Gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane në luftë me pabarazinë për një shoqëri demokratike

13 Korrik, 2021 - 3:31 pm

“Ka dy lloje të fuqive në botë, njëra është shpata dhe tjetra është lapsi. Por ekziston edhe një fuqi e tretë më e fuqishme se të dyja këto, ajo është gruaja” – Malala Yousafzai

Një përmbledhje e plotë mbi atë se sa kanë gratë fuqi të zërit dhe pozita udhëheqëse në shoqërinë kosovare dhe a kanë një përfaqësim kuptimplotë duke mos i diskriminuar nga aspekti biologjik, përkatësia etnike, fetare dhe orientimi seksual. Sa janë të përfshira në jetë publikë?, a janë  pjesë  integruese në proceset vendimmarrëse si në institucione publike por edhe brenda organizatave të shoqërisë civile. Sot do shtjellojmë një pasqyre të plotë të barazisë gjinore si dhe kontekstin historik dhe politikë të saj.

Cili është rrugëtimi i gjithëpërfshirjes së grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në  këto 21 vite të pas luftës në Kosovë?

Pas vitit 1999, jeta e grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian pësoi një transformim rrënjësor politikë, social, ekonomik dhe shoqërorë. Ky transformim solli ndryshime të dukshme në strukturën e ekonomisë, nivelin e jetesës së grave, kulturën e fuqishme patriarkale, në ndërveprim me pasojat e luftës dhe të diskriminimit të thell mbi baza racore, problemet e thella të trashëguara i gjetën gratë e ketyre komuniteteve me një sistem të pabarabartë e që vazhdon edhe sot.

Kriza e tanishme e pozitës se grave është në një fazë shumë të ashpër. Ajo lidhet me dilemën se si ne mund të jemi politikisht të barabartë, pavarësisht ndryshimeve tona. Partitë politike të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali ende sundohen nga mentaliteti maskilist, ku “burrat janë të lindur për të qenë lider politikë’’. Po këtë mentalitete maskilist për fat të keq e gjejmë edhe në sektore tjera të shoqërisë. Këtu nuk përjashtohen edhe organizatat e shoqërisë civile, në sektor të ndryshme të punësimit po edhe vetë brenda familjeve.

Përfshirja e grave në jetën politikë dhe në fushat tjera si: në ekonomi dhe jetën sociale, në ditët e sotme më shumë  është  përpjekje e vetë grave për t’i shfaqur aftësitë e tyre, se sa hapa konkrete nga institucionet vendimmarrëse. Kjo bëhet duke mos i vendosur në  pozita që do t’ju jepte mundësinë të jenë fituese dhe të jenë konkurrente të barabarta me burrat.

Grave më pak ju dëgjohet zëri për tema si ekonomia dhe siguria nacionale e më shumë tek ato tema qe cilësohen se janë për gratë,  p.sh, ato që përfshinë aspektin social të shoqërisë.

Një tjetër sfidë që është barrier që gratë të arrijnë suksese për të qenë pjesë në pozita vendimmarrëse është që ato nuk e kanë hapësirën e njëjtë kohore në fushata zgjedhore me burrat brenda partive, pasi ato bëhen pjesë e listave vetëm një muaj para  zgjedhjeve, duke e mundësuar  vetëm  përmbushjen e kuotës që e kërkon ligji.

Që nga koha që është vendosur kuota më Ligjin për Zgjedhje, as njëherë në listat e partive te komuniteteve nuk ka kaluar numri i grave përtej kuotës që janë të obliguar ta respektojnë.

Barazia  njeh faktin se nuk është problemi tek statusi i individit apo identitetit grupor, porse pasojat e dëmshme të cilat janë të lidhura për atë status, pra pasojat e lidhura me të qenit grua në një shoqëri të pabarabartë.

Përfaqësimi dhe pjesëmarrja kuptimplotë e grave dhe vajzave rome, ashkalike dhe egjiptiane në proceset vendimmarrëse është një kusht i domosdoshëm për gëzimin dhe realizimin e të drejtave të tyre shoqërore.

