“Këtë vit mësuam se ne kemi ende forca të fshehura brenda nesh përtej ofshamës ‘Nuk mundem dot’”

30 Dhjetor, 2020 - 9:27 am

Nga Liridon Mulaj

Fillimet e vështira logjikisht të çojnë drejt fundeve të lavdishme, dhe në mos fundit në kuptim tërësor të lavdishëm, të një rritjeje dhe forcimi moral dhe shpirtëror. Këtë vit mësuam se ne kemi ende forca të fshehura brenda nesh përtej ofshamës ” Nuk mundem dot”. Se mundemi t’ia dalim dhe përtej asaj “Nuk ia dal dot”. Mësuam se dashuria jo domosdoshmërish shfaqet nëpër përqafime dhe se përtej nevojës themelore për të përqafuar, arritëm të duam dhe pa kontakt fizik, madje duke bërë të kundërtën treguam se duam. Se në kohëra të çuditshme, dhe dashuria merr forma të çuditshme. Mësuam të mos ankohemi më për gjëra sipërfaqësore dhe të vlerësojmë njerëzit e pragut (familjen) dhe përtej kësaj mësuam dhe vese të tyre të cilët i kishim harruar të përhumbur në jetën e vrullshme, dhe ishin këto vese të padëmshme që na risollën nga pak fëmijërinë e humbur. Mësuam se liria është thelbësore dhe se ngujimi qoftë dhe në divanin e rehatshëm të shtëpisë është i rëndë, bezdisës, plogështues. U mësuam me gjithçka dhe çdo gjë të cilat na e tronditën jetën, por ia dolëm dhe do ia dalim duke mbajtur dhe kultivuar brenda nesh, ndjenjën për të cilën jemi krijuar ta japim pa kursim, atë me të cilën do kapërcejmë çdo sfidë dhe fatkeqësi, DASHURINË! Ndaj me forcën e idesë se e keqja e madhe tashme ka kaluar, dua t’ju uroj në këtë fundvit të keni forcë dhe vullnet për të përballuar këtë ekzistencë të rëndë dhe të kujtojmë se asnjë fatkeqësi nuk lindi me ne dhe nuk do të vdesë me ne ashtu si çdo e mirë që sjell jeta ka ekzistuar para nesh dhe do vazhdojë të pluskojë mbi jetët që do të vinë. Zoti është përcaktues i kohës sonë, kësaj kohe e cila ka dy anët e saj pothuajse përherë, thuajse gjithmonë. Ndaj dua ta mbyll këtë urim me rreshtat e predikimit nga Bibla të cilët na shpjegojnë kuptimin e kësaj kohe dhe të këtij destini:

“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell;
një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë
Ka një Një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur,
një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle.
Një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët,
një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar” / KultPlus.com

Të ngjajshme