займ на карту онлайн потребительский кредит

Kënga e turpshme e Kosovës

22 Gusht, 2018 - 9:50 pm

Shkruan: Ndue Ukaj

Vitin e ardhshëm mbushen dy dekada, prej kur shqiptarët e Kosovës, jetojnë të lirë. Por, Kosova e lirë vazhdon të ketë probleme të panatyrshme, ndërkaq, populli i saj, vazhdon të këndojë këngën e thellë të dëshpërimit.

Dy dekada për historinë e një populli dhe jetën e një njeriu janë shumë!

Të kujtojmë disa fakte, të cilat, mund dhe duhet të na shërbejnë për t’i kuptuar sjelljet dhe marrëzitë tona:
Lufta e Dytë Botërore përfundoi me 1945, ndërkaq, pa u bërë as një dekadë, popujt e Europës, ata që luftuan dhe shkaktuan tragjedinë e shekullit, u ulën me njëri-tjetrin dhe themeluan Unionin Europian. Ata i ulën flamujt e urrejtës dhe të mashtrimit dhe i ngritën flamujt e së ardhmes. Atëbotë, vendet që themeluan këtë organizatë, ishin të dërmuara dhe bartnin pasojat katastrofale të luftës, miliona viktima dhe ndodheshin në një atmosferë të zymtë. Por, ata nuk flisnin për ndjenja triumflasite primitive dhe për vlera të luftës. Ata flisnin për vlerat e lirisë. Ata nuk krijonin narracion politik për luftën, por shikonin kah e ardhmja, ashtu siç bëjnë gjithë politikanët e mençur dhe vizionarë.
Ku është Kosova dy dekada pas luftës?
E dërmuar si është më zi.
Dy dekada pas, më së shumti flitet për vlerat e luftës, ndërkaq, më së paku, për vlerat e lirisë dhe të politikës. Dhe harrojmë se lufta është bërë për t’i përvetësuar vlerat e lirisë dhe të politikës. Ne Kosovë, pak ose aspak nuk tregohet cilat janë vizionet për të nesërmen, por flitet për histori dhe madhështi të së kaluarës, përmes një narracioni që të krijon përshtypjen se lufta është bërë në një kontinent dhe jo në një territor të vogël, në të cilën, shumica prej nesh kemi qenë dëshmitarë.

Ky narracioni, për mua primitiv, ka etabluar një klasë politike shumë primitive dhe të paaftë. Në fakt, kjo klasë është ushqyer nga ky diskurs dhe ka shkaktuar drama të mëdha, dhe njëkohësisht ka shkretuar dhe zymtësuar fotografinë e shtetit të Kosovës.

A mund ta zbardhim këtë fotografi?Pa dyshim se po! Por, jo përmes së kaluarës dhe duke e ngjyrë kafshatën politike në të njëjtat tema politike, prej ku është etabluar këtë diskurs politik i Kosovës së sotme.
Fotografinë e Kosovës mund ta zbardhim, duke i ulë flamujt e urrejtës, ashtu siç bënë popujt e perëndimit pas LDB, dhe liderët e mençur të saj.

Kosovës i duhet një kontratë të re për të ardhmen e vendit!
Deri me sot, në vendin tonë është folë për gjithçka, por jo për cilësi të lirisë, të politikës, të qeverisjes, të arsimit, të kulturës, të ekonomisë…Pra, këto ide dhe vlera të tejkoshme, janë ngulfatë nga diskursi kolektivist i “vlerave të luftës” dhe “vlerave të veprimtarëve politik.”

Fotografia e vendit tonë sot është zymtë, ndërkaq, qytetarët e saj, janë më të dëshpëruar më shumë se kurrë. Prandaj, sot, të paktë janë ata që thonë: lum unë për vendin tim dhe lum unë për lirinë time. Në të kundërtën, çdo ditë, dëgjon një këngë të ankthshme të dëshpërimit, që të këputë shpirtin. Sepse, atyre u është trazuar e ardhmja, jo nga ndonjë forcë e jashtme, por nga paaftësia e klasës politike për të ecur përpara.

A mund ta ndryshojmë diçka?
Shkrimtari Azem Shkreli nuk arriti të përjetonte vetë lirinë, por ka lënë shumë vargje të mrekullishme. Ai ka shkruar një poezi të shkurtër, me titull ‘Këngë e turpshme.” Kjo poezi, duhet të rri si një pikturë e dhimbshme përballë syve të mërzitur të shqiptarëve.
“Sonte
Qava për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava.”

Duke e parë retardimin dhe katandisjen e Kosovës, secili qytetar i ndërgjegjshëm, në vend se të qajë, duhet të mendojë çfarë mund të bëjë tjetër për Kosovën.
Pra, Kosovën nuk mund ta ndryshojmë më ofshama, duke qarë, duke trilluar e shpifur; atë mund ta ndryshojmë, me ide politike kreative, duke vepruar diçka tjetër për të.
E para punës, për të kaluar në një stad të ri, duhet ta mbyllim kapitullin e luftës dhe të paraluftës, dhe këto tema, duhet t’ju lemë njerëzve profesionistë, të cilët mund t’i gjykojnë nga perspektiva historike, letrare e filozofike.

Bota është duke ndryshuar. Perëndimi ecë me hapa marramendës përpara, ndërkaq, po ashtu, strategjitë dhe gjeostrategjitë po lëvizin.
Askush nuk ka kohë të na pret neve derisa të ngopemi me marrëzitë tona.
Kosova, nuk e ka luksin të merret pafundësisht me vlerat e luftës dhe as të paraluftës.
Kosova, duhet t’i krijojë vlerat e paqes, të lirisë dhe të përparimit, duke mësuar nga e kaluara.
Leksionin e kemi marrë!
Pra, na vendit tonë i duhet një pakti për të ardhmen, përndryshe, edhe dy dekada do të këndojmë këngën e turpshme.

Të ngjajshme