Heideggeri mbi të Bukurën te Kanti

13 Maj, 2020 - 6:00 pm

Shkuan: Muhamedin Kullashi

Heideggeri mbi të Bukurën te Kanti

Teoria estetike e Kantit është njera nga teoritë e mëdha që ka ushtruar ndikim të fuqishëm në debatet mbi çështjet estetike, tani e dy shekuj, në fusha të ndryshme të arteve. Njera nga çështjet kryesore të estetikës së tij është ajo që trajton të Bukurën. Fati historik i koncepcionit të Kantit mbi të Bukurën është i ngarkuar me keqkuptime e keqinterpretime. Problemi u bë më i ndërlikuar kur në këto keqkuptime patën rol të veçant emra të mëdhenj të filozofisë së shekullit XIX, si Shopenhauer, Nietzsche(Niçe) e Dilthey(Diltaj).Ndriçimin më të thellë të këtyre keqkuptimeve, mendoj se e ka ofruar Martin Heideggeri (Hajdegeri), njeri nga mendimtarët më të mëdhenj jo vetëm të filozofisë së shekullit XX por edhe të historisë së filozofisë në përgjithësi.Një tekst i tij i rëndësishëm ku e gjejmë këtë ndriçim është vëllimi i parë i librit të tij mbi Nietzschen.

Që të dy vëllimet mbi Nietzschen shënojnë një kthesë (Kehre) të rëndësishme brenda rrugëtimit filozofik të Heideggerit. Nuk është fjala as për një monografi, as për një histori të mendimit të Nietzsches, por për një dialog kritik.C’është e bukura për Kantin ?Heideggeri thekson se keqkuptimi me estetikën e Kantit lidhet me një përkufizim të kategorisë së të Bukurës në veprën e tij Kritika e aftësisë së të gjykuarit. Aty e Bukura përkufizohet, së pari, si diçka që na pëlqen. Më tej, e Bukura cilësohet si një objekt « i kënaqësisë së pastërt të soditjes ». Është fjala për « kënaqësinë brenda së cilës e Bukura na çilet si e bukurë dhe përjetohet, sipas termave të Kantit, « jasht çfarëdo interesi vetjak », pra në mënyrë tërësisht të painteres.(f.102). Ndërkaq shijennë estetikë, siç përkujton Heideggeri, Kanti e përkufizon kësisoj : « Shija është fuqi për të gjykuar për një objekt apo për një lloj të përfytyrimit me kënaqësinë e pastër apo me pakënaqësinë jashtë çfarëdo interesi vetjak. Objekti i një kënaqësie të tillë quhet i bukur. »Heideggeri tani shpjegon se « sjellja estetike, do të thotë sjellja apo raporti ndaj së Bukurës përbën « kënaqësinë jasht çfarëdo interesi vetjak », pra kënaqësinë e painteres. » Ai saktëson se për nocionin vulgar « indiferenca ndaj çfarëdo gjëje apo personi » është mungesë e interesit. Sipas këtij nocioni, në raportin që ne kemi ndaj një gjëje apo personi ne përjashtojmë vullnetin tonë. Tani Heideggeri e lidhë këtë nocion vulgar me pikëpamjen e Shopenhauerit : mbasi relacioni ndaj së Bukurës, përkatësisht kënaqësia, përkufizohet si « e painteres », atëherë « gjendja estetike do të implikojë një suspendim të vullnetit, një pushim i çfarëdo përpjekje, i çfarëdo aspirate, pushim i pastër, një të mos-dëshirosh-asgjë e pastër, një avullim i pastër brenda mos-pjesmarrjes. »(f.103)

