Kontributi arbëresh për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë

9 Shtator, 2018 - 4:00 pm

Faqe nga historia dhe jeta e diasporës shqiptare

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Pjesëmarrja aktive e diasporës shqiptare dhe kontributi i saj në lëvizjet nacionale, që u zhvilluan në Europë në shekullin e XIX, përbën një fenomen historik me rendësi të veçantë, që e bën popullin shqiptar të krenohet. Kjo u demonstrua, së pari, në Revolucionin grek të vitit 1821 e më pas në luftën për pavarësinë e Rumanisë, por akoma më fuqishëm në epopenë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Arbëreshët shkruan me gjak një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së lavdishme të Risorxhimentos italiane. Të mërguar nga Shqipëria, pas epopesë skënderbejane të shek. XV, ata gjetën strehë në Italinë mike, duke u shpërndarë në vijë të drejtë prej 1000 km nga Abrucio në Sicili. Atdheu i Dantes dhe i Galileut, i Mikelanxhelos dhe i Garibaldit, u bë atdheu i tyre i dytë.

Prania e veprimtaria e arbëreshëve në jetën dhe historinë e Italisë mesjetare janë të njohura, veçanërisht në Republikën e Venedikut dhe Mbretërinë e bashkuar të Napolit. Por roli i tyre në hapësirat italike mori përmasa kombëtare dhe hyri me nder në historinë moderne me ngjarjet madhore të shek. XIX. Do të ishin idetë e shenjta të lirisë, të Çlirimit nga robëria dhe tirania, ato që zgjuan ndërgjegjen qytetare arbëreshe dhe i bënë të ngrihen në këmbë e të hidhen në luftë krah vëllezërve italianë, duke manifestuar virtytet e tyre të njohura, shpirtin liridashës, trimërinë dhe krenarinë, besnikërinë dhe dinjitetin njerëzor.

Aktivizimi i arbëreshëve në Risorxhimenton italiane, nis nga fillimet e saj, në fundin e shek. XVIII, zhvillohet me lëvizjen karbunare, merr zjarr me idetë republikane të Maxinit, shpërthen me kryengritjet e viteve 1844-1848, për t’u kurorëzuar në luftën çlirimtare Garibaldine të vitit 1860, që çoi në pavarësinë dhe bashkimin e Italisë. Ata u bënë pjesë e ngjarjeve të rëndësishme politike dhe qëndruan në radhët e para të betejave të përgjakshme, hynë nëpër komitetet e fshehta dhe mbushën radhët e çetave, u burgosën e u persekutuan, u pushkatuan dhe u varën me thirrjen “Rroftë liria, rroftë Italia”.

Le të kujtojmë se, qysh në prag të Rigorxhimentos, ata u përfshinë në luftën kundër tiranisë Burbone, duke kontribuar në shpalljen e Republikës së Napolit në vitin 1799. Në qeverinë e saj, jo rastësisht do të zgjidheshin dhe arbëreshët Paskuale Bafa dhe Xhuzepe Albanezi. Kjo ngjarje, siç pohojnë historianët, hodhi farën e luftës për bashkimin e Italisë dhe, pavarësisht se dështoi, ngjalli shpresën për një atdhe të lirë nga robëria e tirania. Në këtë betejë të parë derdhi gjakun e dha jetën edhe eruditi dhe intelektuali i shquar arbëresh Paskuale Bafa.

Duhet të presim vitet 40 të shekullit XIX që lëvizja e Rigorxhimentos të kalojë nga aksionet politike në aksionet luftarake. Në 1844 ndodhi zbarkimi heroik i vëllezërve Bindiera në brigjet e Kalabrisë, ku do të përfshiheshin dhe 18 luftëtarë arbëreshë. Ishte ky një akt frymëzues, që pati jehonë në mbarë Italinë dhe përgatiti popullin për betejat e reja që e prisnin.

