim, mëshirë, mirëkuptim, falje, këshillim etj.

Pjesa dërmuese e këtyre mendimeve thënieve dhe aforizmave pretendojnë ta kenë lakonizmin, megjithatë përmbajtja e këtyre lë lexuesin edhe më për të menduar për gjëra të bukura…

Është e njohur thënia e J.D. Salingerit: “Kur ke mbaruar së lexuari një libër, dëshiron që autorin ta kishe shkruar mik, që të mund t’i telefonoje dhe t’i tregoje si ndihesh. Kjo nuk para ndodh.”

Kur e mbarova së lexuari këtë libër, isha i gëzuar që autorin e kisha mik, i telefonova dhe i tregova se si ndihem. Kjo gjithsesi se ndodhi.

Të ngjajshme