“Hami e pimi” lokali me emërtim në shqip në Kalabri

23 Maj, 2024 - 4:00 pm

Nga Ilir Seci

Emni i lokalit asht shqip – “Hami e pimi” – sak shqip, në shqipen e moçme të cilën e mbartën me veti matanë detit arbnorët tanë – gjaku ynë i shprishun – arbnorët që e mbarten dhe e ruejten si nji thesar te paçmuem, si gjanë ma te vlertë të identitetit te tyne te patjetersueshem…Identitet qe e ruejten dhe e percollen si nji besim te dhanun prej Zotit…besim te cilin e mbajne dhe e shprehin pa asnji droje dhe pa asnji kompleks tue e shfaqun kudo…ne kuvend, ne toponime dhe emna sheshesh e rrugesh…e deri ne emna lokalesh si ky lokal ne katundin arbnesh me emnin shqip Çifti, (ne italisht Civita), katund i njoftun per bukurine qe e ka ba me u perfshi ne listen “Katundet ma te bukura te Italisë”,(Borghi più belli d’Italia)…emën krejt i shlirët, krejt shqip – “Hami e Pimi”…

Tue e pa këtë emën lokali ne katundin arbnesh Çifti të Kalabrisë nuk ke si mos me e çue mendjen te bregu matane, bregu ne Shqipni te cilit me mall i kendonin arbnoret – “O moj e bukura Arbëri”, bregut shqiptar perballe ne Shqipni ku lokalet nuk mbajne kesi emnash shqip…nuk ke si mos me e ndermendue bregun e Shqipnise ku emnat e lokaleve deshmojne vetem komplekse inferioriteti ose ma sakte vetë-inferiorizimi te skajshem dhe pa asnji nevoje sepse ma se pari nji lokal duhet me i dhane za vendit ku asht e së dyti nji lokal e ban me za gatimi me sherbimin dhe jo emni…por jo, ne Shqipni ende vazhdojne me pase kompleks veteinferiorizimin, minimalizimin e vlerave te veta dhe maksimalizimin e vlerave te hueja…dhe këtë gja ma se kjarti e deshmojne emnat e lokaleve, hoteleve,(rezorteve), ku nuk kanë mbetë kund pa u vendosë si emertime rropullina “fame” si emna politikanesh, muziktarësh pa lidhje me ne, sportiste, kercimtare, aktore te huej, spiune te famshem reale apo fiktivë si “Bond 007”, ase emna qytetesh mijera e mijera kilometra larg Shqipnisë, emna vendesh te pahijshne apo qendrash bixhozi…emna lokalesh tabelat e te cilave sistematikisht dhunojne hapsinat publike shqiptare tue shkaktue nji ndotje që do e kishim quejtë “ndotje toponimike”…/ KultPlus.com

Të ngjajshme