Koronavirusi, një ftesë për t’u rikthyer te vlerat familjare

15 Mars, 2020 - 10:58 am

Nga Arli Minga

Dy sfida të mëdha i dolën Shqipërisë njëra pas tjetrës. Po ndërsa e para, ajo e tërmetit, na dhembi për hir të dëmeve që bëri edhe pse krejt e lokalizuar, kjo e dyta na ka vendosur në front të një lufte, e cila nuk është vetëm e jona, por e gjithë botës.

Përleshja jonë sot, me virusin që erdhi nga Kina, që një djall e di se ku u ngjiz e një dreq ndoshta dikur do ta marrë vesh se si u përhap, nuk është vetëm për familjen, por për vendin dhe botën.

Mund të duket hiperbolë, e me të drejtë, por do të shpjegoj modestisht, mrekullinë e vogël në mes të kësaj flame të madhe.

Kjo nuk është luftë llogoresh, nuk është nga ato kacafytjet, nga të cilat bota ka parë mënxyra të lloji e soji, që kanë lënë pas miliona viktima; kjo nuk është nga ato kacafytje ku ti e di se atje jashtë është një “armik” e mjafton të gjesh çastin për ta goditur; kjo është nga ato kacafytje kur lufta bëhet në “llogoret” e vogla të quajtura familje, ku armiku mund të jetë kudo përveçse aty, e çdo familje duhet të fitojë betejën e saj përballë koronavirusit të ri, COVID-19.

Po, po! Na duhet të qëndrojmë në shtëpi, për të parandaluar një gjëmë të madhe, për të mos marrë virusin e për ta sjellë në odën tonë të qetë, e një tjetër akoma më të madhe, për të mos vendosur vendin e ca më keq akoma, botën, përballë provës së ekzistencës.

E ku ka më mirë se kaq, të luftosh krah për krah me njerëzit e dashur. Ndoshta, kjo është me të vërtetë mrekullia e vogël, që ka provokuar përhapja e koronavirusit të ri.

Rikthimi i besimit se mund të jemi të prekshëm, rikthen dashurinë e pakushtëzuar për jetën, për ekzistencën. Në vorbullën e përditshmërisë, të ambicieve të vogla e të mëdha, shumëkush e humbet sensin e realitetit e ngrihet në delirin e të qenit i paprekshëm dhe vetidentifikohet vetëm si viktimë ose sukses i përkthyer në pozita e arritje financiare.

Dy javë nuk janë pak, për të përtërirë sadopak dhembsurinë, dashurinë ndaj familjes, ringritjen e vlerave mbi perveristetin banal, që na ka pushtuar pa mëshirë ndaj njëri-tjetrit, fund e krye, të gjithë.

Përçudnimi i vlerave, i dashurisë, i mirënjohjes, i mirësjelljes, kulturës, etikës, ndershmërisë, ka pjellë njerëz të ftohtë, të mbushur me inat në rastin më të mirë, e me urrjetje në më të keqin; mosmirënjohës që ngulin thika pas shpine apo tradhëtojnë ata që u kanë dhënë një dorë për t’u ngritur; qytetarë të paedukuar, të neveritshëm nga mënyra si trajtojnë qoftë edhe marrëdhëniet më të vogla; njerëz që nuk përshëndesin as mirëmëngjes e as mirëmbrëma; makineri moderne që punojnë për të prishur e shkatërruar thelbin e së mirës, të tradhëtojnë çdo vlerë për t’ju dorëzuar të denatyruar luftës në anarkinë e egove.

Po qoftë edhe të ripërtërijë aty ku ka humbur, e të krijojë aty ku ka munguar, qytetarinë tek shqiptarët. Të bëhen të përgjegjshëm, të ndërgjegjësohen për rolin në komunitet, t’u kalisë durimin, t’u mësojë të mbajnë radhën, t’u pushojë pak portofolet e për dy javë të mendojnë se kjo jetë ka ca vlera e dashuri të gjithkohshme, që kurrsesi nuk mund të zëvendësohen nga gjëra të përkohshme. Prindërit të mos përleshen pa menduar se dhe të tjerët janë prindër, e fëmijët të kujtohen ndonjëherë për prindërit. Dhe ky moment, është i duhuri, sepse në fakt, nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër.

Biseda me babin, përkëdheljet e mamit, zënkat pa qeder me motrën e vëllanë, e dashuria e pamatë e gjyshërve. Janë ilaçi më i mirë për ta kuruar këtë flamë të madhe, e vaksina më e fortë për ta zhdukur kërcënimin e saj.

Me shpresë, le të jenë këto ditë fillimi i një katarsisi shoqëror, i cili nuk mund të nisë ndryshe, veçse nga pastrimi e fisnikërimi i shpirtit. “Dashnia n’shpirt fisnik, që hyn aq letë” e nis Dante Aligeri një nga tercinat e tij. Ai shënjoi fillimin e Rilindjes, vepra e tij u bë pararojë e zhvillimit, të atij zhvillimi që vijoi pastaj me shtetin modern, që pasoi me ngritjen e vlerave njerëzore në piedestal. Le të fisnikërohemi dhe ne nga pak, sepse përndritja e shpirtit, bëhet mirëseardhje për të gjitha vlerat e tjera dhe dëbon veset e perversitetin vrastar të kapitalizmit që llogarit edhe ndjenjat, që i vë edhe ato në peshore.

Ndoshta, koronavirusi i ri nuk është një e keqe aq e madhe. Me pak mund, ndoshta e kthejmë në një të mirë, që do ta bekojmë për tërë jetën, për ne, për brezat. / KultPlus.com

Të ngjajshme