Dhe këto beteja erdhën me revolucionin e vitit 1848, kur Napoli, Palermoja dhe Kozenca u kthyen në sheshe lufte kundër tiranisë Burbone dhe tronditën Italinë e copëzuar. Revolucioni do të zhvillohej në Sicili dhe Kalabri, treva këto ku gjendeshin ngulimet arbëreshe. Ai do të niste në Sicili, ku arbëreshët, siç dëshmojnë dokumentet, do të ishin nga të parët që mbështetën dhe luftuan në radhët e tij. Të gjithë katundet arbëreshe u hodhën në kryengritje, duke filluar nga intelektualët e tyre, si filologu DH.Kamarda e poeti G.Dara (I riu) e deri te fshatarët e thjeshtë të Pianës, Palac Adrianos, Mexojuzës etj. Por vendin e nderit do ta zinte Piana degli Albanese, një ngulim arbëresh, afër Palermos, me tradita patriotike dhe kulturore. Aty do të ngrihej menjëherë një komitet revolucionar dhe do të dilnin rreth 600 vullnetarë, të cilët shkuan në Palermo dhe u bashkuan me kryengritësit në luftë kundër tiranisë monarkiste. Figura arbëreshe në këto ngjarje do të bëhej revolucionari i vjetër arbëresh i lëvizjes karbunare dhe pasues i devotshëm i Maxinit, Xhorxhio Piadeskalci, kapiten i Gardës kombëtare. Por një rol të rëndësishëm do të luante dhe arbëreshi tjetër Francesko Krispi, që më vonë u bë figurë protagoniste në lëvizjen garibaldine. Një vatër e nxehtë e revolucionit të vitit 1848 do të bëhej diaspora arbëreshe e Kalabrisë, e cila u rendit në radhët e para të luftës kundër latifondistëve dhe për shpalljen e Republikës. U formua në Kozencë Komiteti i shpëtimit publik në përbërje të të cilit ishte dhe filozofi dhe poeti arbëresh Domeniko Mauro. Ndërkaq, u organizua një repart arbëresh prej 500 vullnetarësh nën komandën e Xhovani Paçes, për të vijuar me kontingjente të tjera luftëtarësh nga katundet arbëreshe të komanduara nga Domeniko Damisi. Kështu, nën udhëheqjen e Mauros, Poçes dhe Damasit, arbëreshët morën pjesë në beteja deri në shpalljen e Kushtetutës. Më në fund, pas shumë luftimesh e sakrificash, u krijua Parlamenti i mbretërisë Kushtetuese të Napolit, ku u zgjodhën deputetë dhe arbëreshët Guljelmo Toçi, Domeniko Mauro, Domeniko Damisi, Muço Paço etj. Por kjo pranverë ëndrrash dhe shpresash liridashëse qe e shkurtër. Ajo nuk vonoi dhe u shtyp mizorisht me gjak. Reaksioni Burbon dhe feudal u hakmorën egërsisht ndaj kryengritësve me ekzekutime, gjyqe, persekutime, ku padyshim e pësuan dhe luftëtarët arbëreshë. Poeti arbëresh Vincenco Stratiko do t’i ngrinte një himn heroizmit të bashkatdhetarëve të tij në odën epike “shqiptare”.

Megjithëse triumfuan reaksioni dhe revanshizmi, lufta për kauzën e lirisë nuk u shua. Ajo do të vazhdonte në akte të tjera revolucionare përmes komiteteve të fshehta, përbetimeve, çetave nëpër male, aksioneve luftarake, ku do të bënin pjesë dhe arbëreshët. Në analet e kësaj rezistence, mbeti i paharruar atentati i të riut arbëresh Axhisilao Milano, i cili, në dhjetor të vitit 1856, gjatë kalimit në revistë të rojës së nderit të mbretit Ferdinand II në Kampo di Marte, do të godiste me bajonetë mbi të. Por, megjithëse nuk ia arriti qëllimit, pasi mbreti mbrohej nga një parzmore, akti i Milanos bëri jehonë të madhe dhe hyri në histori. Këtë gjest të guximshëm ai e pagoi me jetë, sepse pas shumë torturash, kur e çuan para trekëmbëshit, atentatori trim do të thërriste “Rroftë liria e popujve! Rroftë Italia!”

