Gjergji dhe Ademi vazhdojnë të jenë në shërbimin tonë për të na treguar se ku jemi katandisur!

30 Nëntor, 2020 - 1:45 pm

Shkruan: Arbër Sadiki, arkitekt

Të gjitha artefaktet e gjetura të civilizimeve më të hershme, tregojnë se njeriu paralel me plotësimin e nevojave të tij thelbësore, pandërprerë kultivoi dhe zhvilloi ndjenjën e tij ndaj së bukurës duke e konsideruar atë shpesh edhe hyjnore. Qysh në Paleolit, shpella e Altamiras në Spanjë, përpos që u përdor për strehim, ajo u zbukurua me figura të ndryshme të ngjyrosua me ngjyra të përfituara nga toka dhe yndyra e kafshëve. Të gjithë tempujtë në Mesabotami dhe Egjipt, përpos mureve, dyshemeve dhe tavaneve të zbukuruara me piktura dhe mozaiqe, ato përcilleshin edhe me skulptura të dimensioneve dhe motiveve të ndryshme. Për të ardhur tek Greqia Antike, ku skulpturat që i dedikoheshin Zotërave të ndryshëm, duheshin patjetër të ishin të përkryera në dimensionin artistik sepse vetëm si të tilla mund të gëzonin besimin e qytetarëve grek.

Por, pavarsisht se interesi i njeriut për të bukurën u zhvillua pandërprerje, pyetje të mëdha rreth definimit të saj, ishin çështje të diskutueshme në mes të filozofëve, intelektualëve, kritikëve dhe historianëve të artit, në të gjitha epokat e qytetërimit botëror. Çka është arti? Çka është e bukur dhe çka e shëmtuar? Cilat janë kriteret në bazë të cilit vihet deri tek një gjykim mbi estetikën? Cili është thelbi i artit?

Filozofia si disciplinë e cila përpiqet të kuptojë dhe sqarojë thelbin e ekzistencës dhe së vërtetës, gjithmonë ka tentuar që të përgjigjet në këto pyetje si pjesë të rëndësishme të të kuptuarut të natyrës së brendëshme njerëzore. Estetika, si disciplinë e veçant filozofike e cila merret me krijimin artistik dhe përjetimin e veprave të artit, për herë të parë u përmend nga filozofi Gjerman Aleksander Baumgarten, në vitin 1735, i cili me të lidhte ndjenjën e fituar gjatë përceptimit. Pak vite pas, bashkëkombasi i tij, Imanuel Kant, duke u marrur me të bukurën dhe të madhërishmen, konkludonte “se shija është fuqia e të gjykuarit të një objekti ose lëndëje me ndihmën e të pëlqyerit dhe të mos përlqyerit pa kurrfar interesi. Objekti i pëlqyer si rezultat i këtij procesi, quhet i bukur”.

Kthesën më të madhe në të gjykuarit mbi estetikën, e solli skulptori francez Marcel Duchamp në fillim të shekullit XX kur ekspozoi veprën e tij artistike pjesë përbërëse të së cilës ishin rrota e biçikletës dhe pisuari. Simbas të gjitha rregullave të deriatëherëshme të të gjykuarit estetik, kjo nuk mund të klasifikohej si vepër arti. Në të vërtetë, pikërisht këtu fillon kthesa e madhe e të gjykuarit estetik, ku Dishan duke na sjellur element të rëndomt të përdorimit të përditshëm si mjete për realizimin e veprave të artit, na bënë me dije se vepra artistike nuk varet vetëm nga format fizike që e përbëjnë, por nga konteksti në të cilin ato vendosen. Ky qëndrim, paraqet moment të rëndësishëm për filozofinë bashkohore sepse ART nuk nënkupton më gjykim mbi vlerat fizike, por mbi statusin.

Gjithë këtë elaborim kronologjik, i cili është fare i njohur për gjithkë që ka një formim mesatar intelektual jo domosdoshmërisht nga fusha e artit, e bëra me të vetmin qëllim që të mundohem të gjykoj mbi vlerat estetike që manifestojnë shtatoret e vendosura gjithandej qyteteve tona këto 20 vitet e fundit.

Normalisht, teksti vjen si reflektim marr shkas nga debati që ngjallën dy shtatoret e vendosura rishtas në Prizren, shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Por, asesi duke u fokusuar vetëm tek to, sepse këto dy shtatore asgjë nuk dallojnë nga ato që ne kemi prodhuar tah e njëzet vite. Pothuajse të gjitha veprat e artit publik të prodhuara pas luftës së fundit, e që zakonisht i dedikohen protagonistëve të kësaj lufte, varijojnë nga ato me defekte të theksuara proporcionale, deri tek ato të realizuara korrekt brenda principeve të realizmit socialist të pas Luftës së Dytë Botërore. Këto të dytat, përgjithësisht të realizuara nga skulptorë eminent nga Republika e Shqipërisë, ku kjo rrymë ishte shumë e zhvilluar, arrijnë shpesh edhe përkryeshmërinë brenda kësaj fryme por ja që nuk mjafton nga që shpërfillin komponentën VEPËR – KOHË, e domosdoshme për një vepër arti.