Përvojat e grave mund të jenë të ndryshme nga burrat andaj është e nevojshme që ato të jenë pjesë e diskutimeve që rezultojnë në politikëbërje dhe rrjedhimisht kanë ndikim në jetën e tyre.

Mungesa e grave në vendimmarrje ka ndikim negativ në të gjithë procesin e demokratizimit dhe krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.

Disa prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë gjendje janë:

1.Mungesa e mjaftueshme e qendrave për kujdes të fëmijëve dhe të moshuarve në mënyrë që gratë të lirohen nga obligimet familjare.

2.Mungesa e përkrahjes nga familja, sidomos nga burrat.

3.Diskrimimi i dyfishtë, së pari që është grua, së dyti që i takon një përkatësie etnike ndryshe.

4.Mungesa e njohurive nga gratë për rëndësinë dhe domethënien e të qenit aktive në politikë.

Ndërkohë, aspektet pozitive janë të shumta. Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje ka ndikim pozitiv në transformimin e shoqërisë në fusha, siç

janë:

Ndryshime kulturore (Patriarkalizmin e shoqërisë i cila vazhdon të dominojë në te gjitha sferat e jetës. Gratë shpesh shihen si të papërshtatshme për të qenë pjese e vendimmarrjes apo të kenë rol udhëheqës në politikë, madje edhe kur ato marrin  këto role, veprimet e tyre shqyrtohen shumë më shumë nga publiku. Burrat gjithnjë favorizohen për të udhëhequr pozitat vendimmarrëse, ndërsa gratë konsiderohen si me pak të afta për këto vende pune. Stereotipat ekzistuese që lidhen me profesione të caktuara për gratë vazhdojnë të ekzistojnë në shoqërinë kosovare, etj)

Ndryshimet ligjore (Mungesa e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore nga institucionet publike – kuota 50% për përfaqësimin e barazisë gjinore. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, që përcakton se 30% e kandidatëve në listën e partive politike duhet të jenë gra, nuk përputhet me Ligjin për Barazi Gjinore. Mungesa e zbatimit të sanksioneve për respektimin e kuotës gjinore prej 50% të përfaqësimit në Ligjin për Barazi Gjinore. Mungesa e zbatimit të Ligjit Kundër Diskriminimit në punësim – Ky ligj kërkon që punëdhënësit të krijojnë dhe përcjellin politika anti-diskriminuese ose anti-ngacmuese për të mbrojtur punonjësit e tyre. gratë zakonisht janë subjekt i diskriminimit dhe ngacmimit në vendet e punës dhe mungesa e zbatimit të këtyre ligjeve ndikon në arritjen e tyre deri tek pozitat vendimmarrëse, etj)

Ndryshimeve politike (Mungesa e demokratizimit të brendshëm të partive politike – Shumë shpesh pozicionet gjinore të udhëheqjes politike të partive politike konsiderohet si të pabarabartë, prandaj dhe pozitat vendimmarrëse dominohen nga meshkujt (si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror). Konkurrenca midis grave në vendimmarrje dhe brenda strukturave politike është shumë e kufizuar, shpesh ndikon në çështjet e cilësisë dhe profesionalizmit për vendime të caktuara vendimmarrëse, etj)

Nxitja e barazisë gjinore shihet si një inkurajim për prosperitet më të madh social dhe politikë. Aktiviteti ekonomik dhe politikë i grave  është një masë e përbashkët e barazisë gjinore në të gjitha sferat e jetës sociale. Është vizioni që gratë dhe burrat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë në të gjitha aspektet e tjera të shoqërisë dhe të mosdiskriminohen në bazë të gjinisë së tyre në mënyre që të kemi një shoqëri demokratike ku vlerat njerëzore respektohen në mënyre të barabartë.

Shënim: Autorja e shkrimit është, Floride Kuqaj, zyrtare për fuqizimin e gruas në organizatën ‘’Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve’’./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme