Gratë heshtin për vuajtjet, sepse shoqëria keqpërdor dhimbjen e privatësinë e tyre

24 Prill, 2020 - 11:50 am

Nga Enerida Toska

Duhet të merret mësim nga disa femra. Më bëjnë përshtypje disa gra me durimin e artë që kanë, më të cilin arrijnë të mbulojnë çdo plagë, çdo dhimbje, dhe çdo formë dhune.

Nuk shprehen, nuk flasin, janë të ngurta kundrejt çdo lloj provokimi që mund t’u bëhet në familje apo në shoqëri dhe me sjelljen e tyre fisnike dallojnë nga pjesa dërmuese e grave që pikëllohen për gjënë më të vogël.

Njoh nga ato që janë abuzuar fizikisht e seksualisht nga meshkujt, por nuk flasin kurrë për gjërat që kanë kaluar. Janë disa të tjera që durojnë një bashkëshort jo të rregullt se bashku me familjen e tij. Ka dhe gra që nuk flasin kur u jepet mundësia të tregojnë të vërtetën e pse nuk e bëjnë këtë e dimë të gjithë.
Por kemi harruar një kategori femrash pa përmendur.

Janë ato femra që nuk e pranojnë të quhen të dhunuara dhe për hir të këtij mendimi mohojnë gjithçka. Mund t’i quash diktatoret e vetes por ja që ekzistojnë dhe të tilla që sakrifikojnë veten për të krijuar imazhin e një familje të lumtur dhe pa probleme. E menduar në mënyrë racionale e kupton pse e bëjnë gjithë këtë.
Do theksoja dhe që shoqëria e bastardon imazhin e një “gruaje të dhunuar” dhe kështu e shfuqizon atë nga shumë aspekte duke e parashtruar si të dobët e të paaftë, kur vetë shoqëria është fajtore për indiferentizmin e treguar kundrejt këtyre fenomeneve.

Po ashtu po kjo shoqëri që ngrihet vetëm në ditën e dhunës ndaj grave dhe e lufton dhunën ndaj tyre duke bërë vrap e duke veshur bluzë me ngjyrën personifikuese të gjinisë femërore, po kjo shoqëri që pranon rryma të reja floreshente, po kjo shoqëri e dhunon më shumë se çdo gjë tjetër e shformon imazhin e gruas.

Këto gra që heshtin e kanë një arsye. E respektojnë aq shumë veten sepse e njohin shoqërinë “që proteston” për to. Nuk ia lejojnë shoqërisë luksin t’ua bëjë jetën “gazetë” apo kronike e radhës për t’u lexuar. Pranojnë me dhimbje dhe shpresojnë për ndryshim të situatës ku ndodhen dhe refuzojnë poshtërimin që mund t’u japë një shoqëri e tërë.

Kjo po e vret shoqërinë tonë sot. Këto lajme frymëzuese për burrat e sëpatave, levave, thi-kave, pis-toletave, etj, etj. Të bësh lajm jetën private të dikujt duke dhënë informacione sfumuese e depresive, duke e përshkruar me imtësi sikur të ishin prova për prokurorinë… Ju lutem, mjaft i bëtë share./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme