Ishim më keq, kur ishim më keq

29 Qershor, 2019 - 9:00 pm

Annamaria Testa*

Zonja dhe zotërinj, zakonisht jam e rezervuar mbi gjërat e mia personale, por kam vendosur që sot, në mënyrë të jashtëzakonshme, të mendoj bashkë me ju disa kujtime të fëmijërisë sime.

Flasim për pak më shumë se 50 vite më parë, në Milano. Dhe pardje, jo një e kaluar shumë e largët. Nuk është larg. Dhe nuk është një situatë privimesh, apo zhvillimi të mangët. Lufta kish pak kohë që kishte përfunduar, ishin vitet e parë të bumit. E megjithatë.

E megjithatë e mbaj mend mirë atë herë kur – nuk kish ndodhur kurrë më parë dhe ishte kaq e jashtëzakonshme sa të ngulitej në kujtesën time – prindërit sollën në shtëpi një shishe të madhe me “Coca Cola”, e unë mendova: “Urra, jemi bërë të pasur!” Fenomeni nuk u përsërit më dhe mua mu rikthye dyshimi.

Më kujtohen kuadratët e gazetave që gjyshi i priste me shumë kujdes, dhe i vartë në tualet pranë lavamanit. Mund t’ju siguroj se letra higjenike, e cila hyri në shtëpinë tonë pak a shumë në kohët e “Coca Cola”-s dhe për fat u bë, ajo po, një konsum familjar i përhershëm, është krejt tjetër gjë: duhet të përballesh që ta besosh.

Më kujtohet fare mirë një drekë në vigjilje të Krishtlindjes me të gjithë familjen, gjyshër, daja dhe kushërinj, të gjithë duke parë me vëmendje një ananas të freskët – dhuratë shumë e çmuar e një klienti të gjyshit – sikur të ishte një frut i ardhur nga Marsi.

Në fund, pas shumë arsyetimesh se si mund të pritej ajo gjë, dy meshkujt e shtëpisë vendosën që të përveshin mëngët, njëri duke e kapur trimërisht pas xhufkës, tjetri duke vërvitur një thikë kuzhine. Arritën të nxjerrin shumë pak feta, të vogla dhe zhgënjyese, dhe të gjithë kishim rënë dakord se ananasi në kuti, delikatesa e gatshme ekzotike e Krishtlindjeve, ishte pafundësisht më mirë.

Më kujtohet aroma në fundin e frigoriferit, kur akulli më në fund ishte shkrirë dhe gjalpi gjithashtu po shkrinte. Dhe faktin që duhej ta hapnim dhe mbyllnim mbulesën, sa hap e mbyll sytë.

Më kujtohen çarçafët që duheshin larë dhe që liheshin në vaskën e banjës gjithë ditën, me copëza sapuni “Marsiglia”. Dhe faktin që më pas, dikush duhej t’i lante. Dhe më pas shtrydhja duke i tërhequr fort: veprim që duhej bërë me dy vetë. Me që ra fjala: ardhja e lavatriçes është konsideruar faktori më i rëndësishëm i emancipimit të femrës.

Më kujtohet kur më dërgonin dy kate më poshtë, që t’u lutesha fqinjëve të linin të lirë telefonin sepse prisnim një telefonatë.

Më kujtohet që në rrugë ndodhte të shihja ndonjë djalosh me shenja plagësh në këmbë dhe dikush nën zë pëshpërinte: “i gjori,  ka marrë poliomelitin”.

Gjithashtu, gjithë gjyshërit kishin marrë pjesë në luftëra. Askush nuk fliste, kurrë. Medaljet ndodheshin në fund të sëndukëve, bashkë me ngjitëset dhe fijet e spangos që mbaheshin aty, se kushedi, mund të duheshin ndonjëherë.

Më kujtohet që në konviktin ku të mitë më dërgonin gjatë verës, shëtisnin minj të mëdhenj, dhe që një herë më përlanë të gjitha biskotat që më kishin sjellë prindërit. Pjesën tjetër të muajit, vetëm bukë dhe marmelatë qershie, me një ngjyrë të kuqe kaq kimike, saqë bëhej edhe fluoreshente.

Të vëzhgosh veten përsëlargu

Më kujtohen këto dhe shumë të tjera.

Të kujtuarit është një fakt i higjenës mendore dhe sentimentale. Kështu, herë pas here, kur hedh çarçafët në lavatriçe apo kur nxjerr qumësht të freskët nga frigoriferi, apo kur nervozohem për shkak se celulari nuk ka shumë valë, nis të vetëdijësohem se të gjitha këto gjëra nuk janë dhe aq të mirëqena. Që kam privilegje të cilat një herë e një kohë nuk i kisha, dhe të cilët edhe sot e kësaj dite, jo të gjithë njerëzit i kanë.

E vëzhgoj veten time nga larg. Relativizoj gjërat.

Dhe të paktën për pak çaste ndihem e lehtësuar, e kënaqur dhe mirënjohëse. Dhe kështu, për një moment të paktën, shpresoj të ndiheni dhe ju.

* Eksperte komunikmi

Internazionale – Bota.al

Të ngjajshme