Më tutje, Heideggeri e fut në skenë të këtij debati Nietzschen, përkatësisht pikëpamjen e tij mbi estetikën dhe të bukurën. Së pari ai përkujton përkufizimin e Nietzsches mbi « gjendjen estetike si dehje », me qëllim qê të vejë nê suprinë dallimin e tij radikal nga pikëpamja e Kantit për kënaqësinë « e painteres », sa i takon përcaktimit të sjelljes ndaj të Bukurës. Pastaj ai citon një fragment të Niezsches nga vepra e tij e pakryer Vullneti për fuqi : « Që nga Kanti, gjithë ajo që është thënë për artin, për të bukurën, për njohjen, për urtinë është çnatyruar dhe është ndotur me nocionin « jashtë çfarëdo interesi vetjak. »(f.103) Është ky njeri nga gjykimet më të ashpëra ndaj pikëpamjes së Kantit mbi artin dhe të bukurën. Mirëpo, Heiddegeri, në analizën e vet, do të vejë në pah se ky gjykim negativ është sajuar nga një interpretim i gabuar i koncepcionit të Kantit mbi të Bukurën. E këtë interpretim të gabuar të Kantit e ka sajuar Shopenhaueri, ndërsa Nietzsche e ka përvetësuar, gadi pasivisht, nga Shopenhaueri. Këto interpretime të gabuara do të ndikojnë në përhapjen dhe thellimin e keqkuptimit të teorisë estetike të Kantit për një kohë gjatë.Pikëtakimi i Nietzsches me Kantin rreth së BukurësHeiddegeri thekson se Nietzsche ka gabuar pasiqë e ka përvetësuar në mënyrë jokritike interpretimin e Shopenhauerit dhe pse nuk e ka lexuar Kritikën e aftësisë së të gjykuarit të Kantit. Në anën tjetër, Heideggeri gjen te Nietzsche një pikëpamje të ngjashme me atë Kantit. Te ky pikëtakim Heideggeri arrinë pasi ta ketë zbërtyhyer përcaktimin e së Bukurës si objekt i një kënaqësie të painteres te Kanti. Po si të kuptohet ajo të kesh interes për diçka ? Heideggeri e shpjegon këtë si diçka që shikohet si mjet i cili do të shërbejë për diçka tjetër. Kanti ndërkaq e shtron pyetjen e cila ka të bëjë me esencën e të Bukurës në këtë mënyrë : « në saje të çkafit sjellja me të cilën ne zbulojmë diçka si të bukur përcaktohet si e aftë që të na bëjë ta përjetojmë të Bukurën si të bukur ? Cila është arsyeja e cila përcakton që ne të zbulojmë diçka si të bukur ? »(f.103)Para se ta ketë zhvilluar pikëpamjen mbi atë se cila është arsyeja përcaktuese e asaj që është e bukur e me këtë edhe të hap çështjen se ç’është e Bukura si e tillë, Kanti, sipas Heideggerit, e mënjanon pikërisht « interesin » si diçka që në asnjë mënyrë nuk do të mund të paraqitej si arsye e tillë. Kësisoj, për Kantin, gjykimi « Kjo është e bukur » kurrë nuk mund të jetë një interes. Heideggeri kësodore hap para syve tonë një koncepcion krejt tjetërtë Kantit mbi esteteikën dhe të Bukurën në veçanti. Krejt tjetër nga shumë studime e shqyrtime qoftë te autorëve të shekullit XIX qoftë të atyre të shekullit XX. Për Heideggerin, Kanti na shpjegon se në mënyrë që diçka, që kemi takuar rastësisht, të dalë për ne e bukur « ne duhet ta lëm objektin të prodhohet vetvetiu, në mëvetësinë e vetes së saj, në rangun dhe dinjitetin e saj vetanak. »(f.104) E kjo, sipas interpretimit të Heideggerit, do të thotë se ajo gjë e bukur nuk duhet të jet në shërbim të diçkaje tjetër, të ndonjë qëllimi a interesi tjetër. Kanti e saktëson këtë qëndrim të vetin edhe duke shtuar se sjellja ose relacioni ynë ndaj së Bukurës si e tillë duhet të jet « favori i lirë » (freie Gunst) ». Kjo do të thotë se ne duhet të çilemi dhe ta pranojmë atë objekt në mëvetësinë e tij, me cilësitë që e bëjnë të bukur.