Pra, nëse kategoria e parë, janë krejtësisht fyese për kontributin dhe sakrificën e personaliteteve të cilave u dedikohen, këto të dytat janë një keqpërdorim i qartë i tyre për axhenda ditore politike. Përmes modelimit të tyre domosdoshmërisht në frymën soc-realiste, është ndërtuar një narrativ i qartë për ti imponuar qytetarit të lirë se kush u a solli lirinë. Tek këto skulptura, i gjithë impenjimi i autorëve të tyre, normalisht kërkesë eksplicite e porositësve të veprës, është tek modelimi në detaje i arsenalit ushtarak që ata posedojnë, dhe fare pak në psikologjinë dhe intelektin e protagonistëve, ndërsa aspak në idealin e tyre sublim – LIRINË. Pra, tek ta gjejmë armë të madhësive dhe tipologjive të ndryshme (pistoleta, kallash, minahedhëz, mitraloz, …), por asnjëherë lule, pemë, gjelbërim, gurë, ujë, synonime këto shumë më të përafërta me lirinë, dashurinë, tolerancën – ideale këto për të cilat ata ranë. Pra, prurësi i lirisë asesi nuk guxon që të shpreh asnjëlloj atributi intelektual sepse duhet treguar qartas se kush e solli lirinë – PUSHKA. Ska rëndësi se heroi Shaban Jashari, para se të ishte luftëtar – ishte mësues, Agim Ramadani – poet dhe piktor, Edmond Hoxha – student, dhe se lufta ishte vetëm një imponim i vrazhgët ndaj këtyre angazhimeve të përditshme të tyre kaq fisnike.

Nëse nga ky realitet që na shpërfaqet gjithandej, tentojmë ti përgjigjemi pyetjeve qindravjeçare të përmendura sipër: Çka është arti? Cili është thelbi i artit? Në këtë rast është fare e qartë – Arti në shërbim të ideologjisë, politikës, përfitimit ditor. Kjo do të ishte fare normale për një shoqëri totalitare, diktatoriale, por nëse duam ti japim një përgjigje brenda një konteksti liberal demokratik, atëherë përgjigja vështirësohet. Si ta përkufizojmë atë si njeri i lirë, çka na pëlqen neve pa kurrfar interesi, ashtu siç insiston Kanti? Si ta kontekstualizojmë atë dhe ta nxjerrim nga të qenurit objekt, në subjekt të vazhdueshëm marrëdhënijesh me njeriun dhe kontekstin – siç pretendon Dishan.

Të pamurit në këtë prizëm, na shpërfaqen defekte më të mëdha shoqërore të cilat shkojnë përtej keqpërdorimit ideologjik të porositësve të këtyre veprave nga një grup njerëzish. Shtrohen pyetje, si: Po institucionet e pavarura, Akademi Shkencash e Artesh, Institute, Universitete, Shoqata artistësh e intelektualësh, intelektual të pavarur, artistë të lirë, cili ka qenë qëndrimi i tyre ndaj kësaj dukurie? Jemi të gjithë dëshmitar, se me përjashtime të vogla, 20 vitet e fundit këto kategori kanë qenë krejtësisht të pa zë. Të qenurit pa qëndrim për çështje që të përkasin, është kontribut direkt në mbështetjen e së keqes. Skulpturat e Prizrenit nuk bënë asgjë të jashtëzakonshme, pos vetëm një shërbim që bënë arti, për çudi, edhe kur nuk përmban kurrnjëfarë vlere tjetër brenda – shpërfaqë një realitet. Arti është kaq i sinqertë sa që edhe kur tentohet të keqpërdoret ai përsëri thotë të vërtetën. Këto skulptura, vetëm shpërfaqin realitetin tonë shoqëror në të gjitha fushat. Dy figura kaq të mëdha të kombit, nuk pranojnë të na gënjejnë. Gjergji dhe Ademi nuk bëjnë asgjë tjetër veçse vazhdojnë të jenë në shërbimin tonë për të na treguar se ku jemi katandisur! Niveli artistik i shtatorëve të tyre nuk është as më i keq e as më i mirë se arkitektura jonë, shëndetësia, ekonomia, drejtësia, muzika, filmi, rrespekti dhe dashuria që ne realisht kemi për figurat qendrore tonat.

Të kthehemi edhe një herë tek mënyra se si përgjithësisht i kemi bërë këto shtatore, duke u munduar për të dhënë edhe një zgjidhje. Duke u nisur nga fakti se asnjëri prej këtyre personaliteteve të nderuara nuk kanë sakrifuar jetën e tyre për ti u ndërtuar një shtatore, porse sakrifica që atë bënë është shumëfish më e madhe se sa që mund ti kompenzohej me një të tillë, aq më tepër duke u nisur edhe nga cilësia e realizimit të tyre, mendoj se më e mira do të ishte që ato të mblidhen gjithandej Kosovës dhe të shkrihen ashtu siç u shkrinë ata vetë për një ideal të vetëm dhe me masën e fituar të ndërtohet një memorial i vetëm dinjitoz në qendër të kryeqytetit ose kodrat për rreth tij si mbrojtës i qytetit, memorial i cili do ti manifestonte vlerat më sublime për të cilën ata ranë. Ata dhanë jetën për të dhuruar jetë. Mu për këtë, memoriali për ta duhet të jetë plotë jetë. Masa e bronzit në të cilën do të brumoseshin shpirtrat dhe idealet e tyre, e modeluar dhe rrethuar natyrshëm me lulet, pemët, ujin, njerëzit që e rrethojnë, të gjitha të shkrira në një, do na bënin të ndjejmë praninë dhe idealin e tyre në erën e luleve kur çelin, shushurimën e gjetheve kur fryen, në vesën e barit të njomë, në gurgullimat e ujit, në cicërrimat e zogjëve, në të qeshurat e fëmijëve duke lozur rreth e rrotull monumentit. / KultPlus.com

Të ngjajshme