займ на карту онлайн потребительский кредит

Gratë e dhunuara e kanë vështirë të mbijetojnë në një shoqëri primitive

Maj 18, 2019 - 12:00 am

Nga Musa Sabedini

Gratë e dhunuara janë kategoria më e shkelur, më e goditur institucionalisht dhe më e nëpërkëmbur nga vetë shoqëria kosovare. Një nënë, një grua, apo një motër shqiptare që ka përjetuar aktin më të rëndë të dhunimit, është heroinë e Kosovës.

Ajo, pa fajin e saj, pa dëshirën e saj, i është ekspozuar më të keqes, i është ekspozuar krimit më të rëndë të mundshëm. Pas luftës, shoqëria kosovare, institucionet tona, familjet e tyre deri diku janë vendosur “kundër” fatit të tyre për të jetuar të lira, për të jetuar me dinjitet e vlera si çdo grua shqiptare.

Gratë e dhunuara, për asnjë moment nuk duhet të ndihen keq në rrethin ku jetojnë. Obligim i çdo kryefamiljari shqiptar është përballja me këtë situatë. Kjo moto duhet të vlejë për çdo zyrtar kosovar që has ose takon drejtpërdrejtë një grua të dhunuar. Kjo moto duhet të vlejë për çdo prind, mësues, nxënës, student, intelektual e gazetar, në kontakte e takime me këtë kategori.

Po nënvizoj këtë fakt, sepse pas luftës, shumë zyrtarë, derisa kanë intervistuar gratë e dhunuara, i kanë përqeshur dhe janë tallur me to, duke i qitur në pozita të papërshtatshme. Edhe ato pak gra që janë martuar apo kanë tentuar të ri-integrohen në jetën normale, sot heqin të zitë e ullirit, sepse nuk mirëkuptohen nga bashkëshorti, nuk gjejnë rahati shpirtërore nga familja e burrit dhe nuk adaptohen lehtë në ambientin ku jetojnë.

E po nuk e thashë rastësisht se gratë e dhunuara e kanë vështirë të mbijetojnë në një shoqëri primitive. Vetëm një shoqëri mosmirënjohëse, vetëm një shoqëri e paedukuar dhe e pa ndjenja, mund të përbuzë këtë kategori. S`ka asnjë përgjigje tjetër që mund ta definojë pozitën e tyre.

Ato kanë flijuar gjithçka për të shpëtuar familjet e tyre dhe veten. E çka duhet të humbin ato më shumë, tash e tutje. Gratë e dhunuara duhet të përfitojnë përpara të burgosurve politikë, përpara çdo kategorie tjetër që po çirren se kanë bërë diçka për Kosovën.

Gratë e dhunuara duhet të ri-integrohen. Me to duhet të punohet maksimalisht. Duhet të krijohen ekipe të ekspertëve nga fusha të caktuara, në mënyrë që të përfitojnë, së pari rahatinë shpirtërore dhe pastaj edhe të tjerat.

Gratë e dhunuara duhet të kuptojnë se janë në shërbim të Kosovës dhe se ato kanë mundësi që të rrëfehen publikisht, pa ndjerë fije turpi. Mundësia e deklarimit publikisht, atyre u ndihmon shumë. Por kjo nuk bëhet shpejt e as për një ditë. Mjafton që ato të rrëfejnë përvojën e tyre para një audience të zgjedhur, para studentëve, diplomatëve të huaj, shkollave sociale e psikologjike dhe institucioneve tjera që merren me trajtimin e këtij fenomeni.

Kosova dhe gratë e dhunuara mund të tregojnë shumë para botës. Vazhdimisht themi se bota e njeh dhe e di për luftën e Kosovës, por nuk duhet të harrojmë se luftërat fitohen tek pas shumë vitesh pasi të kenë përfunduar. Beteja për ta fituar një luftë lidhet me faktet dhe dëshmitë e ofruara, që në këtë rast Kosova ka shumë, vetëm na mungon strategjia dhe sistemimi i dokumentacionit real që lidhet me fenomenin e dhunimit.

Të ngjajshme