Hysaj për Brahimajn: Nuk arriti ta fitojë betejën me politikanët për një sallë për balerinët që punojnë në bodrum

8 Maj, 2020 - 11:20 am

Nga Fadil Hysaj

Lamtumirë Babai i Baletit të Kosovës

Ahmet Brahimajt duhet t’i njihet merita historike për ringjalljen e Ansamblit të Baletit pas luftës. Ai e rikrijoi atë nga etapat fillestare shkollore deri te një asnambël homogjen që tashmë funksionon si një familje e shëndoshë ku respektohet dhe vlerësohet secili. Synimi i Ahmet Brahimajt ishte të krijonte një ansambël të qendrueshem i cili do të mbijetonte edhe në kohën kur ai më nuk do të jetë në mesin e tyre.

Ahmet Brahimaj ka meritë të jashtëzakonshme edhe në kultivimin e një publiku që e do dhe e vlerëson baletin . Ai e kishte një listë të gjatë të miqve të baletit të cilët personalisht i ftonte me telefon para çdo premiere pas të cilës gjithçka frymonte në atmosferë festive kulturore.

Nuk arriti ta fitojë vetëm një betejë, atë me politikanët të cilët u mundua shumë t’i bënte aleat të projektit të tij me shpresë se do të kishte së paku një sallë të denjë për ushtrime e prova për balerinët e tij, të cilët ka dy dekada që vazhdojnë të punojnë në një bodrum me lagështi në Teatrin Kombëtar.

Mund të jetonte më gjatë që të realizonte edhe këtë pjesë të ëndrrës së tij që “fëmijët e tij fluturues” të kishin një qerdhe më të denjë për artin e tyre …
I paharruar ndër breza qoftë emri yt, mik i brezit që besonte ne fuqinë e artit. / KultPlus.com

Të ngjajshme