Në vitin 1859 nisi lufta e dytë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Kësaj here doli në skenën e historisë Xhuzepe Garibaldi, udhëheqësi legjendar i luftërave për liri të popujve të robëruar. Ai erdhi në Itali pas një përvoje të pasur luftarake dhe u vu në shërbim të shtetit të Piemontit për të përgatitur fushatën kundër pushtuesve austriakë. Garibaldi, i kthyer tanimë në një figurë simbol, do të ngjallte shpresat e italianëve për çlirim e bashkim dhe qindra patriotë do të viheshin nën urdhrat e tij. Kështu heroi legjendë përgatitej për luftën e madhe që e priste. Sipas strategjisë së tij, kjo do të ishte një luftë globale, që do të përfshinte gjithë Italinë e copëzuar. Për këtë, ai filloi të përgatitet duke ideuar një fushatë ushtarake, që do të niste me zbarkimin e një ekspedite në brigjet e Sicilisë. Në projektimin dhe realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe historike do të luanin një rol të rëndësishëm revolucionari italian Roselino Pilo dhe ai arbëresh Françesko Krispi. Bile do të qenë këta, që do t’i propozonin udhëheqësit zbarkimin në Sicili, duke punuar për përgatitjen e terrenit të luftës së ardhshme. Kësisoj, pas përgatitjeve të fshehta e të menduara mirë, më 4 prill 1860 shpërtheu në Palermo kryengritja mbarë popullore e organizuar dhe udhëhequr nga Rozelino Pilo dhe Françesko Krispi. Edhe kësaj here Piana arbëreshe, u bë një nga bazat e kryengritjes, duke çuar në vijën e parë të luftës 400 burra. Në Piana bile do të vinte vetë Rozelino Pilo, i shoqëruar nga arbëreshi Antonio Guxeta dhe do t’u njoftonte pianezëve besnikë se së shpejti do të zbarkonte në brigjet e Sicilisë ekspedita e Garibaldit. Në këto kushte, pa humbur kohë, u krijua Komiteti i fshehtë i Pianës me në krye Françesko Petën dhe një repart luftëtarësh në komandën e Pietro Piedelskalci u nis drejt Palermos dhe u bë pjesë e kryengritjes. Ata luftuan në betejën e Monrealit, ku ranë heroikisht krah njëri-tjetrit duke thirrur “Rroftë Italia” italiani Rozelino Pilo dhe arbëreshi Pietro Piedeskalci. Në kronikën e kohës është regjistruar dhe një fakt tjetër kuptimplotë: vajza arbëreshe nga Piana, Xhovana Peta, do të shkonte në Palermo me flamurin italian fshehur në gji dhe do ta pas fitores së kryengritjes në qiellin e lirë të kryeqendrës së Siçilisë.

Por, ndërsa lufta vazhdonte, ekspedita nën drejtimin e Garibaldit, e përbërë prej 1000 vullnetarësh, që hyri në histori me togfjalëshin “Të njëmijtët”, u nis nga Xhenova, me dy anije në drejtim të Sicilisë. Në të bënin pjesë dhe 10 arbëreshë, ku dallohen emrat e Françesko Krispit me të shoqen, Domeniko Mauro e Domeniko Damisi. Mbas disa ditësh udhëtimi, ekspedita zbarkoi në Marsala dhe nisi rrugën luftarake për çlirimin e Sicilisë, duke kaluar nga një betejë e përgjakshme në tjetrën e duke i shtuar radhët e saj me vullnetarë që vraponin nga të gjitha anët. Brenda një kohe të shkurtër ata arritën në 4000 vetë.

