займ на карту онлайн потребительский кредит

Hamami, shkëndijë emancipimi për femrat

13 Korrik, 2019 - 10:00 am

Nga Miranda Sadiku

Shumë herët, gati tre shekuj më parë qytetarët elbasanas e panë të nevojshme dhe të domosdoshme ndërtimin e hamameve ( banja publike).
Në përshtatje me kohën, nën pushtimin fanatik Osman, u ndërtuan veç hamamet për meshkuj dhe veç ato për femra.

Është e bukur të theksojmë se këto hamame veç larjes shërbenin edhe si vende njohjeje për krijimin e çifteve të rinj.

Studjuesi Hyjni Ceka thotë se “ ndërlidhëse në njohje të tilla bëheshin motrat e pretendentëve për dhëndërr. Dhe, për të realizuar një lidhje të tillë qëndronte si kërkesë kryesore emancipimi i femrës që kërkohej, por edhe higjena personale merrte rëndësi të veçantë, thotë studjuesi, ku nuk le pa përmendur edhe trupin e femrës, apo mënyrën se si ajo fliste, e buzëqeshte”. Dhe kjo në një kohë që në shumë qytete të tjera të Ballkanit as që mund të bëhej fjalë për egzistencë hamamesh të tillë, ku praktikohet banja me avull, me ujë të ngrohtë të aromatizuar me esencë trëndafilash. “Në fillim të shekullit të XX- Momë Lushka ishte bërë mjeshtre e pregatitjes së aromave të tilla që në gjuhën popullore quheshin “ gjyslyhane” ( aromë trëndafili)”, thotë Ceka. Ai shton se “ Momë Lushka një e moshuar merrte gjethet e trëndafilit i vinte saçin përsipër ku kullonte lëngu, me erë të mrekullueshme. Madje me gjethet e trëndafilit të shtrydhur amvisat elbasanase, përgatisnin një ëmbëlsirë që quhej gjylaç.

Sy kureshtarë të fshehur pas portash e kthesash rrugice, mes tyre edhe vetë artisti Isuf Myzyrin ndiqnin të sapodalat nga hamamet për të parë me sytë e tyre ato bukuroshe që ua rekomanduan motrat.

Madje Myzyri në repertorin e tij do t’i kushtonte një këngë këtyre vajzave vargjet e të cilave këndohen edhe sot. .. Del një vajzë nga hamami /çfarë t’i jap ta puth një herë..
Kjo këngë e kënduar prej kaq brezash na çon në një traditë të këtij qyteti të lashtë dhe të emancipuar. “Kjo traditë e përdorimit të hamameve më pas kaloi edhe brenda familjeve pasanikësh por edhe intelektualësh në qytet, për të cilët Elbasani gjithnjë është shquar” thotë Ceka, që sipas tij “hamami shërbente edhe për një qëllim tjetër, në ditë të veçanta të javës grumbulloheshin të apasionuarit pas banjove me avull, traditë kjo e sjellë nga pushtuesi Osman shekuj më parë në këtë qytet”.

Edhe sot e kësaj dite si monumente kulture ruhen dy hamame, një për meshkuj në qendër të qytetit, dhe një për femra brenda mureve të kalasë.
Hamami nuk ishte i vetmi vend ku lidheshin krushqitë.

Femrat e emancipuara elbasanase përdornin për njohje të tilla edhe daljet e shpeshta për teferiç (vende turistike) në kroin e Kalit, Rrapin e Mansit, apo në Bushek, ku kishin mundësi, fshehur syve vëzhgues të etërve, të këmbenin ndonjë fjalë me djalin që dashuronin. /KultPlus.com

68c68573-eb4f-44b4-928f-98bd0a7ce97d
3a4a98e5-0f2e-45e2-926e-82120a6f9efb
b1a03d23-9dd7-4c88-b23c-5fa29d869c21

Të ngjajshme