Mirëpo tani Heideggeri e shtron pyetjen çfarë është në të vëretë natyra e ati favori të lirë, a nënkupton ai heqjen e vullnetit tonë, apo indiferencën kur çilemi ndaj objektit të bukur ? Ndryshe nga Shopenhaueri dhe ata që mbêshtesin një pikëpamje të tillë, Heideggeri mendon se me « favorin e lirë » Kanti kupton diçka krejt tjetër : « përpjekjen më të lartë të esencës sonë, çlirimin e vetes sonë në favor të formësimit (Freigabe) të asaj që në vete ka dinjitetin e vet »(f.104). Heideggeri kësisoj e vë në pah dallimin e theksuar midis pikëpamjes së Kantit mbi relacionin e « painteres » ndaj së Bukurës dhe Shopenhauret e vijuesëve të shumtë të tij. Se ky relacion në asnjë mënyrë nuk përmban te Kanti ndonjë « ndotje », por përkundrazi e çmon lartë të bukurën, Heideggeri e nxjerr në shesh edhe me ndriçimin e mëtejmë të keqinterpretimit të koncepcionit të Kantit mbi të bukurën. Ky keqinterpretim mbështetet në një « gabim të dyfisht ». I pari ka të bëj me interpretimin e përkufizimi të Kantit të asaj « jashtë çfarëdo interesi ». Ky formulim, siç vë në pah Heideggeri, nuk e thotë atë që është thelbësore për relacionin tonë ndaj asaj që është e Bukur, por vetëm e përgaditë udhën për atë relacion, duke përjashtuar « çfarëdo interesi » i cili do pengonte të kuptuarit dhe përjetimin e asaj që është e Bukura.Heideggeri pastaj vë në pah se nga ky keqkuptim i « interesit » del edhe gabimi i dytë sipas të cilit thuajse « eliminimi i interesit do të anulonte çfarëdo raporti real ndaj objektit ». Në fakt, ndodhë e kundërta : pikërisht për shkak të qasjes painteres« raporti real hyn në lojë ». Heideggeri nxjerr në shesh të kuptuarit e mirëfilltë të qëndrimit të Kantit, duke theksuar se « pikërisht në këtë mënyrë objekti i pastër bëhet i dukshëm dhe kështu shfaqet e zbulohet e Bukura ».(f.104)Heideggeri shpjegon se ajo që e ka bërë të mundur këtë gabim të dyfisht është mungesa e të kuptuarit real tê asaj që Kanti e konsideron si themelore për esencën e të Bukurës dhe artit. Kësisoj, Heideggeri vë në pah pokështu se Wilhelm Dilthey, i cili « ka shkruar me pasion për historinë e estetikës », pohonte se « propozicioni i Kantit mbi kënaqësinë e painteres është shtruar në një mënyrë veçanërisht të shkëlqyeshme nga Shopenhaueri ».

Heideggeri mendon se, në të vërtetë, Dilthey do të duhej të thoshte se Shopenhaueri « e ka keqinterpretuar në mënyrë veçanërisht të dëmshme » Kantin.Kurse Niezsche në një fragment tê veprës së cituar thot : « Për mua është e bukur (historikisht) ajo që për njerëzit më të çmuar të një epoke, bëhet e dukshme, si shprehje e e asaj që është më e denja për t’u çmuar ». Heideggeri thekson se pikërisht në këtë formulim e gjejmë pikëtakimin e dy mendimtarëve : « ajo që në dukjen e saj është më e denja për t’u çmuar ». Pasiqë mu ajo që në dukjen e vet është e denjë për t’u çmuar me respekt përbën për Kantin esencën e të Bukurës, ndonëse ky nuk e shtrinë këtë pikëshikim, sikurse që e e bën Nietzsche, mbi gjithë atë që është e vlefshme dhe e madhe në histori.(f.105).Kënaqësia e refleksionit dhe ngazëllimi i qeniesimit në botëTani Heideggeri e zgjëron analizën e vet, duke mos u kufizuar vetëm te mënjanimi i keqinterpretimit të teorisë estetike të Kantit, por duke synuar të shpjegojë se në ç’mënyrë Nietzsche e kupton të Bukurën, në saje të « pozicionit të burimor, brenda një lidhmërie historike. » Së pari ai konstaton se edhe Nietzsche e kupton të Bukurën si diçka që na pëlqen, si diçka që ofron kënaqësi. Mirëpo tani shtrohet pyetja se ç’do të thotë të pëlqyerit, ajo që na pëlqen. Konceptin e Nietzsches mbi të pëlqyerit Haideggeri e qëmton brenda disa teksteve nga Vullneti për fuqi. Kësisoj ai dikton se ajo që pëlqen, që korespondon , varet nga ajo se çka është ai(personi) të cilit duhet t’i korrespondoj diçka, duhet t’i pëlqejë. Ndryshe « Ai që është i tillë definohet në saje të asaj që ai kërkon preje vetes së vet. » Kjo nënkupton se ajo kërkesë varet se si e kuptojmë atë që jemi, sidomos si e kuptojmë shkallën e aftësisë sonë për të arritur « jetën e fuqishme », atë që na pëlqen , pra ajo « që i përgjigjet asaj që e konsiderojmë se i takon vet-vetes sonë ».(f.106)

