Kadare përball sunduesve me një vepër brilante

26 Nëntor, 2018 - 2:00 pm

Çerçiz Loloçi

“Kur sunduesit grinden” apo misteri i një bashkëbisedimi telefonik Stalin- Pasternak është libri më i fundit i Ismail Kadaresë, publikuar për herë të parë në panairin e librit në Tiranë, Nëntor 2018. Midis prozës romaneske dhe sprovës letrare, diçka e ndërmjeme, vepra është mbajtur gjatë prej autorit, ndoshta tri-katër vjet dhe së paku në pesë-gjashtë dorëshkrime, megjithëse fillesat e veta i gjen qysh në vitet studentore në Institutin Gorki në Moskë apo kur shkruante “Muzgu i perëndivë të stepës”.

Në kopertinën e parë të librit është një portret i perëndisë romake Janusi, rojë i portave kryesore, mbrojtës i fillimeve dhe përfundimeve, që shfaqej me fytyrë para dhe pas; njëheri është edhe Janari, muaji që tregonte fillimvitin dhe përkon me lindjen e autorit, 28.01.1936.

Ashtu si perëndia romake autori ecën në dy kohë, në atë të tashmen dhe të atëhershmen, sheh përpara e pas, për të zhbiruar atje ku nuk shkon një mendje e zakonshme dhe për të trajtuar një thelb universal, përballjen e njerëzve të pushtetshëm të politikës me ato të letrave. Konflikti tiran-krijues është po aq i hershëm sa vetë njerëzimi ku i pari sundon me të gjitha mjetet e mënyrat por tek e fundit shndërrohet në “një nga ata”, ndërsa i dyti arrin të kthehet në ndërgjegje botërore. “Për një mbret do të mjaftonte një çast i shkurtër, një goditje thike ose ca pika helmi, kurse për poetin edhe një mijë vite do ishin pak”.

Në kopertinën e fundit jepet një shpjegim për bisedën telefonike midis tiranit më të madh Stalinit dhe shkrimtarit po aq të madh Pasternakut, të fshehur në diktaturë dhe në demokraci, ndërkohë që shfaqet edhe një personazh i tretë, në radhën e sunduesve të letrave, Osip Mandelshtam, që zë gjithashtu vend të rëndësishëm.

Në këtë libër me tri pjesë janë gjithsej edhe trembëdhjetë versione të bisedës së famshme, që në mënyrë të përmbledhur vijnë si më poshtë:

Versioni i parë, sipas arkivave të KGB.

Telefonoi Proskebishevi, sekretari i Stalinit: Tani do të flasë me ju shoku Stalin. Stalini: Pak kohë më pare është arrestuar poeti Mandelshtam. Ç’mund të thoni për të, shoku Pasternak? Pasternaku: Unë pak e njoh atë. Ai është akmeist, kurse unë i përkas një rryme tjetër. Kështu që asgjë s’mund të them për Mandelshtamin. Stalini: Kurse unë mund të them se ju jeni një shok shumë i keq, shoku Pasternak.

Versioni i dytë, me dëshminë e shkrimtares Galina von Meck, mbesa e Çajkovskit, dashnore e dyshuar e Mandelshtamit. Stalini: Cili është mendimi juaj për Osip Mandelshtamin? Ç’të bëjmë me të? Pasternaku: Ju e dini më mirë, shoku Stalin. Stalini: Vetëm kaq mund të thoni? Kur miqtë tanë binin në fatkeqësi, ne dinim më mire të luftonim për ta.

Shkrimtarët Bobrov dhe Duvakin kanë versionin e tretë të tyre.

Stalini: Ç’mendim keni për Mandelshtamin? Pasternaku: Nuk e njoh mirë, po di që është arrestuar. Stalini: Ne shokët tanë nuk i linim në baltë.

Versioni i katërt, sipas shkrimtarit Boris Shkllovski.

Stalini: Ç’thuhet për arrestimin e Mandelshtamit? Pasternaku: Meqënëse më morët në telefon, le të bisedojmë për historinë, për poezinë. Stalini: Unë po ju pyes, çfarë thonë për arrestimin e Mandelshtamit? Pasternaku: Në qoftë se ju më pyesni për këtë, unë ndërkaq e kam vënë kokën nga këmbët.

Miku i vjetër i Pasternakut, Vilmonti ka një version të pestë rreth bisedës. Pasternakut i kërkohet t’i telefonojë Stalinit. Stalini: Stalini ju flet. Po shqetësoheni për mikun tuaj Mandleshtam? Pasternaku: Miqësi të vërtetë mes nesh s’ka pasur. Më tepër e kundërta. Gjykimet tona ndaheshin. Ndërkaq, të flas me ju, këtë e kam ëndërruar gjithmonë. Stalini: Ne bolshevikët e vjetër nuk i mohonim kurrë miqtë tanë…

Gruaja e Pasternakut, Zinaida, me prirje mirëkuptimi ndaj rendit sovjetik, ka versionin e vet të gjashtë të telefonatës. Sipas saj “Borja tha se ishte habitur nga arrestimi i Mandelshtamit dhe ndonëse midis tyre s’kishte patur kurrë miqësi, ai i çmonte veprat e tij si poet i klasit të parë dhe a njihte meritat. Ai iu lut Stalinit që brenda mundësive ta lehtësonte Mandelshtamin dhe, po të qe e mundur, ta lironte”.

Versioni i shtatë zbardhet nga Akhmatova, shkrimtarja më e mitizuar e kohës, me lidhje e njohje të shumëfishta me Pasternakun dhe Mandelshtamin. Në ditarin e saj, por edhe në rrëfimin e gruas së Mandelshtamit thuhej se “Nadia dërgoi një telegram në KQ. Stalini dha urdhër për t’u parë kjo çështje…Pastaj i telefonoi Pasternakut. Se ç’ndodhi më pas, është tepër e njohur…”. Akhmatova zbardh gjithashtu edhe bisedën tiran-poet. Stalini: Në qoftë se një mik i imi poet do të binte në burg, unë do të vija kokën nga këmbët për ta shpëtuar. Pasternaku: Nëse unë s’do të lëvizja, s’do ta merrje vesh kurrë këtë punë. Stalini: Po ai është miku juaj, po ai është mjeshtër. Apo jo? Pasternaku: Kjo s’ka shumë rëndësi. Pasternaku mendoi se Stalini dontë të merrte vesh nëse e dinte apo jo vjershën e ‘ndaluar’ Mandelshtamit. Pasternaku: Përse të flasim për Mandelshtamin, kur unë prej kohësh kam dashur të bisedoj me ju. Stalini: Për çfarë? Pasternaku: Për jetën, për vdekjen. Stalini kishte mbyllur telefonin./ KultPlus.com

Të ngjajshme