Piana arbëreshe, e ngritur në këmbë, do të priste krahëhapur më 24 maj vetë Xhuzepe Garibaldi, që arriti me luftëtarët e tij, me udhërrëfyesin arbëresh Nino Petën. Këtu ai bujti në shtëpinë arbëreshe dhe përgatiti planin për çlirimin përfundimtar të Palermos. Kjo do të ishte beteja më e madhe e Garibaldit, që vazhdoi tri ditë dhe që Frederik Engelsi do ta përshëndeste e do ta cilësonte “ndërmarrjen më të mahnitshme të shekullit tonë.”

Fitorja historike e kryengritjes së Palermos do të kurorëzohej me formimin e qeverisë revolucionare të Sicilisë nga Garibaldi, ku u përfshi si ministër i brendshëm dhe Françesko Krispi. Më vonë, në kujtimet e tij, Garibaldi do të shkruante: “E vlerësova Krispin si sicilian të ndershëm dhe me aftësi të mëdha, i cili më ndihmoi jashtë mase…”

Pas çlirimit të Sicilisë, Garibaldi i udhëhoqi luftëtarët e tij drejt kontinentit Apenin përkundër pengesave të principatave italiane dhe Europës konservatore dhe armiqësisë të pushtuesve austriakë. Ai ishte i vendosur dhe i vetëdijshëm se detyrën historike që kish marrë përsipër do ta quante të kryer vetëm pasi të çlironte dhe bashkonte gjithë Italinë. Kështu, do të vazhdonte rrugën e luftës, nga një betejë në tjetrën, duke u hedhur nga Mesina në Vila San Xhovani drejt Kalabrisë. “Bashkimi i Italisë,-do të shkruante ato ditë Françesko Krispi,- është aspirata hyjnore e 26 milionë italianëve.”

Në Kalabri, Garibaldi dhe trimat e tij u pritën me hare dhe shpresa të mëdha nga populli i shtypur dhe i nëpërkëmbur nga robëria dhe tirania shekullore. Katundet arbëreshe do të ishin të parat që do të rendin t’i vinin në ndihmë forcave çlirimtare “Të njëmijtëve”. Ato ngritën menjëherë regjimentin e tyre nën komandën e udhëheqësit të sprovuar Xhuzepe Paçe. Entuziazmi i arbëreshëve ishte i jashtëzakonshëm: kish ardhur shpëtimtari i tyre, Skënderbeu i ri; me këtë emër do ta pagëzonin Xhuzepe Garibaldin, siç do ta quanin dhe Ante dhe Patriark i lirisë. Poeti Luixhi Skutari do t’i këndonte Garibaldit me vargjet: “Të duam më shumë se sytë/ Do të vijmë me ty edhe në ferr të luftojmë, qoftë dhe me djallin.” Ka mbetur e regjistruar në analet e asaj kohe pritja madhështore që i bënë gratë arbëreshe të katundit Spixana Albanese, duke kënduar këngë për heroin në gjuhën shqipe. Por akoma më i rëndësishëm është fakti i pjesëmarrjes vullnetare të arbëreshëve në radhët e ushtrisë së Garibaldit. Vetëm në tre ditë u bashkuan me të 1300 luftëtarë. Në kujtimet e tij Garibaldi shënon se në luftën për çlirimin e Napolit morën pjesë dhe gra arbëreshe, nga të cilat do të dallonte vajza 18-vjeçare Paskualina Toskareli, i ati i së cilës kish rënë dëshmor në revolucionin e vitit 1848.

Gjatë hyrjes triumfale të Garibaldit në Napoli, ai do të kishte në krah dhe komandantët trima arbëreshë Xhovani Paçen, Vinçenco Stratigoi e të tjerë, ku u prit me brohoritje dhe marshe revolucionare nga populli. Festonte Napoli, po festonin dhe arbëreshët duke kënduar e thirrur: “Rroftë Garibaldi. Rroftë Italia e lirë.” Në atë ditë historike Garibaldi do të formonte qeverinë revolucionare, ku, si gjithmonë, do të përfshinte dhe arbëreshët Françesko Krispi, Paskuale Skura dhe Luixhi Gura, për meritat e në kauzën e madhe të lirisë së Italisë.