Heideggeri më tutje thekson se « E Bukura është ajo që ne nderojmë e çmojmë si prototip i esencës sonë. » Mirëpo, pikërisht te ky moment i mendimit të Nietzsches mbi të Bukurën Heideggeri citon një fragment tjetër të Nietzsches për të na ballafaquar me kritikën dhe distancën që ai dëshiron të marr nga Kanti : « Clirimi nga çfarëdo interesi vetjak dhe nga « ego-ja » s’është veçse një absurditet dhe vrojtim i pasaktë : është fjala më parë për ngazëllimin që jemi tani në botën tonë, që jemi të çliruar nga ankthi përballë asaj që është e huaj për ne ! » Këtu Heideggeri sikur ka zgjedhur një fragment ku shpërfaqet sa keqinterpretimi i Kantit mbi « interesin » por edhe ajo që e bën të afërt Nietzschen me Kantin. Kemi të bëjmë këtu, pra, me një operacion të dyfisht të Heideggerit.Sqarimin e dy gabimeve dhe keqinterpretimeve të Kantit e pamë më sipër. Tani ai na ballafaqon me ngjashmëritë e pikëpamjeve të këtyre dy mendimtarëve sa i takon të Bukurës. Pikëtakimin e tyre Heideggeri e tregon te ngjashmëria midis « ngazëllimit që jemi në botën tonë » te Nietzsche me « kënaqësinë e refleksionit » te Kanti. Ky e shpjegon, në fakt kënaqësinë e refleksionit me sjelljen estetike themelore ndaj së Bukurës. Kësisoj, për të, « favori i lirë » ka të bëjë me « interesin në shkallën më të lartë ». Kjo është krejt e kundërta e një qëndrimi indiferent ose të cilësuar me një kalkulim për një interes.107 Heideggeri sqaron se interpretimi kantian i sjelljes estetike si kënaqësi e refleksionit « depërton te një gjendje fundamentale e qeniesimit-njeri, brenda të cilit njeriu arrinë te plotnia e cila buron nga esenca e tij. » (f.107)Ndërkaq te Nietzsche e Bukura është ajo që përcakton brenda nesh sjelljen tonë dhe fuqinë tonë, plotninë e fuqisë sonë thelbësore ; këtu sërish del ngjashmëria e dy mendimtarëve. Ky saktësim, që na ofron Heideggeri, na ndihmon që më mirë ta kuptojmë konceptin e « dehjes » te Nietzsche : kjo s’ka të bëjë me një gjendje « të marramendjes së ndjenjave dhe zhytjes në ekzistencën e përjetuar, ashtu si e kuptonte Wagneri. » Heideggeri shpjegon se « tonaliteti afektiv i dehjes, si raport ndaj së Bukurës nuk është as vëlim e as gjallëri e thjesht » e gjendjes estetike. Nietzche në një fragment tjetër e bën edhe më të qartë se çka mendon me të Bukurën si diçka e denjë për t’u adhuruar (çmuar) si e tillë : « Është fjala për forcën (e një individi apo të një populli) e cila e di se në ç’mënyrë dhe ku është i aplikueshëm gjykimi « për tê bukurên. »(f.107)Heideggeri saktëson se Nietzsche me « forcë » nuk nënkupton forcën thjesht fizike e aq më pak brutalitetin « por aftësinë e ekzistencës historiale e cila është në gjendje të kapë dhe të përmbushë destinimin më të lartë të esencës së tij. » Dehja për të cilën e ka fjalën Nietzsche ka të bëjë « me forcën krijuese ». Ndërkaq, me termin « historial » Heideggeri në dallim nga mendon, thënë shkurtazi, momentet më të çmueshme e më të begatshme në historinë e njerëzimit.(f.108)Të përmendim, sê fundi, një gjashmëri dhe një pikëtakim tjetër të Nietzsches me Kantin, këtë herë në fushën e çështjeve etike.

Në një artikull, të botuar më heret në këto faqe të kulturës, kemi shkruar për këtë pikëtakim, krahas dallimeve të theksuara midis tyre. Duke sqaruar domethënien e një veprimi të mirëfillt etik, Kanti shpjegonte se ky veprim duhet të prodhohet në saje të parimeve që kanë një vlerë njerëzore, e cila kapërcen kalkulimet dhe interesat vetjake të individit. Ndërkaq, ky tip i dytë i veprimeve ka të bëjë me imperativat hipotetike : kur veprojmë sipas kêtyre, vlera e veprimit nuk është brenda vet atij veprimi por por ështê jasht, te një qëllim a interes tjetër.

Të ngjajshme