“Ju, punëdhënësit shqiptarë, jeni ende larg së kuptuari një formule aq të thjeshtë”

28 Janar, 2019 - 7:50 pm

Autore: Lura Elezi

E/I dashur punëdhënës/e,

Prej 11 vjetësh punoj në tregun e Shqipërisë, dhe më vjen keq që ju, punëdhënësit shqiptarë, jeni ende larg së kuptuari një formule aq të thjeshtë:

punonjës i lumtur = biznes edhe më të mirë.

Dhe një ndër gjërat kryesore që e bën punonjësin më të lumtur është sigurisht, koha.

Koha për vete, koha për familje, koha për shoqëri, koha për të mësuar një gjë të re (që të hyn dhe ty në dobi!), kohë për hobi e pasione.

▪️Nuk ka rëndësi në çfarë industrie je. Nëse punonjësit nuk punojnë orë me tepri, janë automatikisht më të qetë e më falënderues.

▪️“Këtu jemi në Shqipëri/janë shqiptarë këta jo francezë” nuk vlen. Njeriu do të ketë më shumë kohë për veten e familjen si në Shqipëri, si në Senegal, si në Australi. 24 orë në 365 ditë kemi të gjithë.

▪️ “E di unë si e mbaj biznesin tim/si i trajtoj punonjësit” nuk vlen. E përsëris: si shqiptari, si tailandezja, si kanadezi, kanë nevojë për kohë. Kombësia apo zhvillimi nuk ka të bëjë me këtë nevojë.

▪️ “Çfarë kam bërë unë për ty” është paksa toksike. Je duke gabuar diku në marrëdhëniet njerëzore në punë, dhe se ku e di ti. Dhe jo, nuk ta kanë fajin punonjësit për gabimet e tua, dhe nuk ka përse të ndëshkohen ata.

Nëse vazhdon stilin e 90’ të trajtuarit të punonjësve, je duke e ngrënë gjetkë 100%. Nëpër zyra, ajo e shtuna apo e nxjerrja në ditë pushimi nuk ka asnjë vlerë të shtuar, statistikisht. Njeriu ka një kapacitet të caktuar që do e përdorë dhe shtimi i orëve të tua ka kundër efekt dhe jo vetëm që nuk shton produktivitet, por shton frustrim dhe vetëm frustrim.

Nëse je në shërbim dhe i mbingarkon punonjësit, do e shikosh boomerang-un në sjellje të keqe te klienti, dhe punonjësit me tolerancë më të ulët do të vjedhin.

Çfarë fitove, më thuaj? Pak lekë më shumë, që siç i more do i harxhosh?

Gjithmonë do e hash gjetkë. Po për momentin ndoshta e ke të pamundur të shikosh se je mësuar ta shikosh biznesin sot për nesër, dhe jo pa të drejtë, se ky është ndër tregjet më të pasigurta në botë.

Por guximtari i vërtetë bën pikërisht atë që duket si dobësi. Nëse merr disa masa të vogla drejt kësaj, besomë që je përfitues direkt, në shumë dimensione. Provo të marrësh frymë, të mendosh pak ndryshe. Ndali të shtunat e kota, apo ul orët në 40 për shërbimin. Vëri drynin ndonjë ditë biznesit për festa, dhe mos shiko mbrapa.

Nuk u futa fare te lekët, sepse e di sa temë përcëlluese është për biznesmenin shqiptar. Nëse vërtet e ke të pamundur të japësh rrogë të 13 (pengesa është në kokë më shumë se në bankë), merr prapë guximin të bësh atë çka kësaj kulture i duket si dobësi: të falënderosh njerëzit e tu, e t’u thuash sa e/i lumtur je që punon me ta. Ndonjëherë kjo i bën të flenë më të qetë se ca 10she në portofol.

Të ngjajshme