Pas çlirimit të Napolit, Garibaldi, në krye të luftëtarëve të tij, vijon marshimin mbi Romë duke sfiduar hapur pengesat dhe kundërshtimet e forcave konservatore e separatiste. Në betejën e madhe të Volturnos, ku qenë të pranishëm, në pozicione kundërshtare si Garibaldi dhe mbreti Françesko i Napolit, do të luftonin në radhët e para edhe arbëreshët nën komandën e Xhovani Paçes. Pas betejës, siç del nga kujtimet e tij, Garibaldi do t’i thoshte Paçes: “Këta arbëreshët e tu janë luanë.” E jo vetëm kaq, por në këto ditë të zjarrta, i prekur thellë nga ç’po ndodhte me trimat e tij, do të bënte deklaratën e famshme: “Arbëreshët janë heronj. Ata janë dalluar në të gjitha betejat kundër tiranisë.” Një vlerësim të lartë do të bënte dhe për Kolegjin arbëresh të Shën Adrianit, që nxori nga gjiri i tij disa nga figurat e dalluara të revolucionit italian, duke dhënë 12.000 dukate për zgjerimin dhe meremetimin e kolegjit si shpërblim “për shërbimet e shquara që arbëreshët trima e zemërmëdhenj i kanë dhënë çështjes sonë kombëtare.” Po kaq kuptimplotë ishte dhe pensioni që i lidhi familjes së Axhesilao Milanos për aktin e tij heroik.

Siç dihet, me betejën e Kasertos më 2 tetor 1860 mori fund fushata e lavdishme e Garibaldit, që hodhi themelet e pavarësisë dhe bashkimit të Italisë. S’ka dyshim se bilanci i kontributit arbëresh në këtë ngjarje të madhe historike për fatin e Italisë është i padiskutueshëm dhe i admirueshëm. Këta pasardhës të Skënderbeut jo vetëm nderuan emrin e tij dhe të atdheut të origjinës, por treguan me prova dashurinë dhe besnikërinë e tyre proverbiale ndaj popullit dhe tokës mikpritëse. “Gjatë Risorgimentos,-shkruan historian Cezaro Lambrozo,-arbëreshët e Italisë dhanë luftëtarë trima, derdhën gjak, bënë sakrifica të panumërta, manifestuan virtyte të larta, u treguan qytetarë të denjë të atdheut të tyre të dytë.”

Disa vjet më vonë, më 1866, Garibaldi do të shprehte mirënjohjen e admirimin e tij të thellë ndaj gjithë asaj çka bënë arbëreshët për kauzën e Italisë së lirë e të bashkuar në një letër drejtuar Dora d’Istrias: “Çështja e shqiptarëve është çështja ime. Sigurisht që unë do të isha i lumtur që të përdorja gjithçka që më mbetet nga jeta ime në favor të këtij populli trim.”

Rilindja shqiptare do të shihte te Rigorxhimentoja italiane një shembull frymëzues për çlirim kombëtar të Shqipërisë së robëruar. Liderët e saj do të shpreheshin me fjalët më të mira për epopenë garibaldine. Poetët do të thurnin vargje entuziaste, siç do t’i përcillte dhe pasqyronte me entuziazëm ngjarjet dhe në faqet e tij. Falë kontributit arbëresh gjatë Rigorxhimentos miqësia shqiptare-italiane do të vlerësoheshin dhe faqe të reja mirëkuptimi dhe vëllazërimi. Në shtetin e ri italian, ku arbëreshët do të nderoheshin duke u zgjedhur deputetë dhe në poste të larta, deri edhe kryeministër, siç qe rasti i Françesko Krispit, lëvizja jonë kombëtare do të gjente mbështetje në luftën e saj për çlirim, që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë në 1912./ KultPlus.com

Të ngjajshme